Taulant Dedja: Profanët “rilindas” dhe vizita e kryeparlamentarit të Kanadasë

208

Në rastin konkret as që bëhet fjalë për një zhvillim të rëndësisë së veçantë, po të kihet parasysh që në 35 vjet, Kanadaja dhe Shqipëria kanë nënshkruar dhe ratifikuar vetëm një marrëveshje dypalëshe në fushën e sigurimeve sociale, në një proces që zgjati 20 vjet.

Sigal

Dy ditët e fundit ka patur një zhvillim jashtë rutinës shumëvjeçare në marrëdhëniet Kanada-Shqipëri. Në Tiranë shkoi për vizitë kreu i Dhomës së Ulët të Parlamentit Kanadez, ose përndryshe Dhomës së Komunave (apo Dhomës së Deputetëve), deputeti Liberal Anthony Rota. Kam shkruar shpesh për nivelin e dobët të marrëdhënieve mes dy vendeve prej të paktën 8 vjetëve, ndaj dhe pa diskutim një vizitë të tillë e konsideroj pozitive. Gjithsesi kjo vizitë më shumë mbetet protokollare (kam parasysh sfondin politik botëror të momentit), sepse vizitat dypalëshe të nivelit të lartë kanë kuptim të vërtetë kur gjatë tyre negociohen çështje të rëndësisë së lartë, kur nënshkruhen marrëveshje apo kur akordohen ndihma të rëndësishme financiare. Deklaratat e dashurisë sa për mediat apo rrjetet sociale, janë gjithmonë tullumbace momenti dhe kortezi formale. Në rastin konkret as që bëhet fjalë për një zhvillim të rëndësisë së veçantë, po të kihet parasysh që në 35 vjet, Kanadaja dhe Shqipëria kanë nënshkruar dhe ratifikuar vetëm një marrëveshje dypalëshe në fushën e sigurimeve sociale, në një proces që zgjati 20 vjet. Megjithatë, ky shënim nuk ka qëllim kryesor të analizojë pse-në e nivelit të dobët të marrëdhënieve mes dy vendeve (sepse Kanadaja, anëtare e G7, ka prioritetet e veta që përcaktohen nga interesat e saj kombëtare). Shënimi ka të bëjë më tepër me nivelin mediokër të komunikimit publik të profanëve të “Rilindjes”, me deklaratat e tyre euforike, qesharake apo kontroversiale, madje edhe me gafa protokollare, sepse gafë protokollare është edhe kur nuk e shkruan korrekt në gjuhën tënde emrin e plotë të një institucioni të një vendi mik. Profane janë dhe ato media që kanë kopjuar gabimet ortografike në tekstet e profanëve “rilindas”. Vëzhgimi i mëposhtëm i referohet katër faqeve në rrjetin social Facebook të katër përfaqësuesve të shtetit shqiptar që e pritën në takim z. Anthony Rota, përkatësisht Lindita Nikolla, Ulsi Manja, Olta Xhaçka dhe Bajram Begaj. Pas çdo paragrafi të shkëputur nga deklaratat e këtyre katër të fundit, do bëj edhe një koment të shkurtër lidhur me çfarë më tërhoqi vëmendjen.

1) Lindita Nikolla, kryetare e Kuvendit: “Një takim shumë i dobishëm e miqësor me Kryetarin e Dhomës së Komuneve të Kanadasë, z. Anthony Rota, i cili po zhvillon një vizitë zyrtare në Shqipëri. Dakordësuam për të intensifikuar bashkëpunimin parlamentar përmes shkëmbimit të vizitave në të gjitha nivelet. Kanadaja është një vend mik dhe partner i çmuar, me një kontribut domethënës në zhvillimin e demokratizimin e Shqipërisë…”

Koment: E para, për kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Dhoma e Komunave të Kanadasë quhet Dhoma e Komuneve. Gabim ortografik dhe protokollar i patolerueshëm sipas meje, madje në dy raste. Është detyrë e Ambasadës Shqiptare në Kanada të sinjalizojë Kuvendin për të korrigjuar tekstin. E dyta, personalisht nuk e di për çfarë kontributi domethënës në zhvillimin e demokratizimin e Shqipërisë e ka fjalën kryeparlamentarja. Lirisht çdokush mund të qëmtojë në internet nëse ekziston ndonjë program i posaçëm i Kanadasë në ndihmë të Shqipërisë, për zhvillimin dhe demokratizimin e saj. Në dijeninë time jo. Gjithkush ka informacion më tepër në këtë drejtim, është i lutur të më korrigjojë.

