Kreu i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili ka reaguar pas deklaratës së ambasadorit Donald Lu, i cili denoncoi me emra tre nga ata të cilët ai i quan peshqit e mëdhenj. Duke iu referuar arrestimeve të qytetarëve të Kukësit pas protestës në Rrugën e Kombit, Vasili i kërkon ambasadorit Lu që të denoncojë me emra edhe “banditët qe rrëmbyen qytetarët e Kukësit në mes të natës dhe ata prokurorë, që nuk fillojnë hetimin mbi ta”. Deputeti Vasili shkruan: “Z. Lu denonco me emra banditët që arrestuan në mes të natës dhe prokurorët që i mbrojnë. Ambasadori Lu thotë në media “policia nuk ka të drejtë të kapë njerëzit, për arrestime masive, në mes të natës”. Z. Lu, banditët, që i kanë kryer këto arrestime të egra dhe të turpshme natën, kanë emra dhe mbiemra dhe janë nëpër zyra. Z. Lu, këta banditë kanë rikthyer turpërisht arrestimet e Sigurimit të Shtetit. Z. Lu, Prokurorinë e zgjedhur me 69 vota nuk e shqetëson fare, as denoncimi yt, ndaj kam thënë që Reforma në Drejtësi ka vdekur. Z. Lu, denoncoi me emra banditët që rrëmbyen qytetarët e Kukësit në mes të natës dhe ata prokurorë, që nuk fillojnë hetimin mbi ta. Z. Lu këtë presin shqiptarët nga ti, në mundesh…..bëje!




















