Vrasja e policit/ Presidentja e Kosovës kërkon sanksionimin e Serbisë

50
Sigal

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri më 24 shtator.

Osmani tha se “veprimet terroriste dhe akti i agresionit” janë të orkestruara dhe të mbështetura nga Beogradi.

“Veprimet e tilla përbëjnë cenim të sovranitetit dhe integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe për këto veprime duhet sanksionuar Serbinë”, tha Osmani sipas një njoftimi për media.

Presidentja e Kosovës po ashtu tha se veprimet e Policisë në veri janë legjitime dhe janë në kuadër të “realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.

Sarrazin është takuar sot edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, një ditë pas ngjarjeve në veri.
Kurti e ka informuar atë për veprimet që po merr Kosova pas ngjarjeve të së dielës.

“Emisari Sarrazin shprehu ngushëllimet e tij për familjen e të ndjerit dhe popullin e Kosovës, e dënoi sulmin e djeshëm duke e cilësuar atë si kriminal dhe terrorist mbi Policinë e Kosovës, dhe dha mbështetjen e Gjermanisë ndaj Kosovës”, u tha në njoftimin e zyrës së Kurtit.

Në orët e hershme të së dielës, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup i personave të maskuar dhe armatosur, pasi autoritetet e rendit tentuan të largonin barrikadat e vendosura në Banjskë të Zveçanit.
Si pasojë e përleshjeve, zyrtari policor, Afrim Bunjaku, u vra dhe disa të tjerë u plagosën.

Grupi i armatosur më pas u strehua në manastirin e Banjskës prej nga u përlesh me Policinë e Kosovës.
Autoritetet thanë se tre sulmues u vranë, ndërkaq më 25 shtator u raportua se është gjetur trupi i pajetë edhe një sulmuesi tjetër të dyshuar. Ndërkaq, gjashtë persona, që dyshohet se janë të lidhur me grupin e armatosur, janë arrestuar.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se personat e armatosur ishin serbë lokalë të Kosovës, “të cilët nuk mund të vuanin më terrorin e Kurtit”.

Vuçiq e dënoi vrasjen e policit të Kosovës, duke thënë se ajo “nuk mund të justifikohet”, por mohoi se Beogradi kishte ndonjë lidhje me sulmin./ REL/