Tregëtarët “flaken” nga akset nacionale një muaj pasi morën votat e zgjedhjeve parlamentare

247
Sigal

 

  Qytetarët: Qeveria po na heq bukën e gojës, ata po i lënë njerëzit të shesin drogë, ne nuk na lënë të shesim prodhimet tona

Vetëm një muaj pas zgjedhjeve, një Task Forcë e ngritur në qarkun e Korçës ka larguar nga akset nacionale të gjithë tregtarët ambulantë, të cilët në pamundësi të një vendi për të tregtuar prodhimet, kishin zgjedhur t’i shisnin pranë pronave të tyre. Vendimi është cilësuar i pabesë nga fermerët, të cilët shprehen se, pushteti vendor më pare, duhet t’u kishte gjetur zgjidhje.

Të cilësuar si shkaktarë për aksidente në akset nacionale të Qarkut të Korçës, tregtarët nisën të largohen nga Task Forca e ngritur pikërisht për këtë proces. Aksioni nisi një javë më parë pas një kërkese të vazhdueshme të ARRSH-së dhe policisë rrugore.

Ky largim nuk është pritur mirë nga këta tregtarë, të cilët shprehen se bashkia dhe qeveria po u heq bukën e gojës. Po ashtu, ky vendim është marrë pak kohë, pasi Kryeministri urdhëroi që përgjatë akseve nuk do ketë më tregtarë që të shesin produktet e tyre bujqësore. Gjithçka ndodhi një muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021, si urdhri i Kryeministrit Rama ashtu edhe ngritja e task-forcës.

Por, gjendja e vështirë ekonomike-sociale që përballet vendi ynë vijon të jetë e tillë pavarësisht se kemi 30 vite demokraci. Pamundësia për të nxjerrë bukën e fëmijëve dhe të ardhurat e pakta familjare, detyronte dhjetëra e dhjetëra tregtarë të operonin me tezga të ngritura nga vetë ata në akset nacionale të qarkut Korçë. Fytyrat e Muharrem dhe Gurie Shkëmbi, tregojnë së largu që megjithëse nuk janë në një moshë të madhe, lodhja nga hallet dhe puna e vështirë në bujqësi, kanë lënë shenja të pamundura për tu zhdukur tek ky çift bashkëshortësh.

Përpjekjet për të mbijetuar dhe për të plotësuar kushtet minimale në familjen prej 6 anëtarësh i kanë detyruar të dalin të shesin në anë të aksit nacional Korçë-Pogradec. “Unë kam 5 vite që punoj këtu. Punojmë familjarisht 1 vit të tërë për të shitur 2 patate, 2 qepë që i shesim po këtu. Ata nuk na lënë as në treg t’i çojmë me zetor, unë nuk kam makinë që t’i çoj, ai na e ndaloi gjithçka. Nuk ka pasur asnjë aksident këtu, s’e kuptojmë pse na e bënë këtë gjë. Po na heqin bukën e gojës, bukën e fëmijëve. Bëjnë diferencime dhe na penalizojnë, qelbanikët. Duan të na vdesin fare, ne me këtë jetojmë, marrim frymë.

Taksat, detyrimet, ne i paguajmë një për një. Edhe mos kesh mundësi ta paguash 1 muaj do paguash dyfishin pastaj. Ne me këto prodhime jetojmë. Duan që të nxjerrim licencë? Do e nxjerrim, veç të më lënë të shes para shtëpisë sime. Ata po i lënë njerëzit të shesin drogë, ne nuk na lënë të shesim prodhimet tona. Ne shesim 2 patate dhe na kërcënojnë, na dhunojnë, na marrin mallin… Hajdutët! E na thonë do futemi në burg 5 vite nëse vazhdojmë ende. Mua më kanë marrë para 2 muajsh 1 thes me arra e 2 arka mollë. Hajdutët! Më marrin bukën e gojës”, thotë Gurie Shkëmbi e dëshpëruar .

Situata duket e ngjashme për çdo fermer që zgjedh rrugën për të shitur ato pak produkte, të përftuara me aq shumë mund.

Edhe Gjysh Astriti, që është nga fshati Lumalas, rrëfen për “Portën Vendore” se ka 10 vite që ka zgjedhur të tregtojë pranë banesës së tij, e cila ndodhet buzë rrugës nacionale Korçë-Pogradec. “Ja këtu nxjerr bukën unë, me këto ushqej shtëpinë. Kam 10 vite që punoj, duke shitur prodhimet bujqësore, jam vetë i 7- të në familje. Nuk kam të ardhura të tjera. Tani të na presin kokën, t’i nxjerrim fëmijët në mes të 4 rrugëve. Rrogën e marrin ata, le të na gjejnë ne një punë e të mos dal në xhade. Ku të ha unë? I kemi votuar që të na qeverisin, jo të na lënë në mes të rrugës. Do na heqin, se thonë që jemi shkak për aksidente, por asnjë aksident s’ka ndodhur. Këto janë politikat e tyre. Si t’ia bëj unë?”, shprehet gati në të qarë gjysh Astriti duke shtuar se: “Ne nxjerrim 200-300 lek në ditë. Mundohemi të punojmë, por këta na thonë të vdesim. Me frikë i nxjerrim qepën, pataten, fasulen, se mos na e marrin këta të shtetit. Me frikë dal se duhet të ushqehem”, përfundon ai.

Hasan Shahollari, kryeplak në fshatin Lumalas shprehet se fshatarët s’kanë faj. “Edhe unë e të tjerë fshatarë dalim te xhadeja, se do ushqehemi. Ne rropatemi tokave, me djersë dhe gjak i kemi bërë prodhuar ato produkte. S’kemi mundësi ta çojmë drejt Korçës, makina do lekë, ne ku t’i gjejmë? Ne nuk marrim as subvencione, asgjë. Çmimet janë poshtë fare. Po ç’të bëjmë ta lëmë mallin të kalbet? Ta lëmë djersën e gjakun tonë? Po na ikin fëmijët nga Shqipëria, se këtu as punë nuk gjejnë dot” tregon ai.

Ndërsa përsa i përket pyetjes nëse ka pasur sanksione për tregtarët, prefekti u shpreh se këto shihen nga policia bashkiake. “Ne si prefekturë në bashkëpunim me 3 bashkitë propozojmë se duhen hapur tregje që të mund të vijojnë aktivitetin dhe punën e tyre ose spostimin e tyre për të mos u bërë shkak aksidentesh. Aksionet janë të vazhdueshme dhe do të jenë prezentë, pasi këta tregtarë janë burim aksidentesh dhe rrezikojnë edhe jetën e tyre”, tha prefekti , ndërsa nuk dha një shifër lidhur me numrin e tregtarëve që janë hequr nga rruga gjatë këtyre ditëve të aksionit.

Por krejt ndryshe mendon Lumturim Çorbaxhi, ekspert rrugor në qarkun e Korçës i cili thotë se shitja e tregtarëve në rrugë nuk shkakton aksidente, por këta mund të bëhen viktima të aksidenteve.