Xhevat Mustafa: MiniShengeni Ballkanik një përrallë e moçme dhe e risajuar…

302
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Në kushtet kur Serbia nuk jep asnjë shenjë për njohjen e pavarësisë e të shtetit të Kosovës, qeveritë e Kosovës nuk kanë përse të përfshihen në këtë gjasme nismë rajonale apo në këtë lojë mes tre “skuadra lagjesh të një kryeqyteti”! Bile, Rama, duhet ta shtronte si kërkesë të panegociueshme njohjen e Kosovës nga Serbia, për të marrë pjesë edhe ai në këtë takim: takim, sa për propogandë e histori!

Sipas gjykimit tim, kjo nismë është më shumë personale, individuale dhe ndërqeveritare, mes Vuçiçit, Zaevit dhe Ramës. Është edhe si një formë kundërvënieje ndaj BE- së, që nuk po i hap negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë dhe po tregohet arrogante ndaj Serbisë, për shkak të vasalitetit të pafshehur të saj ndaj Rusisë.

Edhe në shousamitin e Shkupit më 28-29 korrik 2021 u prrallis se nga jetësimi i Minishengenit Ballkani do të ketë boom në të gjitha drejtimet, por sidomos për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe të mallrave, pra, në tregti e turizëm. Nga ato që deklaruan me ekstazë Vuçiç, Rama e Zaev, lihej të kuptohej se ata po pillnin një krijesë të re. Në të vërtetë, kjo nuk është një nismë e sinqertë, pa prapamendime apo pa prapaskena, të moçme apo të reja! As nuk po realizohet në shkretëtirë, por, në një terren dhe periudhë kohore rreth 30 vjeçare, në kuadër të marrëdhënieve dy palëshe dhe shumëpalëshe, nga nismat e më të hershme të bashkëpunimit rajonal. Në të vërtetë, në planin kohor, historik, lëvizja e lirë e njerëzve dhe e mallrave ka ekzistuar mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë, në këta 30 vjet! Mund të kthehemi pak në kohë e të kujtojmë Fondacionin Friedrich Ebert, që punon në të gjitha vendet e Ballkanit që nga vitet ’90.Po kështu, një nismë më e gjërë rajonale është Iniciativa e Bashkëpunimit të Evropës Jug-Lindore (Southeast European Cooperative Initiative – SECI), propozuar në 1995 dhe përpunuar më tej në vitin 1996, me një ide fillestare aplikimin e një modeli të tipit të Planit Marshall (1947), që ndihmoi në rindërtimin e Evropës së pas Luftës. Në vitin 2009, u krijua dhe Këshilli i Kooperimit Rajonal (Regional Cooperation Council -RCC), me objektiv paqen, demokratizimin dhe fuqizimin ekonomik. Vende anëtare janë: Bosnja,Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Jugosllavia (Serbia & Mali i Zi), Kroacia, Hungaria, Maqedonia, Moldavia, Rumania, Shqipëria, Sllovenia, Turqia.                                                                                                                      Këtyre iu shtua, nën kujdesin e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Marrëveshja për Ndryshimin dhe Pranimin në Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qëndrore (CEFTA), e cila u nënshkrua nga ministrat përgjegjës për tregtinë në Bukuresht më 19 dhjetor 2006.

Kjo Marrëveshje ka zëvendësuar të gjitha marrëveshjet dypalëshe të aplikuara më parë në rajon. Marrëveshja hyri në fuqi më 26 korrik 2007 për pesë palë – Shqipëri, Maqedoni, Moldavi, Mal të Zi dhe UNMIK / Kosovë, ndërsa në gjysmën e dytë të vitit 2007 për Kroacinë, Serbinë dhe për Bosnje dhe Hercegovinën. Kështu, zbatimi i plotë i CEFTA-s 2006 filloi në fund të vitit 2007. Duhet pranuar se Marrëveshja CEFTA 2006 nuk kishte ndikimin e pritshëm pozitiv në zhvillimin e ekonomisë në Shqipëri, Kosovë dhe për vendet e tjera.

