Fatmir Vejsiu: Ndryshimet e reja të Maturës Shtetërore dhe rregullat që duhet të zbatojnë maturantët

687
Sigal

INTERVISTA/Flet Drejtori i Arsimit Parauniversitar Fatmir Vejsiu, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

Në Maturën Shtetërore këtë vit do të ketë disa ndryshime që janë të rëndësishme dhe që duhet t’i zbatojë çdo maturant që dëshiron të ndjekë shkollën e lartë. Ndër ndryshimet më thelbësore janë se nuk do të jepen më shumë se dy provime, nga 3 që ishin vitin që shkoi. Sipas Udhëzimit 35, i datës 27 nëntor 2012, ndryshimi konsiston në këto gjëra: Së pari është minimizuar menyja e lëndëve me zgjedhje. Në kuptimin që, asnjë lëndë nuk është lënë pa u marrë në konsideratë, sepse nxënësit kanë bërë përgatitje për 1,2 ose 3 vite. Më shumë detaje për këtë ka dhënë Drejtori i Arsimit Parauniversitar Fatmir Vejsiu, në një intervistë për “Telegraf”.

 -Zoti Vejsiu, Matura  e vitit 2013, ka pësuar disa ndryshime. Cilët janë elementët e rinj dhe ku duhet të fokusohen më shumë maturantët për arritur rezultatet e dëshiruara në provime?

-Së pari, unë dua të shprehem sepse përgjithësisht media e bën sikur po luhet me Maturën Shtetërore. Ky në fakt është një proces i gjatë që ka filluar rreth shtatë vjet më parë, i cili ka nevojë të ndryshohet deri në perfeksion. Dua të them që nuk do të ketë ndryshime të mëdha thelbësore. Vitin e kaluar si pasojë e përfundimit të procesit të implementimit të  kurrikulës u bë një listë goxha e madhe e lëndëve me zgjidhje. E cila nuk detyron maturantin që të marrë sa më shumë lëndë, por i krijon më shumë hapësira atyre që të zgjidhin aty ku është më i formuar dhe të arrijë rezultate më të larta. Megjithatë edhe për ne nga ana vizive ishte paksa jo e këndshme. Megjithatë, sivjet një nga ndryshimet është kjo, është reduktuar numri i lëndëve, por pa harruar të përfshihen lëndët kushdo qofshin. Pra nëse kemi një numër prej 26 lëndësh për një vit shkollor, këtë vit nuk do të thotë se ato janë hequr lëndë, por lëndët janë ndërthurur. Po marr një shembull nëse vitin e kaluar shkencat e tokës ishin lëndë më vete, këtë vit janë përfshirë tek gjeografia, sepse është pjesë e gjeografisë fizike. Lëndët tani janë me më shumë ngarkesë.

 – Çfarë duhet të kenë parasysh maturantët që janë aktualisht në shkollë?

-Ne jemi munduar që të zgjidhim një lëndë pa shumë ngarkesë. Vitin e kaluar padrejtësisht ishte një gjë jo shumë e saktë që lënda e thelluar trajtohej më vete, me kreditet që kishte vetëm ajo si lëndë e thelluar. Pra, fizika, kimia zhvillohen vetëm në vitin e katërt si lëndë të thelluara, por a mund të mendohet ajo që të trajtosh fizikën, kiminë në nivelin e thelluat, pa ditur kurrikulën bërthamë? Absolutisht që jo. Pra kështu një maturant të japi fizikën e thelluar në provim duhet ti nënshtrohet edhe kurrikulës bërthamë. Atëherë që të japësh fizikën e thelluar provim duhet t’i nënshtrohet edhe programit orientues të kurrikulës bërthamë. Po kështu do të ndodhë edhe me lëndët e tjera. Pra lënda duhet të përfshihet e tëra. Nëse dikush zgjedh një lëndë, atëherë për në provim maturanti duhet të jetë përgatitur për të tërë programin e kësaj lënde që është bërë në gjimnaz.

 -Si do të bëhet përzgjedhja e lëndëve me zgjedhje nga maturantët këtë vit?

-Për lëndët me zgjedhje janë dy kritere themelore. Kriteri i parë është që nuk duhet të ketë më pak se tetë kredite lënda. Ndërsa kriteri i dytë është që lëndët me zgjedhje të jenë dy, ndonëse vitin e kaluar janë lejuar edhe tre. Këtë vit është kategorike që nuk duhet të ketë më shumë se dy lëndë me zgjedhje dhe kjo është e prerë për çdo shkollë, qofshin të përgjithshme, apo dhe profesionale. Po ju them që përse nuk ishte e suksesshme fakti i zgjedhjes së tre lëndëve për provim. Vitin e kaluar shumë maturantë zgjodhën tre lëndë me mendimin se duke dhënë tre lëndë provim do të mund të merrte më shumë pikë. por formula ishte e tillë që nxënësi nuk mund të merrte më shumë pikë në provime edhe pse mund të kishte zgjidhur tre lëndë për provim. Kështu pra që maturantët nuk duhet të ngatërrohen me atë që u ngatërruan shumica vjet, pra ato duhet të japin provim vetëm dy provime dhe nuk do të ketë asnjë përjashtim. Nxënësit që zgjodhën tre lëndë patën rezultate më të dobëta dhe kjo është faktuar, kështu që sivjet nuk do të lejohet asnjë person, për arsye se më shumë ngatërrohen. Formula është siç ka qenë vitet e mëparshme.

