Tirana – Partizani, luhet “derbi”, numër 154

874
Sigal

Shifra, fakte dhe komente për ‘derbin’ në vite

Moisi Dalipi

Në prag të hedhjes të shortittë cdo kampionati të ri të futbollit të gjithë duan të shuajën kureshtjen e tyre se kur është caktuar radha që të luhet ndeshja e ‘derbit’ të kryeqytetit Tirana-Partizani ose Partizani –Tirana. Dhe ky kampionat, që është i 81-të për futbollin shqiptarë e ka ruajtur këtë ndeshje të veçantë në javën e gjashtë të tij. Kështu , ditën e diel , ora 16 .00 në stadiumin “Selman Stërmasi” të kryeqytetit tonë Tiranës, do luhet kryendeshja Tirana–Partizani ,ose e thënë më qartë një nga ndeshjet më klasike që ka futbolli shqiptarë. Shumë parashikime , shumë hipoteza dhe dëshira derdhen në prag të kësaj sfide që ka plotë 72 vite që ka lindur po aty në kryeqytetin tonë Tiranë. Dhe në ditën e kësaj ndeshje kryeqyteti “ndahet” më dysh për nga tifozeritë e të dyja skuadrave , por dhe nga dëshirat e shumta që bëhet për ta fituar ajo skuadër që do ketë dhe ecurinë në të ardhmen pozitive për fitimin e titullit kampion. Dhe kjo ndeshje e quajtur ‘derbi’ Tirana-Partizani ose Partizani-Tirana ka lindur në një kampionat jubilar atë të 10 – të, të futbollit shqiptar në atë ndeshje të javës tretë të tij, pikërisht më 30 mars të vitit 1947. Partizani kishte pak më shumë se një vit që ishte krijuar si klub futbolli ( më 6 shkurt 1946), kurse Tirana e pagëzuar vetëm disa muaj më parë (në fillim të 1947-s) me emërin e ri 17 “Nëntori” kishte arkivuar që nga krijimi saj në 1920 plot gjashtë tituj kampion dhe pikërisht; në vitet 1930, 1931, 1932, 1934,1936 dhe 1937. Dhe për koincidencë në drejtim dhe përbërje të ekipit të Ushtrisë, që nuk mund të dilte jashtë “traditës” të ish-vendeve komuniste, duke i vendosur emrin ‘Partizani’, do kishte ish-futbollist të Tiranës që më parë kishin shijuar titullin kampion me skuadrën e zemrës së tyre. Kështu trajneri parë i Partizanit do ishte Sllave Llambi, por bashkë të dhe gjashtë futbollistë tiranas të thekur si Bule Vathi, Xhevit Demneri, Besim Fagu, Zice Sakiqi, Theofil Baçi dhe Zyber Lisi. Dhe ajo ndeshje e 30 marsit 1947 është zhvilluar në stadiumin “Qemal Stafa” dhe ka përfunduar me rezultatin 2-4 në favor të Partizanit me golat e shënuar nga Bakalli 3`, 65`, Gjinali 43`, 48` për partizanasit dhe Emiri 51` dhe K. Janku 81 ` për badheblutë. Formacionet kanë qenë këto:

17 NËNTORI: Bonati, Kurani, Bulku, Arbana, Merja, C. Petrela, Shabani, Emiri, Borova, Hanxhari, K. Janku.Trj: Adem Karapici

PARTIZANI: Stërmasi, Vathi, Pelingu, Demneri, Fagu, Sakiqi, Tafmizi, Baçi, Gjinali, Lisi, Bakalli. Trj: Sllave Llambi.

Në fakt ishte një fitore e bukur në shifrat 4-2 për Partizanin që pas pesë muajve, më 31 gusht 1947 në po atë stadium në kuadrin e javës së 12-të të atij kampionati do fitonte bujshëm 8-0 ndaj Tiranës, me gola të shënuar: Zini Gjinali katër gola, Hamndi Bakalli tre gola, si dhe një autogol. Një fitore që vazhdon dhe sot të mbetet rekordi fitoreve më të thella të Partizanit në 153 përballjet e zhvilluara deri sot ndaj Tiranës. Kësisoj Partizani ka dalë në skenën e futbollit shqiptar pasi ka bërë Tiranën “viktimën “ e parë të rrugëtimit të tij sportiv ku bënin pjesë dhe gjashtë futbollistë shkodranë si Gjeloshin, Teperlijën. Kavajën,Bakallin, Lacjen dhe L. Hoxhën, me synimin për të fituar titullin kampion. Për këtë Partizan të pandalshëm, në emisionin e Radio Tiranës të emërtuar “Ora e Sportit” komentatori i njohur Anton Mazreku do të shprehej: “Partizani do jetë një nga kandidatet e forta për fitimin e titullit kampion, në kampionatet kombëtare të futbollit”. Dhe i madhi Anton Mazreku nuk gaboi në parashikimin e tij, sepse në harkun e 17 vjetëve 1947-1964, Partizani “sundon” në futbollin shqiptar duke fituar plot 10 herë titullin kampion kombëtar nga 16 që ka fituar gjithsej, Tirana që rreshtohej në vendet nga i treti tek i gjashti në këto kampionate të fituara nga Partizani vetëm në kampionatin e 1956-s me 0-0, atë të 1958 dy herë barazim me 2-2, në 1959 me 0-0, në atë të vitit 1960 po dy herë 2-2, në 1961 po 2-2 dhe kampionatin e 1963-1964 në barazimet 2-2 dhe 0-0 e ka ndalur përkohësisht serinë e fitoreve të përtizanasve. Dhe në këto 9 barazime të arritura ka pjesën e tij ish-futbollisti dhe trajneri tiranas Mylsym Alla që, i ardhur në drejtim tek Tirana për 16 vjet rresht 1956-1972 në kampionatin 1964 -1965 e rikthen ekipin kryeqytetas tek titulli kampion për të shtatën herë, edhe pse në dy ndeshjet me Partizanin e klasifikuar në vendin e dytë në atë kampionat i kishte humbur ndeshjet “derbi” me shifrat 2-0 dhe 0-1. Por me këtë trajner të pasionuar Tirana në vitet 1956 deri në 1972 në plot 32 ndeshjet e zhvilluara do ketë bilancin me 7 fitore, 13 barazime dhe 12 humbje me Partizanin. Diku ndërmjet këtyre shifrave në ndeshjet e fazës së parë të kampionatit të sezonin 1965-1966, skuadra e Tiranës gjen fitoren e saj të parë përballë Partizanit në shifrat 2-. Dhe rivaliteti ka vijuar i fortë, plot ritëm dhe grintë sportive, sa pak kush beson se për çdo përballje të çdo niveli qoftë ajo ka brenda saj enigmën e skuadrës fituese. Dhe brenda 72 viteve që ka lindur ky ‘derbi’ i kryeqytetit, duke hequr sezonet 2009 -2013, sepse Partizani atëherë ka rënë nga Kategoria Superiore dhe atë të sezoneve 2017-2018 kur Tirana përkohësisht kryen “stazhin” e Kategorisë Parë, të dyja këto skuadra kundërshtare janë ballafaquar plot 153 herë me njëra tjetrën dhe bilanci është ky:

