Zannier-Meta: OSBE mbështet realizimin me sukses të reformës territoriale

410
Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) z. Lamberto Zannier.
Z. Meta dhe z. Zannier vlerësuan cilësinë e bashkëpunimit mes Kuvendit të Shqipërisë dhe OSBE-së si dhe aktivitetin e frytshëm të Prezencës së OSBE në Shqipëri duke vënë në dukje se kontributi i organizatës i shërben zhvillimeve demokrative e institucionale të vendit tonë. 
Z. Meta theksoi se Kuvendi e ka forcuar rolin e tij mbikqyrës ndaj zbatimit të legjislacionit përmes aktivitetit të komisioneve të ndryshme parlamentare, monitorimit të aktivitetit vjetor të institucioneve shtetërore e të pavarura, rezolutave të ndryshme që kalojnë në Kuvend, raporteve vjetore dhe të veçanta që përgatiten dhe përmes ngritjes së komisioneve të ndryshme hetimore. Në këtë kuadër u vlerësua asistenca e OSBE-së në mbështetje të aktivitetit parlamentar. 
Duke biseduar mbi zgjedhjet e pushtetit vendor në Shqipëri, z. Meta nënvizoi se maxhoranca ka vullnetin maksimal për aplikimin e standardeve të zgjedhjeve në nivelin më të lartë bashkëkohor dhe në këtë drejtim mirëpritet roli i misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR nën drejtimin e Ambasadores Audrey Glover. 
Z. Zannier shprehu mbështetjen e OSBE për realizimin me sukses të reformës territoriale.
Po kështu z. Zannier vlerësoi realizimin e barazisë së plotë gjinore në listat e këshillit bashkiake si dhe numrin në rritje të kandidateve për kryetare bashkish
Në përfundim, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta dhe Sekretari i Përgjithshëm i OSBE z. Lamberto Zannier diskutuan mbi zhvillimet në rajon, ku u vlerësua roli konstruktiv i Shqipërisë si dhe prezenca e OSBE në rajonin tonë, në shërbim të paqes, forcimit institucional dhe stabilitetit të vendeve tona fqinje. Z. Meta theksoi se Shqipëria dëshiron që edhe Kosova të jetë pjesëmarrëse në OSBE ku përfaqësuesit e saj të kenë mundësinë të shprehen për zhvillimet rajonale dhe veçanërisht për ato çështje që prekin vetë Kosovën. 
Sigal