“Më zhgënjeve sërish…por ki kujdes”/ Për çfarë historie fliste Kodheli në replikë me Blushin?

521
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli në replikë me kreun e LIBRA-s, Ben Blushin, i kujtoi atij se po përdor të njëjtën gjuhë si ish-kryeministri Sali Berisha. Ndërsa shprehu zhgënjim për deklaratat dhe sulmet që ai i bën PS, kryeministrit dhe “shokëve”, Kodheli i kujtoi edhe një histori të vjetër, përmes së cilës ka dashur të përçojë mesazhet e saj tek “shoku” i dikurshëm, ndonëse nuk e ndau me publikun atë.
“Po hedh baltë e të shara njësoj si Saliu, ai është origjinali, mllefi i tij është i njohur. Arsyet pse ti sillesh kështu janë të ndryshme. Kam menduar që një ditë do bëhesh politikan serioz, por nuk do ndodh kështu, nuk do dalësh as mbi mesataren, dhe kujt ia bën shokëve të tu prej 20 vitesh. Harron edukatën, harron librin”, iu drejtua ajo Blushit.

Duke u ndalur tek deklaratat e Blushit kundër ministres së Arsimit, Lindita Nikolla, Kodheli e këshilloi Blushin të kishte kujdes.

“Ajo historia e dikurshme, kam menduar që ishte një moment, por vazhdon ta përsërisësh por ki kujdes mund të biesh sërish në gabim. Pyes veten, pyes edhe publikun si s’të kam parë në gjithë këto vite të ulësh të shkruash një ligj 5 pika, 5 fjalë? Ke shkruar 5 libra po, por për veten tënde. Mendoj se duke mos mundur ta bësh këtë gjë nuk ke bërë asgjë për popullin, duke u marrë me kolegët nuk ke bërë dot shumë gjëra. Të këshilloj të bësh një gjë, por ta bësh mirë dhe këtë nuk e bën duke u marrë me ne”,- vijoi ajo.

Më tej Kodheli deklaroi se Blushi jo vetëm që nuk ka mbështetës, por ka mbetur edhe pa miq.

“Unë them që ne jemi në rrugë të drejtë, do ta fisnikërojmë vendin. Është e drejta e gjithkujt të tentojë të bëhet udhëheqës, por që të bëhesh duhet të kesh dy gjëra: të kesh ndjekës dhe shokë, t’i nuk ke shok nuk ke as edhe një. E vështirë që do bëhesh ndonjëherë udhëheqës i PS, në libra po, në realitet lum kush beson pa prekur e pa parë çfarë do jesh në gjendje të bësh. Sot më zhgënjeve sërish, kam besuar tek inteligjenca jote. Me keqardhje për ty, ke rënë në batakun e Saliut. Shpresoj mos të jetë vonë”,- shtoi Kodheli.
Sigal