Ish-Sekretari i DASH, Mike Pompeo: Fotot me figurat politike në Shqipëri nuk tregojnë mbështetje për ndonjë lider apo parti, vizitova komunitetin Iranian

143
Sigal

Ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, zhvilloi një vizitë në Tiranë, ku mori pjesë në disa evente dhe zhvilloi takime me disa figura të politikës shqiptare. Takimet apo fotot me disa nga të pranishmit në eventet ku ishte i pranishëm Pompeo shkaktuan polemika, kjo për faktin se në një nga fotot Pompeo u shfaq me Enkelejd Alibeajn dhe disa nga deputetët e Partisë Demokratike, të cilët janë politikisht kundër Komisionit të Rithemelimit ku bën pjesë ish-Kryeministri e lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha. Ndërkohë që u hodhën shumë insinuata lidhur me vizitën dhe fotot, ish-Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo përmes rrjeteve sociale ka sqaruar vizitën e tij në Shqipëri. Pompeo shkruan se ai erdhi në Shqipëri për të folur me komunitetin Iranian, i cili është aktualisht i vendosur në Manzë të qytetit të Durrësit. “Udhëtova sot në Shqipëri për të folur me komunitetin Iranian atje. Ata kanë të drejtë t’i rezistojnë mullahëve dhe të punojnë për të ofruar atë për të cilën populli iranian po kërkon dhe po proteston: çlirimin e qytetarëve të Iranit nga zgjedha tiranike e regjimit”, shkruan në rrjetin social Tëitter Mike Pompeo. Stafi i Pompeo ka reaguar duke shpjeguar edhe deklartat e aktivistes në Partinë Demokratike, ndërsa Evi Kokalari ka publikuar e-mailin me Jim Richardson, shefin e stafit të ish-sekretarit amerikan të shtetit, Mike Pompeo, lidhur me vizitën e këtij të fundit në Tiranë dhe takimet e zhvilluara, gjatë të hënës. Richardson shkruan se Pompeo ka bërë foto me Alibeajn dhe gjithë të tjerët, të pranishëm në aktivitet, për mirësjellje. Richardson kujdeset të theksojë se pranimi për të bërë një foto nuk do të thotë mbështetje për ndonjë lider apo grup politik në Shqipëri. “Përshëndetje Evi! Sekretari bëri foto me të gjithë në event, dhe nuk pati asnjë deklaratë politike. Pranimi i tij për të bërë fotografi nuk do të thotë mbështetje për ndonjë lider apo grup politik. Ai u tregua i sjellshëm gjatë kësaj ngjarje të rëndësishme”, është përgjigjja e Richardson.  Në foto shfaqet Ish- sekretari i shtetit amerikan Mike Pompeo krah deputetëve të Partisë Demokratike Enkeljd Alibeaj, Jorida Tabakut, Dhurata Çupit e Agron Gjekmarkaj.