Zbardhet axhenda e Komisionerit Fyle në Tiranë

501
Sigal

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, sot në Tiranë. Takime me Berishën dhe Ramën

Zbardhet axhenda e Komisionerit për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, në Tiranë, në një përpjekje të fundit për të mundësuar një rrugëzgjidhje për miratimin në parlament të tre reformave të përcaktuara nga Brukseli si kusht që vendi të marrë statusin kandidat. Komisioneri Stefan Fyle do të bëjë një përpjekje personale për të çuar drejt kompromisit shumicën dhe opozitën në Shqipëri, në mënyrë që vendi të ketë një shans për të marrë statusin kandidat, Qershorin e ardhshëm. Takimet e para të ditës së sotme, Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Stefan Fyle, do ti ketë me Ambasadorin e BE-së Ettore Sequi dhe Ambasadorin e OSBE-së, Eugen Vvollfarth. Komisioneri,Stefan Fyle, mbërriti dje në mbrëmje në Tiranë, dhe sot në orën 10:45, do të zhvillojë një takim me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha, kurse në orën 12:05 pritet të takohet me kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama. Pas takimit me Berishën dhe Ramën, Stefan Fyle, do takohet me Presidentin Bujar Nishani. Vizita e tij këtë herë ka vetëm një objektiv, të mund të zgjidhë ngërçin që ka mbajtur të bllokuar avancimin e Shqipërisë në rrugën e integrimit Europian. Sipas Komisionerit Fyle, Shqipëria ka një shans për ta marrë statusin në Qershor, por brenda pranverës ajo duhet të miratojë tre reformat në mënyrë që komisioni t’i paraqesë rekomandimin e tij vendeve anëtare. Vizita në Tiranë e komisionerit Fyle nuk pritet të jetë një mision i lehtë. Nuk dihet nëse ai do t’ju paraqesë palëve një formulë kompromisi apo thjesht do të përpiqet që të ushtrojë trysni në emër të interesit që vendi të përparojë në rrugën e integrimit. Mes palëve politike shqiptare janë në lojë edhe llogaritë elektorale, të cilat e kanë rritur më tej tensionin e brendshëm.