Bashkia Roskovec, rrit tarifat për plehrat e inceneratorit të Fierit

Plehrat te inceneratori i Fierit, Bashkia e Roskovecit rrit tarifat për banorët

Dërgimi i plehrave në inceneratorin e Vërrisë do rëndojë xhepat e banorëve të Marinzës. Ata janë dakord për largimin e mbetjeve, por nuk kanë mundësi të paguajnë tarifa për këtë shërbim, sepse pagat që marrin nuk u dalin as për të mbijetuar.   Banorët e Marinzës kanë reaguar pas lajmit se fushat e mbetjeve urbane në Marinzë do mbyllen dhe ato do dërgohen në inceneratorin e Vërrisë. Ata janë dakord për largimin e mbetjeve, që sipas tyre shkaktojnë sëmundje, por shprehen se kostot e dërgimit të mbetjeve te inceneratori nuk mund të rëndojë në xhepat e tyre dhe rritjen e tarifave ata nuk mund t’i përballojnë. Ndërkohë që nënkryetari i Bashkisë së Roskovecit, Maksi Goga, thekson se rritja e taksës është e pashmangshme. Nga janari i 2022 plehrat e Bashkisë Roskovec do dërgohen drejt inceneratorit në Verri.

Sigal

Bashkitë në rrjetën e inceneratorëve

Bashkia e Patosit dhe Roskovecit kanë rënë në rrjetën e inceneratorëve të Klodian Zotos. Këto dy bashki do të dërgojnë mbetjet urbane te inceneratori i Fierit, ndërsa kanë paralajmëruar rritje të taksave për qytetarët me qëllim që të përballojnë kostot për djegien e plehrave. Pasi Kryeministri Edi Rama kritikoi kryetarët e bashkive për menaxhimin e dobët të mbetjeve urbane, duke u sugjeruar që të lidhin kontrata me inceneratorët, disa nga drejtuesit e pushtetit lokal nuk kanë humbur kohë për të bërë marrëveshje me Klodian Zoton. Bashkia e Roskovecit dhe ajo e Patosit kanë lidhur marrëveshje me inceneratorin e Fierit, në pronësi të Zotos. Sipas Maksi Gogës, nënkryetar i bashkisë së Roskovecit, duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm mbetjet urbane të kësaj bashkie do të digjen te inceneratori i Fierit. Ndërkohë, Patosi ka nisur që tani të dërgojë mbetjet urbane te inceneratori i Klodian Zotos. Këtë gjë e konfirmoi Vangjel Nushi, drejtor i shërbimeve në këtë bashki, i cili u shpreh se shpenzimet do të përballohen nga buxheti i bashkisë. Por asnjë nga dy zyrtarët e bashkive, Roskovec dhe Patos, nuk tregon se sa është vlera e kontratës, që këto institucione kanë lidhur me inceneratorët për të dërguar mbetjet urbane në zonat respektive.