Subashi vonoi procedurat duke krijuar krizë për pastrimin në Fier i nxiur për llogari të Zotos?

212
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Ndotja mjedisore që u shkaktua nga djegia e plehrave në Fier ka dyshime se u krijua për përfitime të kompanisë koncesionare të Klodian Zoto për të marrë lejen mjedisore për përpunimin e të gjithë llojeve të mbetjeve, përfshirë edhe ato të rrezikshme jo radioaktive. Bashkia Fier ka shpallur dhe ka anuluar disa herë tenderat për pastrimin e qytetit si dhe për mjetet e transportit të mbetjeve duke vonuar problemin e menaxhimin e të mbetjeve. Zjarri dhe tymi i plehrave që asfiksoi Fierin për rreth një javë është vetëm pjesa e dukshme e asaj që shihet si një aferë e pastër shtetërore, të lidhur me landfillin e Klodian Zotos dhe përplasjet e interesave ekonomike multi-milionëshe për menaxhimin e mbeturinave. Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi, u shfaq të dielën në fushën e mbetjeve të Mbrostarit, për herë të dytë brenda kësaj jave, nga ku shpërndau lajmin se zjarri dhe tymi tashmë ishin fashitur. Ai tha se, duke filluar nga kjo e hënë, mbeturinat e Fierit do të depozitohen në landfillin e kompanisë koncensionare ‘Integrated Technology Treatmen Waste’, e zotëruar në shumicë nga Klodian Zoto.

“Armando Subashi, duke shfrytëzuar Këshillin Bashkiak me një ngjyrë politike, vendosi anulimin e procedurës për shërbimin e pastrimit. Në njoftimin zyrtar për këtë anulim, nuk jepen arsyet, ndërkohë që duket mision i pamundur transparenca nga Këshilli Bashkiak i qytetit.”

Në Shtator të vitit 2020, Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit i refuzuan shoqërisë koncensionare të Klodian Zotos shtesën në leje mjedisore për përpunimin e mbetjeve të rrezikshme jo-radioaktive, për shkak se nuk plotësonte kushtet dhe kriteret e nevojshme. Çështja është ende në shqyrtim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë në Tiranë dhe ende nuk ka marrë zgjidhje. Vonesa e kompanisë koncensionare duhet të mbulohej me diçka tjetër. Dhe, këtu duket se hyn në rolin e tij kryebashkiaku Armando Subashi. Gjatë vitit 2021, ai ka zhvilluar katër procedura tenderuese, të cilat lidhen me menaxhimin e mbetjeve dhe të gjitha i ka anuluar.

“Vonesat në këtë procedurë të ndjekur nga Bashkia, ashtu si edhe në ato të kapanonit dhe mjeteve të transportit dhe shërbimit të pastrimit, i vijnë në ndihmë kompanisë koncensionare të Zotos.”

 

Në Mars 2021, Bashkia e Fierit shpalli fituesin e tenderit për ndërtimin e një pike transferimi të mbetjeve. Ky kapanon do të shërbente si qendër pritëse dhe ndarëse e mbetjeve, para se të dërgohen në landfillin e Klodian Zotos. Po ashtu, në Mars 2021, Bashkia e Fierit shpall, tenderin për shërbimin e pastrimit të qytetit, me fond limit rreth 2 milionë euro bashkë me TVSH. Në 15 Korrik 2021, Subashi publikon njoftim paraprak të fituesit, i cili është ‘Kombi Invest’, një kompani me seli në Fier, e njohur për garancitë që ofroi në rehabilitimin me anën e punësimit të Sardian Sulejmanit, një të dënuari si anëtar i bandës kriminale të Durrësit. Rezultatet e këtij tenderi përkuan me deklarimet publike të deputetit Petro Koçi, i cili ngriti dyshime publike mbi mënyrën se si shpërndahen fondet publike në Fier. Në këtë situatë, Armando Subashi, duke shfrytëzuar Këshillin Bashkiak me një ngjyrë politike, vendosi anulimin e procedurës për shërbimin e pastrimit. Në njoftimin zyrtar për këtë anulim, nuk jepen arsyet, ndërkohë që duket mision i pamundur transparenca nga Këshilli Bashkiak i qytetit. Në faqen zyrtare të tij, nuk jepet asnjë e dhënë për vendimet. Vonesat në këtë procedurë të ndjekur nga Bashkia, ashtu si edhe në ato të kapanonit dhe mjeteve të transportit dhe shërbimit të pastrimit, i vijnë në ndihmë kompanisë koncensionare të Zotos. Kjo e fundit shpreson të fitojë në gjykatë lejen e nevojshme për përpunimin e të gjitha llojeve të mbetjeve urbane, përfshirë ato të plehrave të rrezikshme jo-radioaktive dhe në këtë mënyrë të nisë punën që duhet ta kishte filluar që në dhjetor 2019.