Profesori Franz-Lothar Altmann, një nga ekspertët më të mirë gjermanë dhe europianë për çështjet e Ballkanit, në një intervistë me gazetën serbe DANAS, botuar edhe në një të përditshme, më 29 korrik, deklaron se “Mini Shengeni” nuk ka lidhje me “Procesin e Berlinit”! Në vijim ai shtron pyetjen:“Përse në vend të Mini Shengenit të mos punohet për Tregun e Përbashkët Rajonal nën ombrellën e Procesit të Berlinit, gjë për të cilën është arritur të bihet dakord në vitin 2020? Tregu i Përbashkët Rajonal nënkupton realizimin e qëllimeve të njejta si edhe mini Shengeni, por në të janë të përfshirë edhe shtete anëtare të BE, gjë që do të sillte vendosjen e një zone të gjerë ekonomike mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor, me lidhje ekonomike të ngjashme me ato që ka BE me Islandën dhe Norvegjinë…”

Pas këtij vështrimi historik, rikthehemi tek gjasmesamiti i Shkupit 28-29 korrik 2021, me një zhurmnajë demagogjike dhe besdisëse jo vetëm për qytetarët e Shkupit ato dy ditë. Për të kuptuar kotësinë dhe dozën e lartë të manipulimit të këtij minisamiti ndihmon apo shpreh shumë edhe gjendja aktuale e raporteve Shqipëri-Serbi. Prej shumë vitesh Shqipëria ushqehet me grurë, miell, mish, elb, tërshërë, sallamra, djathëra, biskota e ushqime të tjera serbe, shpesh të skaduara apo siç thonë vetë serbët, “prodhime për shqiptarë”!!!??? Në plazhet e Shqipërisë, edhe këtë verë, serbët janë me shumicë e nuk i shqetëson kush. Eksport- importet e naftës dhe mineraleve të tjera, kanë njohur rritje këto vitet e fundit. Prandaj, kësaj i thonë që një pune apo kukulle të vjetër t’i vësh një emër të ri. MiniShengeni Ballkanik ngado anë ta vështrosh dhe analizosh, i shërben vetëm ëndrrës, idesë, përrallës së Serbisë së madhe dhe ëndrrës së lashtë të daljes së Serbisë në Detin Adriatik, në Portin e Durrësit…! Ky është vetëm një shou Vuçiç- Rama- Zaev, me “regji” të Xhorxh Soros dhe “asistent” të birin, Aleks, mik personal edhe me Edi Ramën dhe Erion Veliajn! Disa shqiptarë, me nivel të ulët formimi arsimor dhe historik dhe me bindje apo prirje të majtë, kapen tek degëza, nga është kacavjerë edhe Edi Rama, të gjithë viktima të vesit të PKSH-PPSH-PSSH-Rilindjes për t’ua lënë kopilin e vet në derë të tjerëve. Fjala është për justifikimin se edhe pritja e gjatë, me fund akoma të largët, pas derës së BE është e papranueshme. Sipas tyre, të paktën me Shqipërinë, BE po tregohet mjaft e ngurtë, e ftohtë, jodashamirëse. Nënteksti i kësaj kritike jo të saktë e jo të drejtë ndaj BE-së është që ajo të mbyllë jo një sy, por të dy para mospërmbushjes së kushteve dhe të standarteve nga qeveria Rama, për rreth 8 vjet. Këta predikues të mëshirës dhe symbylljes nga BE për Shqipërinë më shumë nuk duan të kujtojnë se sa nuk dinë se edhe krahasuar me standartet mesatare të BE-së, ne jemi për nga treguesit e zhvillimit ekonomiko-social, të pagave dhe pensioneve, të mirëqenies, të funksionalitetit të demokracisë dhe të shtetit ligjor në gjendje mjerane apo afrikane, bile edhe shumë larg standarteve minimale të saj. Mjafton të kujtojmë se prej më shumë se dy vjet parlamenti ishte pa opozitë të vërtetë, ndërsa nga 30 qershori 2019, PS-Rilindja qeveris e vetme në pushtetin lokal, çka nuk ndodh në asnjë nga 27 vendet e BE. Gjithashtu, këta justifikues dhe mbështetës të flaktë apo të pakushte të këtij gjasme samiti dhe të tre “muskotierëve” të tij, Vuçiç, Rama, Zaev nuk duan të kujtojnë dhe marrin parasysh as faktin se pasi u dogj nga symbyllja apo lëshimet ndaj Bullgarisë dhe Rumanisë, BE ka nxjerrë mësime, të mos i pranojë më ata vende që nuk e meritojnë, që nuk kanë përmbushur një për një të gjitha kushtet, kriteret apo standartet e vendosura e të miratuara nga Brukseli! Pra, shprehur fare troç apo shqip, na e ka fajin koka e jo bota ( BE)!!! Përse Rama-qeveria nuk angazhohet seriozisht dhe maksimalisht për të plotësuar kërkesat dhe kushtet e BE-së? Më me shumë gjasa, sepse i mungon dëshira dhe vullneti dhe jo se nuk ekzistojnë mundësitë apo kapacitetet. Në të kundërt me atë që duhet të bëjë, Rama, zgjedh alternativën më të keqe; kundërvënien ndaj BE-së me deklarata nga Tirana, Novi Sadi, Beogradi, Ankaraja, Athina, Shkupi, Ohri, Prespa…dhe së fundi, më 29 korrik, me farsësamitin së bashku me Vuçiç dhe Zaev. Në mënyrë figurative apo me humor të hidhur, si piktor dhe ish basketbollist, Rama nuk i ka bërë mirë e hollë llogaritë. Sikur të ishte ekonomist elitar, si jo pak që gjenden edhe në partinë e tij, Rama nuk do ta kishte të vështirë të kuptonte se pas 8 takimeve për “foshnjen laboratorike” me emërtimin “Minishengeni Ballkanik”, Vuçiç do të ishte fituesi më i madh, Zaev i dyti, ndërsa ai vetë dhe vendi, që përfaqëson, do të ishte humbësi i vetëm. Neve shqiptarëve, pra, Shqipërisë e Kosovës, do të na hidhen vetëm disa kocka, sa për t’u qetësuar dhe mashtruar, duke i lëpirë, ashtu siç bëmë më 1945-1948, në kohën e “dashurisë” Enver –Tito dhe të prag-gremisjes së Shqipërisë në “kraharorin”e ish Jugosllavisë, si republikë e shtatë e saj! Apo, edhe e tetë, nëse do ta bënte këtë akt vetëvraës shtetëror Gjergj Dimitrovi i Bullgarisë para Enverit të Shqipërisë.

