Shtetet e Bashkuara “bashkojnë” PD dhe PS në Uashington. Ambasada amerikane: Populli shqiptar meriton një demokraci të fortë
Një delegacioni parlamentar shqiptar, i përbërë nga deputetë të PS dhe PD, ka zhvilluar një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Të pranishëm në takim ishin deputetët Denis Deliu, Pandeli Majko, Damian Gjiknuri, Dhurata Çupi, Blerina Gjylameti, Gazment Bardhi dhe ambasadori i Shqipërisë në Amerikë, Ervin Bushati. Lidhur me këtë takim ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë, ku shkruan se populli shqiptar meriton një demokraci të fortë, të shëndetshme, ku të gjithë aktorët politikë punojnë së bashku për të mirën e përbashkët të vendit. “Kënaqësi të shohësh përfaqësues të zgjedhur shqiptarë në Uashington së bashku për të punuar për çështje të rëndësishme për popullin e Shqipërisë. Shtetet e Bashkuara vlerësojnë partneritetin e fortë me Shqipërinë dhe përfaqësuesit e saj të zgjedhur në çështje të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare. Populli shqiptar meriton një demokraci të fortë, të shëndetshme, ku të gjithë aktorët politikë punojnë së bashku për të mirën e përbashkët të vendit”, -shkruan ambasada.
Gazment Bardhi për Zërin e Amerikës: Ndarja na ka dobësuar, po shohim mundësitë për bashkim
Ndërsa ndodhet prej disa ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi në një intervistë për Zërin e Amerikës tha të mërkurën se Grupi Parlamentar i PD-së është bashkuar në një aksion tërësor kundër qeverisë. “PD gjatë këtyre dy viteve ka qenë e ndarë. Ne kemi kuptuar që ndarja e PD e ka dobësuar dhe e ka bërë jofunksionale opozitën. Po shohim mundësitë për të pasur një bashkim. Një projekt të përbashkët të përballjes me qeverinë e korruptuar. Ka zero rëndësi, sa kohë që çështja e legjitimitetit të institucioneve të PD ndodhet ende në gjykatë. Sa të merremi me historinë, duhet të fokusohemi tek ajo që ka nevojë sot Shqipëria. Ka nevojë për një opozitë, që përmbush misionin e saj. Janë të gjitha mundësitë nëse secili prej nesh kapërcen interesin personal”. Në lidhje me reformën zgjedhore ai tha: “Reforma nuk është bllokuar për shkak të problemeve të brendshme të PD-së. Reforma ka dy vite që nuk bën asgjë. Për shkak të bllokimit që i është bërë punës së Komisionit, deputetët e opozitës kanë kërkuar riformatimin për ta bërë funksional Komisionin e Reformës Zgjedhore. Nuk do të heqim dorë nga kjo betejë, sa kohë që është në interes të qytetarëve”.


















