Rrëfehet Harry: Meghan, largimi nga Mbretëria dhe si e sheh “The Crown”

30
Sigal

Princ Harry i ka thënë të gjitha në një intervistë të pazakontë me James Corden. Duka ka treguar për vendimin e tij për t’u larguar nga Mbretëria, jetën familjare, shëndetin mendor dhe serialin “The Crown” që paraqet historinë e familjes mbretërore.

Harry tha se fjala e parë e vogëlushit Archie ishte “krokodil”. Ai tha se bashkë me Meghan e morën vendimin të largoheshin nga mbretëria, por kjo nuk do të thotë që nuk do t’i shërbejë publikut.

“Jeta ime gjithmonë do të jetë në shërbim të publikut dhe Meghan e ka pranuar”.
Sa i përket vendimit për t’u larguar, Harry tha se ishte një vendim i vështirë, duke kritikuar mediat për lajmet që qarkulluan.

“Unë bëra atë që çdo bashkëshort dhe çdo baba do të bënte. Thashë duhet ta nxjerr familjen që këtu, por kurrë nuk u largova përfundimisht sepse do të vazhdoj të kontibuoj”.

Për serialin “The Crown”, Harry tha: “Është pak a shumë i bazuar tek e vërteta. Sigurisht që nuk është plotësisht i vërtetë, por të jep pak idenë e jetesës në pallat dhe detyrave që ka familja mbretërore. Më pëlqen më shumë të shoh The Crown sesa historitë që shkruhen për familjen time, bashkëshorten ose për mua”.

Harry foli edhe për fillimet e lidhjes me Meghan duke treguar se ata dikur takoheshin në shtëpi derisa e bënë lidhjen publike.

“Kemi kaluar shumë kohë vetëm ne të dy. Ishte mirë, sepse nuk kishim shpërqëndrime”.
I pyetur sesi është mbrëmja e tyre, Princi tregoi se ata bëjnë çaj për Archien, i bëjnë banjë dhe i lexojnë një libër djalit përpara se ai dhe Meghan të kalojnë kohë së bashku.