Partizani ka fituar më 65 ndeshje, e fundit më 12 maj 2019, me rezultatin 2-1, me gola të shënuar Cinari dy herë dhe Greca për badheblutë, Tirana ka fituar në 40 ndeshje. Fitorja e fundit është, më 7 shkurt 2014, me rezultatin 1-0 me gol të shënuar nga Gilberto. Dhe në përballjet midis tyre janë dhe 48 brazime, i fundit më 1 mars 2019 me rezultatin 0-0. Në serinë e 48 barazimeve, në 29 ndeshje është fiksuar rezultati 2-2. Të gjitha ndeshjet kanë prodhuar plot 381 gola. Ku 215 janë të ngjyrosur me të kuqe për Partizanin dhe 166 për Tiranën. Në historinë e përballjeve të ndeshjeve ‘derbi’ golashënuesit më mirë janë si më poshtë: Për PARTIZANIN:

Refik Resmja me 14 gola,

Agim Murati me 11 gola,

Robert Jashari 9 gola,

Kolec Kraja 8 gola

Panajot Pano me 7 gola .

Për TIRANËN janë

Indrit Fortuzi me 11 gola,

Agustin Kola me 10 gola,

Arben Minga me 8 gola

Petrit Dibra me 7 gola.

Në bilancin e shifrave të ndeshjeve të ‘derbit’ qëndron dhe ajo fitore e 22 shtatorit 1985, në ndeshjen Partizani –Tirana, e quajtur ndryshe si “hakmarrja bardheblu” ku bardheblutë fitonin me rezultatin tenistik 3-7, me gola të shënuar për tiranasit nga Arben Minga-tre gola, Seit Ramadani shënonte dy gola dhe Agustin Kola dhe Shkëlqim Muça nga një gol, kurse për të kuqtë golat janë shënuar nga Kaçaçi, Ylli Shehu dhe Roland Agalliu. Por në bilancin e ndeshjeve ‘derbi’ janë dhe 28 ndeshjet midis tyre për Kupën e Shqipërisë, ku në 28 ndeshje Tirana ka fituar në 13 ndeshje, Partizani në 8 ndeshje dhe 7 ndeshje kanë përfunduar në barazim, me golavarazhin e përgjithshëm 28-25 për Tiranën. Gjithsesi, të dielën luhet ndeshja ‘derbi’ numër 154 midis Tiranës dhe Partizanit. Pozita aktuale e të dy skuadrave të lejon të thuash, se do jetë një ndeshje e bukur, me futboll plot rendiment, ku skuadrën fituese do ta tregojë vetëm fusha e lojës. Tirana që javën e kaluar humbi vendin e parë në klasifikim pas humbjes 2-1 me Kukësin, është pozicionuar në vendin e dytë në renditjen e pesë javëve kampionat me 10 pikë, duke regjistruar tre fitore, një barazim dhe një humbje, me 9 gola të shënuar dhe tre të pësuar. Partizani, kampioni në fuqi mban vendin e gjashtë në klasifikim me dy fitore, një barazim dhe dy humbje, me 3 gola të shënuar dhe po 3 të pësuar. Por përtej këtyre shifrave në këtë ndeshje ‘derbi’ Tirana –Partizani do jenë në fushën e lojës dhe plot 87 trofe të fituara nga të dyja skuadrat. Kështu Tirana në 52 trofetë e fituara, ka fituar 24 herë titullin kampion në Kategorinë Superiore dhe një herë kampion në Kategorinë e Parë. 16 herë Kupën e Shqipërisë dhe 11 herë fituese e Superkupës. Partizani ka 35 trofe të fituara me 16 tituj kampion në Kategorinë Superiore, një herë kampion në Kategorinë Dytë, 15 herë Kupën e Shqipërisë,dy herë fitues i Superkupës dhe një herë fitues i Kupës Ballkanike në vitin 1970. Kështu , pra kjo ndeshje do jetë dhe “panairi” i trofeve të fituara të këtyre të dy skuadrave nga më të mirat në historinë e futbollit shqiptar. Ndërkohë që tifozeritë e dyja skuadrave të pranishme në këtë sfidë të radhës i japin entuziazmin, motivimin dhe moralin një ndeshje të tillë, kur flitet për ndeshjen ‘derbi’ Tirana-Partizani.