 -Cila do të jetë formula e vlerësimit për këtë maturë që do të vijë, a do të ketë ndonjë ndryshim në këtë drejtim?

-Po përsa i përket formulës së vlerësimit, unë do të thoja që ajo është siç ka qenë edhe vitet e kaluara ka

E veçanta për shkollat artistike

Në shkollat artistike kemi bërë një hap përpara, duke u dhënë mundësinë nxënësve që studiojnë për muzikant, për balerinë të zgjidhin ndonjë lëndë të fushës së tyre. Ne u kemi dhënë mundësinë që të zgjedhin nga një lëndë të fushës që ato studiojnë, si ato që studiojnë për balerinë, muzikant etj. Po ju jap një rast, kanë qenë historia e artit, historia e muzikës, solfezhi, anatomia, kështu u pa e arsyeshme që të lihen tre lëndë. Është vendosur që të lihet historia e muzikës për ato që merren me muzikën, historia e artit, për ato që merren me artin figurative dhe historia e baletit për ato që merren me balet. Pra ne i kemi fokusuar në mënyrë që të mos ngatërrohen, por edhe për të qenë në të përqendruar.

 Rregullat për të zgjedhur lëndët për provimet me zgjedhje dhe rëndësia e krediteve

Në provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore një rol të rëndësishëm luan edhe përzgjedhja e lëndëve me zgjedhje. Për këtë çdo maturant duhet të bëjë një llogaritje të saktë të disa elementëve për të arritur rezultatin që dëshiron në këto provime. Maturanti një rëndësi të madhe duhet ti japi edhe zgjedhjes së lëndëve dhe krediteve që ato kanë. Për shembull nëse një maturant ka si qëllim që të studiojë për mjekësi, ai duhet të zgjedhë lëndët si biologji apo kimi si lëndë me zgjedhje pasi kreditit që i kanë këto lëndë e ndihmojnë më shumë në këtë drejtim.

 Lista e lëndëve të provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2013 është sipas tabelës sa më poshtë:

Nr   Lënda    Kredite

       I. Për të gjitha shkollat e mesme

1     Gjuhë e huaj e parë    10

2     Gjuhë e huaj e dytë    6

3     Letërsi e thelluar 5

4     Matematikë e thelluar       5

5     Kimi bërthamë    4

6     Kimi e thelluar   6

7     Fizikë bërthamë  4

8     Fizikë e thelluar  6

9     Biologji bërthamë      4

10   Biologji e thelluar     6

11   Histori bërthamë 5

12   Histori e thelluar 9

13   Gjeografi bërthamë    5

14   Gjeografi e thelluar   7

15   Ekonomi bërthamë    2

16   Ekonomi e thelluar    4

17   Teknologji bërthamë 2

18   Teknologji e thelluar 4

19   Qytetari 3

20   Psikologji    2

21   Filozofi 2

22   Sociologji    2

       II. Vetëm për shkollat artistike  

23   Histori muzike    6

24   Histori arti   6

25   Histori baleti      3

       III. Vetëm për shkollat profesionale 

26   Teori profesionale     8

Si bëhet llogaritja e mesatares

Mesatarja e gjimnazit të një nxënësi do të llogaritet duke pjesëtuar shumën e të gjitha pikëve që nxënësi ka grumbulluar gjatë tre vjetëve të shkollës së mesme me shumën e të gjitha krediteve që ai ka grumbulluar po gjatë gjimnazit. Shuma i pikëve nxirret duke shumëzuar notën vjetore me kreditet dhe koefiçentin 1 ose 1.4 që ka secila lëndë e thelluar. Ky rezultat më pas pjesëtohet me shumën e krediteve të lëndëve përkatëse, duke dhënë mesataren e shkollës së mesme.

Pas përfundimit të Maturës Shtetërore, përllogaritja e pikëve për hyrjen në universitetet publike, të maturantit/kandidatit bëhet si më poshtë:

Shënojmë me M, Di, D2, Zi dhe Z2 përkatësisht pikët mesatare të shkollës së mesme, vlerësimet në lëndët e detyruara dhe në ato me zgjedhje.

– Shënojmë me K koeficientin e shkollës të përcaktuar nga universitetet publike.

Shënojmë me Fi, F2 koeficientet e lëndëve me zgjedhje të përcaktuara nga universitetet publike.

Llogaritja e shumës S të pikëve të maturantit/kandidatit do të bëhet me

formulën:

S = [ (M + Di +D2) x K + (Zi x Fi+ Z2 x F2) ] x 100

Do ndërpriten valët e telefonave në shkolla

Në ndryshim nga vitet e kaluara këtë vit do të merrem masa shumë të rrepta në mënyrë që nxënësit të mos kenë asnjë mundësi për të kopjuar ditën e provimit. Një nga masat e rrepta që ka parashikuar të marrë Ministria e Arsimit dhe Shkencës është ndërprerja e valëve të telefonave. Sipas burimeve të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, bëhet e ditur se në kuadrin e marrjes së masave të rrepta është menduar që në ambientet ku do të zhvillohen provimet e Maturës Shtetërore për vitin 2013 të mos ketë valë për telefonat. Këto ndryshime në Maturën Shtetërore pritet te sjellin përmirësimin e nivelit të rinjve që do të ndjekin arsimin e lartë.