Skandaloze, këshilltarët nuk paguajnë taksat, fukarenjve ua mbajnë me dhunë

413
Sigal

Një burim zyrtar nga Bashkia e Durrësit u prononcua “Telegraf” se, “mbi gjysma e anëtarëve të Këshillit Bashkiak  të Majtë e të Djathtë nuk i kanë paguar taksat vendore, ato  nuk paguhen nga pjesa më e madhe e familjeve në Durrës, por më e keqja është se këtë veprim e bëjnë edhe këshilltarët”. Sipas  të njëjtit burim  “e vetmja mënyrë mbetet mbajtja e parave nga paga e tyre mujore që marrin si këshilltarë, gjysma e anëtarëve të Këshillit Bashkiak i anashkalojnë  detyrimet  ligjore, pagesat e detyrimeve të familjeve ndaj taksave vendore janë problematike, Durrësi numëron 46 mijë familje në total, nga këto 6 mijë familje janë hequr nga lista e detyrimeve të pagesave të taksave vendore, si familje në nevojë”. Bashkia e Durrësit ka planifikuar që për të realizuar të ardhurat e vitit 2014, nga i cili varen edhe investimet e planifikuara, të mbledhë edhe taksën e pasurisë për 40 mijë familjet e tjera. Mbledhja e taksës  së pasurisë në vite rezulton problematike në Durrës pasi vetëm 1/4 e familjeve e kanë paguar atë për këtë vit.  Përpara 2 muajsh gjatë debatit të bërë në Këshillin Bashkiak, drejtuesit e këtij institucioni  deklaruan se, “nuk janë vetëm familjet e zakonshme që nuk i kanë paguar këto taksa , të cilat edhe mund të kenë justifikime për shkak të papunësisë e të ardhurave të pakta, madje ato shpesh janë më të rregullta, por edhe se është gjysma e anëtarëve të Këshillit Bashkiak që nuk i kanë paguar vetë taksat vendore”.  Mbi gjysma e tyre, nuk i kanë paguar taksat vendore. Ky është një shembull i keq i klasës politike  lokale që ndërsa marrin poza oratorike dhe japin mësime se si të rregullohet mirëqenia  për familjet e thjeshta, deklarimet e tyre mbeten vetëm deri tek ekranet televizive, por në realitet ata janë shkelës ligjesh që japin një shembull jo të mirë për qytetarin.