Titulli “Doktor Honoris Causa” për Mira Mezinin, Tafaj: Po shohim mundësinë e bashkëpunimit për plane afatgjata me profesoren

579
Sigal

Shqipëria ka potenciale të mëdha për zhvillimin e Teknologjisë së Informacionit

 Profesor Doktor Mira Mezini, gruaja 45-vjeçare, është shkencëtarja e parë e informatikës në Shqipëri dhe Gjermani që ka fituar çmimin ERC me vlerë 2.3 milionë euro të dhëna nga Këshilli i Europës për Studime Shkencore. Ndërkohë që, Universiteti i Tiranës i akordoi para pak ditësh Mira Mezinit titullin “Doktor Honoris Causa” me motivacionin: “për kontribut të shquar akademik dhe arritje të larta ndërkombëtare në kërkimin shkencor në fushën e informatikës.” Ministri i Arsimit dhe Shkencës Myqerem Tafaj, gjatë fjalës se tij në ceremoninë e dhënies së titullit “Doktor Honoris Causa”profesores Mira Mezini, nga Universiteti i Tiranës i uroi asaj urimet me të përzemërta për arritjet që ajo ka bërë falë punës së palodhshme. Në fjalën e tij ministri theksoi se: “Me profesoreshë Mezinin kam pasur një takim të gjatë, po ashtu ajo ka takuar edhe gjimnazistë në shkollën “Sami Frashëri”, ka pasur takime në Universitetin Politeknik. Po ashtu ajo ka marrë informacione të shumta dhe më pëlqen shumë që ajo bëri një analizë të detajuar të atij objektivi realist që a kemi ne potenciale për të konkurruar me sukses në një fushë kaq të rëndësishme si teknologjia e Informacionit, për një vend si Shqipëria, me një kapacitet njerëzor kaq të zhvilluar. Dhe me një pozicion kaq të përshtatshëm të vendosjes së saj në rajon, për t’u bërë me të vërtet promotor në zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe më konkretisht në fushën e softuerit. Përmes dhënies së këtij titulli dhe pritjes që ju bë profesoreshë Mezinit jepet dhe një mesazh tjetër për studentët. Dhe mesazhi që ne duam të japim për studentët dhe kërkuesit e rinj është shkalla e lartë prioritare që gëzon formimi universitar në fushën e teknologjisë së informacionit që ne e kemi prioritet që ne të kemi sa më shumë kuota në këtë fushë. Por për fat të mirë është rritur numri i studentëve që shfaqin interes në këtë fushë. Këtë fakt të rritjes së numrit  e theksoi dhe rektori Kule në fjalën që ai mbajti në këtë takim. Fakti që shumë studentë që kanë mbaruar shkollën në Shqipëri në këtë fushë të Teknologjisë së Informacionit dhe kanë bërë një karrierë shumë të shkëlqyer në grupet më të mira të kërkimit akademik tregon që ne kemi potenciale shumë të mira. Unë e pyeta doktoreshë Mezinin se si ishte ndjerë me gjimnazistët e “Sami Frashërit” dhe ishte e mrekulluar dhe është i dyti rast brenda një kohe të shkurtër, pasi tre muaj më parë ishin anëtarët e bordit shqiptaro-amerikan që patën një takim dhe kishin dalë të mrekulluar nga takimi me nxënësit e shkollës së mesme “Sami Farashëri” theksoi Ministri. Vizita e Profesoreshë Mezinit sipas ministrit lidhet edhe me plane të tjera afatgjata. “Ne po përpiqemi për të zhvilluar ndoshta edhe një program studimi në fushën e Teknologjisë së Informacionit, për një program ekselence ne mbështetjen e DAD-së. Por unë profesoreshë Mezinit dhe bashkëshortit të saj Fresleverit ju luta që të forcojmë këtë bashkëpunim në interes të kërkimit shkencor në fushën e Teknologjisë së Informacionit. Unë mendoj se ne na duhen lidhje dhe na duhen ambasadorë të tillë, unë mendoj që ajo është e obliguar për të mbështetur grupet tona të të rinjve. Unë uroj që së shpejti të kemi një marrëveshje bashkëpunimi bilaterale midis universitetit të Tiranës dhe Universitetit të Darmstadtit, pasi është në të mirë të studentëve, pedagogëve dhe të vetë universiteteve. Uroj dhë njëherë Universitetin e Tiranës për studenten e tyre dhe për pedagogen e tyre për arritjet e mëdha që ajo ka bërë”.