Disa shqiptarë, në Prishtinë, Tiranë, diasporë, shumica me doza të qarta majtizmi dhe servilizmi ndaj Sorosit dhe Amerikës sorosiane, guxuan ta “këshillonin” Albin Kurtin dhe qeverinë e Kosovës, që të mos i shmangej këtij formalsamiti dhe përgjithësisht nismave rajonale. Natyrisht, asnjera nga qeveritë e Kosovës në këta 22 vjet nuk ka menduar dhe jo më punuar për izolimin e Kosovës në hartën e saj të pakët e vetëm në shkëmbimet tregtare me Shqipërinë apo edhe me Serbinë dhe Maqedoninë. Në të kundërtën , shifrat, me një rënie gjatë periudhës së pandemisë, kanë pasur rritje të vazhdueshme.

Por, të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një defiçit tregtar të lartë. Eksporti mbulon importin me14.5%. Kjo do të thotë se eksporti është rreth 7 herë më i ulët se importi.

Përveç këtyre shifrave që tregojnë defiçit të lartë mes importeve dhe eksporteve të Kosovës, sidomos me Serbinë, Kosova nuk ka pse të aderojë në Minishengenin Ballkanik, ose shqip fare, në këtë sajesë proserbe, për deri sa Serbia nuk njeh pavarësinë, integritetin dhe shtetin e Kosovës!

Në kushtet kur Serbia nuk jep asnjë shenjë për njohjen e pavarësisë e të shtetit të Kosovës, qeveritë e Kosovës nuk kanë përse të përfshihen në këtë gjasme nismë rajonale apo në këtë lojë mes tre “skuadra lagjesh të një kryeqyteti”! Bile, Rama, duhet ta shtronte si kërkesë të panegociueshme njohjen e Kosovës nga Serbia, për të marrë pjesë edhe ai në këtë takim për takim, sa për propogandë e histori! Edhe Kosova duhet ta paraqesë si kusht pjesëmarrjen e saj në këtë nismë me njohjen pa kushte të sajuara nga Serbia! Me shumë gjasa, Vuçiç nuk do të pranonte as flamurin shtetëror të Kosovës në sfond ose mbi tavolinën e bisedimeve dhe do ta trajtonte Albin Kurtin si “mysafir të padëshiruar”.