Akademik Artan Fuga: Nën efektin e pasioneve politike, mos ngatërrojmë konceptet gjeopolitike!

341
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Le të mos i bëjmë çorap konceptet gjeopolitike nën furinë e pasioneve, frikërave, inateve, paaftësisë politiko-organizative, a ku dreqin di unë të kujt motivi!

Tjetër është” minishengeni ballkanik” tjetër një “Ballkan i hapur”. Që vende të Ballkanit të ndërtojnë “shengen” apo “minishengen”, apo “maksishengen”, kjo nuk do të përfshinte vetëm tregtinë e lirë, lëvizjet e lira, bashkëpunime, etj. Por “shengen” do të thotë edhe parlament i përbashkët, një komision i përbashkët si qeveri mbinacionale, një gjykatë mbinacionale, një bankë e përbashkët, një monedhë e përbashkët dhe shumë të tjera.

Këtë Evropa nga bashkëpunimet e para e arriti vetëm pas gjysëm shekulli, nuk e filloi andej. Prandaj një minishengen në Ballkan sot është një utopi e bukur!

Kurse një “Ballkan i hapur”, pse jo, ne jemi futur në logjikën e një Europe të hapur, pse jo Ballkan i hapur, pse jo Alpe të hapura, pse jo det i hapur me Italinë, ta zemë?

Ballkan i hapur brenda vetes, por Ballkan i hapur dhe me territoret dhe njësitë politiko-administrative jashtë Ballkanit. Jo hapje nga brenda dhe izolin nga jashtë!

Kush trembet n ga një i tillë “Ballkan i hapur”, nga brenda dhe nga jashtë? ? Ne qytetarët aspak. Ne kemi mbi kurriz këta monopolistët që duke mbajtur kufijtë tregtarë gjoja të mbyllur, na marrin frymën, nga fitime monopoliste, na detyrojnë të konsumojmë produktet e tyre bajate, nuk lejojnë konkurrencën, na kanë cuar drejt një modeli ekonomik arkaik. Kombi duhet të mësohet të konkurrojë jo të mbyllet në kështjellën e paditurisë, moskonkurrencës, e tregjeve të mbyllura, sepse vdes, na duhet shkenca e hapur, mësimdhënia e hapur, arsimi i hapur, dija e hapur, mendja e hapur, kultura e hapur, jo me Ballkanin vetëm, jo me Evropën vetëm, me gjithë botën po deshët edhe me Antarktidën, me Marsin, Neptunin. Këta monopolistët hiqen si patriotë për të pasur pasuritë e vendit nën kontroll ekskluziv. E jo, kështu nuk ka, sepse na marrin shpirtin neve qytetarëve në bashkëpunim me një qeverisje autokratike që përzjen mbylljen e kufijve, me kapjen e ekonomisë, me politika preferenciale për tipa që nga breberë bëhet menaxherë kompanish miliona dollarëshe.

Po, po hapje, totale!

Në emër të demokracisë, lirisë, tregut, garës me popujt e tjerë sigurisht na duhet një botë e hapur.

Prandaj t’i dallojmë mirë dy konceptet gjeopolitike.

Sepse nga ana tjetër nuk kemi ish Jugosllavi sikurse na trembin. Nëse do të shkriheshim si federatë me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut, nuk do të ishte ishte më ish Jugosllavia, por shumë keq, sepse mungojnë Kroacia dhe Sllovenia, Mali i Zi, veç të tjerash. Të ishin ato ku ma gjen por kështu është vetëm pjesa më agrare, më e prapambetur, më rurale, më nacionaliste e ish Jugosllavisë që brenda kishte dikur perla si Kroacia, Mali i Zi, Sllovenia.

Prandaj, larg dogmave, me koncepte të qarta, jo bllokime nacionaliste, por ruajtje e interesave kombëtare, por në një botë të hapur, në Europë të hapur, në Ballkan të hapur, në Antarktidë të hapur po deshët!

Kush trembet nga hapja sepse është i paaftë të konkurojë dhe do qofte ke daja, le të pijë raki, me meze bari, të fusi komët në legen dhe të kënojë : Lale du fustan, t’a ble lala n’Elbasan!