Veliaj: “Po rindërtojmë banesat e dëmtuara. Kur Shqipëria kaloi tërmetin, opozita diskutonte për pushtetin; Shpërblim për zjarrfikësit”

427
Sigal

Mblidhet Këshilli Konsultativ i qeverisjes qendrore dhe vendore, miraton disa vendime

Të gjitha banesat, të cilat janë bërë të pabanueshme pas tërmetit të së shtunës do të rindërtohen, ndërsa të tjerat, me dëme më të vogla, do të dëmshpërblehen. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha sot në mbledhjen e Këshillit konsultativ të qeverisjes qendrore dhe vendore, se janë bërë gati të gjitha dosjet dhe menjëherë ka nisur puna për rindërtimin e banesave të dëmtuara.

“Në Bashkinë e Tiranës kemi çuar mbrëmë, në mes të natës, sipas afatit të lënë nga kryeministri, të gjithë inventarin e banesave të dëmtuara. Jam në dijeni që edhe bashkitë e tjera të prekura, nga Durrësi, Elbasani, Kavaja, dhe disa bashki të tjera më të vogla, kanë proceduar dhe kanë bërë edhe mbledhjet e Këshillit Bashkiak për të akorduar fondet e emergjencës. Besoj, në kohë rekord, do të disbursojmë aty ku dëmet janë minimale dhe do të rindërtojmë nga fillimi aty ku dëmet kanë qenë më të mëdha”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se kjo situatë është edhe një moment emancipimi, ndërsa kritikoi qëndrimin e mbajtur nga disa politikanë, të cilët në kohën kur vendi përballej me pasojat pas tërmetit, interesi i tyre ishte pushteti. “Po shikoja lajmet dje dhe dëgjova një bisedë në një hotel tjetër, ku nuk merreshin me halle konkrete, por disa parti po loznin, ‘ika unë nga tavolina, erdha unë në tavolinë’. Shqipëria kalon tërmetin dhe ata diskutojnë, ku është pushteti im, ku është mandati im, ku është posti im, ku është qeveria ime, ku është ministria ime dhe ti thua, s’ka mundësi, ne jemi dy popullsi të ndryshme!? S’ka mundësi që një pjesë të jetë në terren ose duke u mbledhur të marrë vendime si akti normativ që do kalojë kryeministri dhe Qeveria për lejet e ndërtimit të atyre që u prekën nga termëti; dhe ke një pjesë tjetër të Shqipërisë, që çohet e ulet nga tavolina, duke thënë: “Ku është pushteti im, ku është mandati im, ku janë ministritë e mia”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se vetëm në Tiranë janë 1200 banesa të dëmtuara. “Shumica janë të pjesshme, kryesisht banesa në zonat rurale, të vjetra, me shtesa. Për ata që me vite të tëra na janë bërë gangrenë kulla, kulla kulla, dilni në dritare dhe shihni që Plazza-s s’i ka rënë asnjë pllakë, Arenës Kombëtare nuk i ka rënë asnjë panel. Të gjitha ndërtimet, kryesisht pa leje, të improvizuara ose shtëpi të vjetra të kohës së komunizmit të bëra me punë vullnetare, me parafabrikate, shto kafaze e ballkone, çaje ballkonin e bëje dritare, çaje dritaren e bëje derë, dolën problematike dhe herët ose vonë do të duhet të përballemi me këtë papërgjegjshmëri”, tha ai.

Veliaj theksoi se do të jepet shpërblim për zjarrfikësit, të cilët kanë qëndruar në gatishmëri në tre ditët e tërmetit dhe shirave që pasuan. Ai shtoi se punonjësit e zjarrfikëses kanë qëndruar 72 orë pa gjumë për të qenë në gatishmëri për çdo emergjencë. “Kam parë njerëz 72 orë pa gjumë, duke procesuar sa takat mund të kishim deri në pikën e fundit të energjisë. Këta janë realisht heronj! Nuk i kemi përditë nëpër postera, por kur vjen dita e fatkeqësisë, pa ata njerëz nuk ia bëjmë dot. Dua ta përshëndes vendimin e kryeministrit dhe qeverisë për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë për punonjësit e shërbimit të mbrojtjes nga zjarri, sigurimin e jetës të punonjësve të sigurimit dhe shpëtimit, dhe ndihmën e menjëhershme financiare”, nënvizoi ai.

Në Këshillin Konsultativ të qeverisjes qendrore dhe vendore, Veliaj tha se bashkitë shqiptare duhet të shfrytëzojnë solidaritetin ndërkombëtar pas tërmetit për të bërë një inventar të nevojave që kanë. Veliaj tha se ky moment duhet shfrytëzuar për t’u pajisur me mjete për të mos qenë të papërgatitur në raste të tjera emergjencash.

Mandej, ai kërkoi edhe decentralizimin e lejeve mjedisore të bashkive. “Kolegia ime në Durrës, për një disko që bën zhurmë duhet të marrë ministrin. Qeveria nuk ka pse të japë leje mjedisore për furrën e bukës në katin e parë sepse ajo furra e bukës, që ka marrë leje mjedisore, i ka futur edhe një të prishur kollonës së pallatit dhe hajde kape kur të thotë kam leje mjedisore. Jam 100% dakord me kryeministrin për këto inspektoratet mjedisore që duhen shkrirë”, tha Veliaj, teksa shtoi se kjo situatë duhet të marrë fund njëherë e mirë.

“Nuk funksionon kjo histori, kjo rrumpallë duhet të marrë fund. Tani nuk kemi as alibi, se më parë thoshim e ka një aleat në ministri, çfarë t’i bëjmë, se ne e kemi qeverinë kështu, sepse na duhen votat. Po tani? Gjithë kryetarët e Bashkisë dhe qeverinë ne, dhe për një gjë që e do kryeministri, ministri, kryetarët e bashkive, kush është Shvejku që bllokon?”, deklaroi ai.

Këshilli Konsultativ diskutoi sot një sërë vendimesh të rëndësishme si ai për “Për dhënien e ndihmës së menjëhershme financare të punonjësit të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi, në rast të dëmtimit te rëndë të pronës, për shkak të detyrës”; projektvendimin “Një ndryshim në vendimin nr. 350, dt. 19.04.2017, të Këshillit të Ministrave, Për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të  punonjësve të shërbimit te mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimi”, si dhe projektvendimin “Për sigurimin e jetës së punonjësve të shërbimit të mbrojtjes nga zjarri dhe shpëtimin”.

Gjithashtu, u miratua dhe projektvendimi “Për miratimin e kritereve dhe procedurave të shpalljes se “Kurorës së gjelbër” dhe përcaktimin e rregullave dhe i përgjegjësive  në lidhje me administrimin, mbrojtjen dhe ruajtjen e kurorës”.