Vizitë zyrtare në Maltë, presidenti Nishani dekorohet nga Princi Festing

438
Sigal

Presidenti i Republikës, Bujar
Nishani, me ftesë të Princit dhe Mjeshtrit të Madh, Lartësisë së Tij Më të
Shquar, Fra’ Matthew Festing zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Urdhrin Sovran
të Maltës. Pas ceremonive të mirëseardhjes dhe interpretimit të himneve të
Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, Presidenti Nishani dhe Mjeshtri i Madh
zhvilluan një takim të ngushtë e më pas, kryesuan takimin e zgjeruar mes dy
delegacioneve.

Presidenti i
Republikës shprehu falënderimet për ftesën për të vizituar Urdhrin Sovran të
Maltës, si dhe mirënjohjen e thellë të Shqipërisë e shqiptarëve për të gjithë
ndihmën dhe mbështetjen që Urdhri Sovran i Maltës, vullnetarët e tij dhe në
veçanti Malteser Albania që operon në Shkodër, kanë dhënë në ndihmë të
individëve, familjeve apo grupeve shoqërore në nevojë, kryesisht në zonat e
varfra e të thella të veriut të vendit, që për një kohë të gjatë kanë qenë
jashtë vëmendjes njerëzore dhe shtetërore.

Kreu i Shtetit
vlerësoi nivelin shumë të mirë të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Urdhrit
Sovran të Maltës, duke theksuar se në themel të këtij bashkëpunimi qëndron
vullneti e dëshira e përbashkët, miqësia e shqiptarëve për Urdhrin Sovran të
Maltës, si dhe vlerat e virtytet e solidaritetit për njerëzit në nevojë.
“Ndihma në fushat e shëndetësisë, arsimit dhe ndihmës sociale, por edhe në
përballimin e emergjencave civile, si dhe kontributi në përballimin e fluksit
të refugjatëve nga Kosova në vitin 1999, nuk do të harrohet kurrë nga
shqiptarët dhe do të jetë një themel i fortë e i qëndrueshëm i miqësisë mes
tyre dhe Urdhrit Sovran të Maltës”, – u shpreh Presidenti i Republikës.

Presidenti
Nishani vlerësoi gjithashtu pasurimin e kuadrit ligjor mes Shqipërisë dhe
Urdhrit Sovran të Maltës, përmes nënshkrimit dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes
kuadër të Bashkëpunimit, e cila shumë shpejt do t’u hapë rrugën marrëveshjeve
të tjera më specifike.

Të dy
bashkëbiseduesit u ndalën edhe në domosdoshmërinë e nxitjes së institucioneve
respektive për të përcaktuar hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit mes Republikës
së Shqipërisë dhe Urdhrit Sovran të Maltës, si dhe në zhvillimet më të fundit
me krizën e refugjatëve nga Siria dhe Iraku, duke theksuar nevojën e
solidaritetit me njerëzit në nevojë, por edhe rritjen e vigjilencës për
moslejimit e keqpërdorimit të këtij solidariteti nga elementët dhe grupet terroriste.

Në fund të
vizitës zyrtare, Presidenti Nishani u dekorua nga Princi dhe Mjeshtri i Madh i
Urdhrit Sovran të Maltës, Lartësia e Tij Më e Shquar, Fra’ Matthew Festing, me
dekoratën më të lartë të Urdhrit: “Collare pro Merito Melitensi” për kontributin
e dhënë në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve mes Urdhrit Sovran të Maltës
dhe Republikës së Shqipërisë.

Duke
falënderuar për këtë dekoratë, Presidenti i Republikës u shpreh ndër të tjera
se: “Personalisht ndihem shumë i nderuar dhe i privilegjuar, por njëkohësish e
konsideroj këtë dekorim si një nder që u bëhet të gjithë bashkëqytetarëve të mi
dhe si një vlerësim për nivelin e shkëlqyer të marrëdhënieve mes Shqipërisë e
shqiptarëve me Urdhrin Sovran të Maltës”.