Berat Luzha: Tepelena, qyteti që identifikohet me Ali Pashën

1411
Sigal

Reportazh/ Shtegtime nëpër Atdhe

TEPELENA – QYTETI QË IDENTIFIKOHET ME ALI PASHËN

Qyteti është i bukur, i pastër, me rrugë të gjera e sheshe të mëdha, me shëtitore të re, me vepra arti, me buste e shtatore të heronjve të Rrethit të Tepelenës, siç janë: Ali Pasha, Sali Nivica, Nimete Progonati, Selam Musai, Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Asim Zeneli. Në hyrje të qytetit na pret Ali Pasha në bronz, i vendosur në vitin 2001, punuar nga skulptori i njohur, Mumtaz Dhrami. Turistë të huaj kanë vërshuar në këtë zonë në kërkim të vendeve të paprekura dhe të ushqimit organik. Këtij zhvillimi po i kontribuojnë edhe investimet në ndërtimin e rrugëve, si është ajo Tepelenë – Kuç – Bregu i Detit, e cila e afron qytetin me detin rreth 50 km

Berat Luzha

Kush ka udhëtuar rrugës drejt Gjirokastrës e Sarandës dhe anasjelltas, patjetër është ndalur te shtatorja e Ali Pashës në hyrje të qytetit të bukur të Tepelenës. Gjithashtu, për të pushuar pak nga rruga e gjatë e për të pirë ujë të ftohtë, është ndalur edhe te Uji i Ftohtë, në një pushimore natyrore me burime uji tetë kilometra tutje Tepelenës. Udhëtimi nëpër zonën që mbulon bashkia e Tepelenës, luginave të Vjosës dhe të Drinos, nëpër gryka mes maleve të larta, paraqet peisazhe madhështore dhe atraksione që lenë mbresa të pashlyeshme.

Qendër bashkie dhe rrethi, Tepelena është qytet i vogël, i bukur dhe shumë simpatik, i ngritur në një rrafshnaltë mbi bregun e majtë të lumit të Vjosës, në krahinën e Dervenit. Rrethi i Tepelenës, me rreth 35 mijë banorë, përfshin një pjesë të krahinës etnografike të Kurveleshit dhe zonat e Dervenit, Lopësit, Rrezes, Buzit e Krahësit. Në këtë rreth, që përshkohet nga lumenjtë Vjosë e Drino, ndodhen dy qytete, Tepelena e Memaliaj, si dhe një varg fshatrash të vegjël, në masë të madhe edhe të braktisur.

Në lashtësi Tepelena bënte pjesë në Kaoni. Është vendbanim i hershëm ilir që lidhet me ndërtimin e një kështjelle në shek. IV – VI, e ngritur në një pikë strategjike në kryqëzimin e rrugëve nëpër luginën e Vjosës dhe të Drinos. Më poshtë kështjellës janë ruajtur gjurmët e një ure të madhe me harqe të shek. II. Në fund të shek. IX kështjella ishte pjesë e Themës së Nikopojës, pastaj e Despotatit të Epirit. Është shkatërruar në vitin 1492 nga pushtuesit osmanë. Në shek. XVI Tepelena ishte pjesë e Sanxhakut të Vlorës, kurse në vitin 1789 e mori Ali Pasha, i mbiquajturi Tepelena, i cili në Tepelenë ngriti kështjellën, si rezidencë të tij të dytë, pas asaj të Janinës.

Tepelena është qytet historik që identifikohet me emrin e vezirit të Janinës, Ali Pashës, i lindur në fshatin Beçisht, në një kodër përballë Tepelenës. Në qytet mbizotëron kështjella e madhe me emrin e tij, e shpallur monument kulture e kategorisë së parë që në vitin 1963. Ndërtimin e saj, në vitin 1819, e ka mbikëqyrur vetë Ali Pasha, e cila, rreth një vit ishte selia e dytë e tij, pas asaj të Janinës. Kjo kështjellë historike sot është bërë një atraksion turistik i dorës së parë. Për t’i nxitur edhe më shumë turistët, kështjella po rijetësohet gjithnjë e më shumë, kurse brenda saj po restaurohen dhjetra shtëpi, për t’u vënë edhe ato në shërbim të turizmit. Në zonën e Tepelenës ka edhe shumë objekte të hershmërisë sonë historike, siç janë kështjellat në Metohasan, Nivicë, Dukaj, Kalivaq, Lekël etj. Të gjitha këto objekte të trashëgimisë kulturore, si dhe monumentet natyrore, siç janë kanionet e Nivicës, janë atraksione të dorës së parë që do të ndikojnë për zhvillimin e turizmit.