2) Ulsi Manja, ministër Drejtësisë: “Ndamë së bashku kënaqësinë për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve tona, si dhe gjeta rastin t’i falenderoja për ndihmën e madhe që na ka ofruar shteti kanadez gjatë periudhës së vështirë pas tërmetit që përfshiu vendin tonë në 2019… pata mundësinë t’i informoj për bashkëpunimin e shkëlqyer që dy vendet tona kanë në fushën e ndihmës juridike, në fushën civile dhe penale, duke u bazuar tek Konventat ku jemi pale…”

Koment: E para, Ulsiu e ka shkruar korrekt emërtimin e institucionit, Dhoma e Deputetëve, por nuk e di pse është e nevojshme të bëhet një deklaratë euforike për marrëdhënie të shkëlqyera kur në Website të qeverisë kanadeze flitet për marrëdhënie pozitive. E dyta, çfarë ka parasysh ministri i Drejtësisë kur përmend “ndihmën e madhe që na ka ofruar shteti kanadez gjatë periudhës së vështirë pas tërmetit që përfshiu vendin tonë në 2019”? A e di ky profan se fondi i akorduar nga qeveria kanadeze në atë kohë ishte në shumën e 135.000 dollarëve dhe u derdh në llogarinë e Kryqit të Kuq Kanadez? A ka diplomaci të aftë Shqipëria që t’i informojë ministrat e vet si duhet? 135,000 dollarë është një shumë krejt qesharake, por turpi në këtë rast nuk është i Kanadasë, por i mediokritetit të diplomacisë shqiptare. Për më shumë informacion për këtë temë shërben link-u i mëposhtëm dhe kush më gjen një referencë zyrtare që qeveria kanadeze ka ofruar më shumë se 135,000 dollarë, i lutem të më korrigjojë. Sigurisht, vetëm ministri profan e di se ku konsiston edhe bashkëpunimi i shkëlqyer në fushën e ndihmës juridike me Kanadanë…

3) Olta Xhaçka, Ministre e Jashtme: “E nderuar të mirëprisja sot në Tiranë Kryetarin e Dhomës së Komunëve të Parlamentit të Kanadasë, Anthony Rota. Shqipëria dhe Kanadaja gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyer në NATO dhe në OKB duke ndarë të njëjtin angazhim për paqen dhe sigurinë botërore…”

Koment: Për kryediplomaten shqiptare, ndryshe nga kryeparlamentarja, Dhoma e Komunave të Kanadasë quhet Dhoma e Komunëve. Edhe ky, si në rastin e parë, gabim ortografik dhe protokollar i patolerueshëm. Sërish është detyrë e Ambasadës Shqiptare në Kanada të njoftojë titullaren e ministrisë së Jashtme të korrigjojë tekstin. E dyta, shprehja “Shqipëria dhe Kanadaja gëzojnë një bashkëpunim të shkëlqyer”, përveçse euforike (asnjeherë nuk është përdorur nga politika kanadeze dhe gjithmonë një vend dinjitoz duhet të respektojë veten duke përdorur terma reciprokë) është dhe jo korrekte nga pikpamja e të shprehurit. Përdorimi jo korrekt i gjuhës shqipe është i paparanueshëm për një ministër. Nëse ka ndonjë diplomat profesionist shqiptar që pranon se në shqip mund të thuhet “gëzojnë një bashkëpunim” në vend të “kanë një bashkëpunim”, i lutem të më korrigjojë. Boll punoi ministria e Jashtme me Google translate se është turp.

4) Bajram Begaj, president i Republikës: “Kënaqësi të takoja sot Kryetarin e Dhomës së Deputetëve të Parlamentit të Kanadasë, Anthony Rota për të diskutuar lidhur me zhvillimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh, ndërsa kremtojmë 35-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve… Bisedimet u fokusuan edhe te zhvillimet në Ballkanin Perëndimor dhe rëndësia e vijimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si rruga më e mirë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme.

Koment: Edhe presidenti e ka shkruar korrekt nga pikpamja e shqipërimit dhe ajo protokollare emërtimin e Dhomës së Ulët të Parlamentit Kanadez (Dhoma e Deputetëve). Po kështu, në statusin e tij nuk ka shprehje euforike, por shprehje të balancuara në raport me ato që përdor politika kanadeze për marrëdhëniet me Shqipërinë. Ajo që më duket e papranueshme për presidentin është përdorimi i shprehjes “rëndësia e vijimit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, si rruga më e mirë për arritjen e një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të zbatueshme”. A mos vallë për presidentin shqiptar dhe politikën e Jashme shqiptare njohja e Kosovës nga Serbia si shtet i pavarur nuk është më opsioni i detyrueshëm, meqënëse shefi i tij, kryeministri “rilindas”, tashmë është dashnor i flaktë i Ballkanit të Hapur dhe vëlla i Vuçiçit? Përse kjo gjuhë e drunjtë me Kanadanë, një ndër vendet e para që njohu Kosovën e pavarur? Sigurisht këtë më mirë se presidenti e di shefi i tij…