Kur fëmijët krijojnë botën e tyre

636
Sigal

Në katër shkolla të Malësisë së Madhe. Një “Karavan” për nxënësit e nëntëvjeçareve

Festa dhe aktivitete në mbrojtje të të drejtave të tyre

Stacioni i fundit i “Karavanit” për të drejtat e fëmijëve, në përfundim të Projektit për promovimin e të drejtave të njeriut përmes arsimit gjithëpërfshirës,  ishte në katër shkollat e Malësisë së Madhe. Ndodhi në fund të qershorit, kohë kur rregullisht shkollat nëntëvjeçare janë  në heshtje dhe në qetësinë e tyre. Por për të katër shkollat e Koplikut, Vrakës, Grizhës dhe Bajzës,  e premtja e fundit e muajit solli një buqetë ngjyrash përmes aktiviteteve të larmishme të nxënësve. Ndalesa e parë e “Karavanit” ishte shkolla “Vasil Shanto” në Vrakë. Një program  i pasur artistik mori jetë brenda ambienteve të shkollës, por edhe në oborrin e saj. Valle e recitime, lojëra me top e një kalçeto, i dhanë gjallëri për dy orë me radhë, shkollës edhe pse procesi mësimor  kishte javë që kishte përfunduar.

Për drejtorin e shkollës, Kujtim Lamthi, gjithçka e organizuar është shprehje e iniciativave të nxënësve, e fantazisë dhe e dëshirës së tyre për t’u shprehur. Në një rast përmes lapsit e penelave, e në raste te tjera, në një interpretim loje apo gare sportive. I njëjti nivel artistik dhe sportiv na priti edhe në shkollën “Muhamet Hamuja” në fshatin Grizhë. Krijimtari origjinale dhe interpretime të veçanta gjithë shpirt e fantazi. Fishta, Mjeda, Gurakuqi me krijimet e tyre dhe të recituara shkëlqyeshëm nga nxënësit, janë si në shtëpinë e tyre në këtë zonë. Edhe këtu gjetëm një kënd modest punimesh në laps e bojra të nxënësve të klasave të shtata e të teta. Mesazhe të qarta për të drejtat e fëmijëve, një thirrje fëminore për më shumë zë, për pak më shumë respekt për botën dhe të drejtat e tyre.

Në shkollën “Abdyl Bajraktari” në zemër të Koplikut, aktivitetet u zhvilluan ne palestrën e  stërmadhe të saj. Lojrat e shpejtësisë e të shkathtësisë  i dhanë ambientit një gjallëri që vetëm fëmijët mund të dinë ta krijojnë. Stacioni i fundit i “Karavanit” ishte shkolla “Prek Gjoni” në Bajzë. Atmosfera festive ndjehej që larg, pasi muzika dhe këngët karakteristike të zonës përhapeshin si një fllad i lehtë në zhegun përvëlues të fundqershorit. Edhe këtu bëhemi dëshmitarë të së njëjtës atmosferë gjithë dritë, ngjyra e notash muzikore. Recitime nga poemat e Fishtës, këngë dhe valle të Shkodrës, Malësisë së Madhe, Kosovës, Pukës apo Mirditës. Një botë e tërë e mbledhur në një oborr shkolle. Atje ku fëmijët dinë të shprehin gjithë talentin e tyre dhe të thonë  “na llogarisni edhe ne”.  Projekt -menaxherja  e “Open Doors”, Laura Xhaxhiu përshëndet dhe falenderon…. “Ju duhet të gëzoni kështu si sot çdo ditë, pasi kjo është një moshë e mrekullueshme që nuk ju kthehet më. Ju duhet ta shprehni talentin tuaj çdo ditë, ta thoni fjalën tuaj, të jeni bashkë, të përpiqeni bashkë dhe të ecni përpara”.  “Mbrojtja më e mirë e të drejtave të fëmijëve, -theksoi Xhaxhiu, -kërkon që të gjithë të marrin përgjegjësi, duke pranuar se kujdesi dhe siguria juaj, është supreme për të gjithë”