Uji i Ftohtë është një zonë natyrore turistike, park natyror, rreth 8 km nga qyteti në rrugën drejt Gjirokastrës, që ka dhjetra burime të ujit. Në çdo kohë aty gjen grumbuj njerëzish e veturash, turistë apo udhëtarë, që pushojnë nën peisazhet e burimeve e të rrapeve shekullore. Uji i Ftohtë është kthyer në një pikë pushimi për udhëtarët dhe grupet e turistëve. Në afërsi të burimeve është ndërtuar një fabrikë e ujit, që është resursi më i madh ekonomik i rrethit, por edhe nga fabrikat më të mëdha e më të suksesshme për prodhimin e ujit mineral në vend dhe në rajon

Rrethi i Tepelenës ka tradita, zakone e rite të njohura popullore. Historia dhe folklori janë pasuri e çmuar e Tepelenës. Polifonia dhe kënga qytetare apo sazet e Tepelenës janë vlera të rralla muzikore popullore, polifonia edhe si pjesë e UNESCO-s dhe pjesë e identitetit shpirtëror të Labërisë.

Uji i Ftohtë është një zonë natyrore turistike, park natyror, rreth 8 km nga qyteti në rrugën drejt Gjirokastrës, që ka dhjetra burime të ujit. Në çdo kohë aty gjen grumbuj njerëzish e veturash, turistë apo udhëtarë, që pushojnë nën peisazhet e burimeve e të rrapeve shekullore. Uji i Ftohtë është kthyer në një pikë pushimi për udhëtarët dhe grupet e turistëve. Në afërsi të burimeve është ndërtuar një fabrikë e ujit, që është resursi më i madh ekonomik i rrethit, por edhe nga fabrikat më të mëdha e më të suksesshme për prodhimin e ujit mineral në vend dhe në rajon. Uji i Tepelenës eksportohet në disa vende të Europës, në SHBA e Kanada, duke përfshirë edhe Kosovën.

Popullsia e zonës së Tepelenës merret kryesisht me blegtori. Bylmeti dhe prodhimet e fshatit janë me nam, të cilësisë më të lartë. Në qytet dhe në fshatra ka një varfëri dhe papunësi të lartë. Tregtia e vogël dhe grumbullimi i bimëve medicinale janë dy segmente ekonomike që sigurojnë sadopak të ardhura. Edhe të ardhurat nga emigracioni po bien gjithnjë e më shumë. Tepelenasit janë njerëz të besës e të fjalës, janë të dashur dhe të ashpër. Mirëpo, varfëria sikur i ka mundur. Shumë fshatra malore janë zbrazur gati plotësisht për shkak të paperspektivës për jetesë dhe ikjes, sidomos të të rinjve në zona e qytete tjera dhe në emigracion. Kjo lëvizje e madhe e popullsisë ka shkaktuar, për mungesë nxënësish, edhe mbylljen e shkollave nëpër fshatra.

Sidoqoftë, viteve të fundit po i kushtohet kujdes i veçantë zhvillimit të turizmit në qytet dhe në fshatra, si shtyllën kryesore ekonomike të rrethit. Qyteti është i bukur, i pastër, me rrugë të gjera e sheshe të mëdha, me shëtitore të re, me vepra arti, me buste e shtatore të heronjve të Rrethit të Tepelenës, siç janë: Ali Pasha, Sali Nivica, Nimete Progonati, Selam Musai, Abaz Shehu, Mustafa Matohiti, Asim Zeneli. Në hyrje të qytetit na pret Ali Pasha në bronz, i vendosur në vitin 2001, punuar nga skulptori i njohur, Mumtaz Dhrami. Turistë të huaj kanë vërshuar në këtë zonë në kërkim të vendeve të paprekura dhe të ushqimit organik. Këtij zhvillimi po i kontribuojnë edhe investimet në ndërtimin e rrugëve, si është ajo Tepelenë – Kuç – Bregu i Detit, e cila e afron qytetin me detin rreth 50 km. Kështu, Tepelena me rreth 10 mijë banorë, në rrëzë të malit dhe në buzë të lumit, po bëhet një portë jugore e turizmit shqiptar.