“Unë, kandidati që do të përfaqësoj çamët”

515

INTERVISTA/ Flet për “Telegraf”, koordinatori i Qarkut të Durrësit për Partinë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Fatmir Voloti

Flet Fatmir Voloti, koordinator për Qarkun e Durrësit të Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, kryetar i grupit të këshilltarëve të kësaj force politike në Këshillin Bashkiak të Durrësit dhe anëtar i Këshillit të Qarkut të Durrësit. I diplomuar në vitin 1989 në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin Politeknik të Tiranës, Voloti kontribuoi në radhët e Partisë Demokratike që nga lëvizja antikomuniste e viteve ’90 deri në fund të vitit 2004, kur shkëputet për t’u bashkuar me partinë e re që po krijohej dhe që përfaqësonte komunitetin çam, PDIU. Cili është vizioni për të ardhmen e kësaj force politike në prag të zgjedhjeve të vitit 2013 dhe përgatitjet për fushatën e ardhshme.

Z. Voloti, PDIU është në prag të një arritjeje të madhe për gjithë komunitetin çam, miratimi i një rezolute për Çështjen Çame. A besoni se do të votohet dhe si e vlerësoni këtë moment historik?

Padyshim është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për komunitetin çam, por edhe për politikën shqiptare në përgjithësi. Mjafton të përmend faktin se ishte rrëzimi i një rezolute me pothuajse të njëjtën përmbajtje që i dha jete lëvizjes së komunitetit çam për të krijuar një organizëm politik që do të ushtronte presionin e nevojshëm në nivelet më të larta të shtetit shqiptar për zgjidhjen e Çështjes Çame. Pikërisht atëherë, në fund të vitit 2004, unë u shkëputa nga Partia Demokratike për të kontribuuar në ngritjen e forcës sonë politike që atëherë u quajt Partia për Drejtësi dhe Integrim. Ishte e dhimbshme për mua, pasi militoja në radhët e Partisë Demokratike që nga koha e lëvizjes demokratike të vitit 1990 për përmbysjen e komunizmit, por duhet të mendonim për një çështje më të madhe. Ashtu si unë, mijëra çamë të tjerë u shkëputën nga formacionet e tjera ku militonin, majtas e djathtas, për t’u bashkuar nën flamurin e ri të partisë që kishte si kryefjalë Çamërinë. Tetë vjet më vonë ja ku jemi, të përfaqësuar politikisht me dy deputetë dhe me qindra çamë në nivele të ndryshme të administratës. Ishte ky presion që po mundëson arritjen e fitores sonë të parë të madhe gjatë legjislaturës së parë që përfaqësohemi në Kuvendin e Shqipërisë. Nuk kam asnjë dyshim për miratimin e rezolutës pasi në këtë moment historik nuk mund të ketë kthim prapa. Rezoluta ka një rëndësi të madhe, pasi për herë të parë çështja çame njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar dhe detyrohen institucionet shtetërore që ta kenë si një nga prioritetet e tyre në punën e përditshme.

Sapo thatë se do të jetë një faktor vendimtar për bashkëpunimin e ardhshëm me forcat e tjera politike. Çfarë do të thotë kjo dhe ku do të rreshtohet PDIU në zgjedhjet e ardhshme?

Padyshim qëndrimi ndaj rezolutës për çështjen çame do të jetë faktori vendimtar që do të përcaktojë rreshtimin tonë në koalicion në funksion të zgjedhjeve të ardhshme. Nuk mund të jemi nën të njëjtën çati me ata që do të na refuzojnë votën, ndonëse nuk besoj se asnjë nga partitë e mëdha, qoftë PD, PS apo LSI, do të votojnë kundër.

Dhe nëse të gjithë do të jenë pro, me kë do të radhiteni në koalicion?

Kjo është një çështje që e vendosin forumet e partisë.

Ndërsa është caktuar dita e zgjedhjeve, duket se “motorët elektoralë” janë vënë për t’u ngrohur. Si po organizohet PDIU në funksion të 23 Qershorit?

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet është një parti e organizuar sipas modelit të një partie elektorale, duke ngritur strukturat në bazë të zonave të votimit. Deri tani janë realizuar mbi  2000 anëtarësime të reja dhe procesi është në vijim. Më pas, në muajt e ardhshëm, do të kalohet në zgjedhjet për strukturat drejtuese të partisë në nivele të ndryshme.

Ju do të kandidoni?

Nuk i jam shmangur sfidave dhe nuk do ta bëj as këtë herë. Përvoja ime si koordinator për qarkun e Durrësit besoj se do të jetë e vlefshme edhe në kandidimin tim për vendin e kryetarit të degës së PDIU në bashkinë e Durrësit, por edhe si kandidat për deputet i kësaj force politike.

Mund të thoni diçka më konkrete për rolin e grupit të këshilltarëve të PDIU në Bashkinë e Durrësit?

Natyrisht, në Këshillin Bashkiak këshilltarët nuk mund të shtrojnë probleme mbarëkombëtare, por mund të punojnë për përmirësimin e jetës së komunitetit që përfaqësojnë. Mund të them se vetëm në projekt-buxhetin e vitit 2013 janë përfshirë me insistimin tonë rehabilitimi i dy rrugëve në zonën e plazhit, ku banon një pjesë e madhe e komunitetit çam të Durrësit.

Ju ka lënë të kënaqur rezultati i censusit?

Mendoj se i përgjigjet realitetit, ndoshta me ndonjë problem të vogël teknik.

Së fundi, si e vlerësoni deklaratën e ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu, mbi rrezikun e konflikteve etnike që rrjedhin nga nacionalizmi ekstrem?

Padyshim ambasadori Arvizu i referohet segmenteve të tjerë në politikën shqiptare dhe jo PDIU. Ne nuk kërkojmë krijimin e një situate konfliktuale ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë, por zgjidhjen e problemit tonë. Edhe fryma e rezolutës është e mbështetur mbi parimet evropiane për të drejtat e njeriut. Nuk jemi gjakësorët, por viktimat. Nuk duam hakmarrje, por drejtësi.