Vili Minarolli: Miq të mi, shpëtoni pluralizmin në Shqipëri! 

397
Sigal

Vili Minarolli, Ish -Deputet i PDSH

 Deputeti është përfaqësues i elektoratit që e ka votuar dhe jo përfaqësues i kryetarit që e ka caktuar në listë. Kryetari e caktoi sepse kishte bindjen se ai fitonte vota më shumë se një tjetër dhe këtu e kam fjalën për kontribuesit e PD. Ata votohen si të tillë dhe disa emra pa asnjë kontribut si sejmenë të kryetarit, ai i ve në vende fituese të listës. Nuk e kam fjalën për këta që ashtu do të mbeten.

Por më vjen keq për ata deputetë, miq të mi me vlera dhe kontribute shumëvjeçare dhe në ditët e vështira të forcës tonë politike, që të mos jenë pranë zgjedhësve në këto ditë kur është vënë në pikëpyetje fati i PD.  Turp e faqja e zezë! Është turp për atë që nuk i njeh demokratët e palëkundur ndër vite dhe që i etiketon me fjalën “llum”. Ta them unë zotëri, që i njoh personalisht, ashtu të flaktë dhe të përbetuar për liri dhe demokraci se ata janë dhe kanë qenë ajka e PD. Dhe këtë e dinë mirë këta miqtë e mij, drejtues të vjetër të PD, se cilët janë ata, po nuk ju shpëton nga turpi ulja e kokës dhe servilizmi që nuk ka qenë pjesë e karakterit tuaj. Ju e dini se duke mos qenë pranë zgjedhësve tuaj, i humbisni ata dhe, nga përfaqësues të tyre në Kuvend, ktheheni thjesht në rrogëtarë dhe viheni në rrjesht si dele të bindura duke pritur t’ju thotë T. Balla apo dikush tjetër: “Hajdeni të ndryshojmë Kushtetutën se kemi disa hesape që nuk na dalin”. Dhe pas kësaj ju shikoni kryetarin si dashin e kopesë, por atij ia kanë vënë hanxharin në kokë dhe shkon atje ku e kanë urdhëruar të shkojë. Miq, se kështu do të vazhdoj t’ju quaj se me vite i kemi vënë gjoksin PD , shkoni tek zgjedhësit tuaj, se pa ata jeni si peshku pa ujë, dhe nëqoftëse nuk jeni dakort me ato që thuhen në foltore, thuajeni mendimin tuaj. Mos keni frikë se do ju thonë ndonjë fjalë, do jeni më të nderuar. Ose shkoni dhe takojini vetë dhe dëgjojini çdo ju thonë për veprimin prej njeriu në borxh të kryetarit tuaj, pa pyetur normat që duhet t’i respektojnë të gjithë.

Keni frikë se do ju quajnë antiamerikanë? Po e përsëris: jo vetëm demokratët dhe njerëzit e ndershëm të këtij vendi, por tani i gjithë populli shqiptar është deri në vdekje PROAMERIKAN.Po të mos ishim të tillë, ambasadorja nuk do të shëtiste si turiste në mbarë vendin. Popuj të tillë janë ata që i presin me protesta të dhunshme Presidentët amerikanë, apo siç ndodhi me një kolegun tim që i goditën zyrën me antitank.Meqenëse ra fjala, ambasadori është përfaqësues e shtetit nga vjen dhe zbaton politikën e tij në marrëdhënie me shtetin pritës. Por jo çdo veprim apo fjalë që thotë, është pjesë e politikës të shtetit të tij apo të saj. Shumë veprime ambasadori i bën me inisiativë duke iu përmbajtur parimeve kryesore të politikës të shtetit. Në rastin e veprimeve me inisiativë, ambasadori i bën për të rritur performancën e tij personale, pra për karrierë. Unë jam i sigurtë që nuk është pjesë e politikës të shtetit amerikan kërcënimi i ambasadores që ata që nuk i bindeshin, do hanin bar dhe, do quheshin antiamerikanë.Sepse pati dhe një standard tjetër. Ambasadorja i mblodhi në rezidencën e saj përfaqësuesit politikë dhe nën diktatin e saj i detyroi të nënshkruanin një deklaratë të përbashkët. Pas kësaj njoftoi eprorët për zgjidhjen e një krize dhe mori përgëzimet e tyre. Por disa ditë më pas, Rama  ia grisi marrëveshjen në fytyrë dhe urdhëroi atë palo parlament të ndryshonte Kushtetutën. Ç’ndodhi me inisiatoren e deklaratës? Heshtje varri. Atë kohë asnjë nuk foli për antiamerikanizëm dhe bar, megjithësë ishtë pikërisht i tillë.Tani ajo kërcënon parlamentin që të ndryshojmë Kushtetutën për t’iu zgjatur mandati pesë  njerëzve të preferuar të saj.

Po, sa herë është ndryshuar Kushtetuta amerikane? ZERO!

Miq të mij, ruajeni dhe forcojeni PD si të vetmen forcë që përfaqëson pluralizmin e vërtetë dhe jo më atë falls pluralizmi që u përfaqësuam në legjislaturën që shkoi.