Vendimi për vulën/ Tre muaj pas vendimit të Gjykatës së Lartë e cila riktheu për rishqyrtim në Apel çështjen për vulën dhe logon e PD

20
Sigal

Publikohet vendimin e plotë dhe shkeljet e konstatuara në të cilin thuhet se “Alibeaj nuk është palë në proces dhe se ankimi i paraqitur dhe nënshkruar nga ai nuk duhet të ishte pranuar nga Gjykata Apelit Tiranë”

Rreth tre muaj më parë, Gjykata e Lartë riktheu për rishqyrtim në Apel çështjen për vulën dhe logon e PD. Por në mbrëmjen e së hënës mediat publikuan vendimin e plotë dhe shkeljet e konstatuara nga Gjykata e Lartë të zbardhur në të cilin thuhet se “Alibeaj nuk është palë në proces”. Gjykata Apelit në 3 mars 2023 vendosi rrëzimin e vendimit të Agron Zhukrit dhe kthimin e çështjes për shqyrtim në shkallë të parë. Sipas Gjykatës së Lartë, deputeti Enkelejd Alibeaj nuk është palë në këtë proces. “Ankuesi nuk legjitimohet të paraqesë ankim ndaj vendimit nr.3, datë 25.03.2021 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Ankimi i paraqitur dhe nënshkruar nga deputeti Enkelejd Alibeaj nuk duhet të ishte pranuar për shqyrtim, duke u vendosur “mospranimi i ankimit” sipas nenit 450 të KPC, për shkaqet e mëposhtme: Ankimi nuk përmbush kriteret e përcaktuara në mënyrë rigoroze në ligj. Personi që ka paraqitur ankimin nuk është palë në proces në kuptim të ligjit dhe as nuk është përfaqësues legjitim i ndonjë pale në procesin e shqyrtimit të kërkesës. Ligji procedural parashikon qartë se çfarë është ankimi dhe kush është pozita procedural, që duhet të ketë një palë për të ushtruar të drejtën e ankimit. Konkretisht në nenin 442/a të KPC, parashikohen qartësisht kriteret minimale për ushtrimin e të drejtës së ankimit. Në vendimin objekt ankimi palë kërkuese është vetëm Partia Demokratike e Shqipërisë, përfaqësuar nga Komisioni i Rithemelimit. Komisionit të Rithemelimit legjitimohet në kërkesën e paraqitur, pasi ai përfaqëson organin më të lartë drejtues të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe është mandatuar si i tillë nga Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike i datës 11.12.2021”, thuhet në vendim. Sipas vendimit, Alibeja nuk disponon dhe as i vë në dispozicion gjykatës ndonjë provë dokumentare nëse është “komanduar” si kryetar i partisë në përputhje me statutin e PDSH, pavarësisht faktit se ai është shkarkuar nga detyra nga Kuvendi Kombëtar i PDSH i datës 11/12/2021. Kolegji konstaton se, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë nuk i ka dhënë përgjigje kërkesave të palëve në ankimet respektive, ndërkohë që kryesisht ka marrë në shqyrtim çështje për të cilat palët nuk i kanë ngritur si pretendime në ankim, dhe që gjithsesi nuk përbëjnë shkak për prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim. Kolegji vlerëson gjithashtu se pretendimet e ngritura në ankimet e paraqitura pranë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë janë çështje të cilat mund të zgjidheshin vetë nga ajo gjykatë. Kolegji çmon të theksojë se vendimi i dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit, është rrjedhojë e moskuptimit dhe mosidentifikimit të qartë të natyrës së mosmarrëveshjes, ndërkohë që gjykimi i zhvilluar për shqyrtimin e saj, është rrjedhojë e moskryerjes së një hetimi të plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, si dhe interpretimit të gabuar të normave të ligjit procedural. Gjithashtu, Kolegji vlerëson se arsyetimi i vendimit nga Gjykata e Apelit nuk plotëson standardet e arsyetimit të një vendimi gjyqësor, të përcaktuara tashmë nga jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ).