Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj deklaroi këtë të enjte se s’ka hedhur asnjë firmë te procedura për dhënien e tre inceneratorëve në vend. “Kush gabon rrugë, ose i merr koka erë dhe bashkë me qëllimet e shpallura kërkon të realizojë gjëra, qëllime të tjera, do t’i dalë për zot vetë pastaj”. Kjo ishte një pjesë e deklaratës që bëri kryeministri Edi Rama një javë më parë në emisionin “Opinion” kur u pyet lidhur me ish-zëvendësministrin Arben Ahmetajt. Një koment për deklaratat e Ramës, në të njëjtin emision këtë të enjte, iu kërkua Arben Ahmetajt. Ky i fundit tha se s’ka asnjë firmë në procedurat për asnjë nga tre inceneratorët në vend.
“Jeni i gatshëm t’i dilni për zot vetes se km iu ka lëshuar”, u pyet Ahmetaj, ndërsa iu lexua edhe një përgjigje e SPAK drejtuar mediave ku organi i akuzës shprehet se “…objekt i hetimeve janë një sërë rrethanash, që përfshihen veprimet e Arben Ahemtajt”.“Ka një dosje 237/1 që kanë të bëjnë me procedurën. Në procedurën e inceneratorit të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës unë s’kam marrë pjesë. Kam zero përfshirje. Patjetër që po hetohet. Tek inceneratori i Elbasanit kam zero përfshirje në procedurë. Unë s’kam firmë te inceneratori i Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Të dyja veprat publike Elbasani dhe Fieri janë të domosdoshme, po pastrojnë qytetin”, tha ai. I pyetur nëse kishte njohje të mëparshme me Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan, të dy në kërkim për aferën e inceneratorëve, Ahmetaj mohoi. Drejtuesi i emisionit i tregoi një korrespondence që Ahmetaj ka pasur me Erion Veliajn, kryebashkiakun e Tiranës, për inceneratorin e Tiranës.“Firma është e Erion Veliajt, mund ta pyesni kryeministrin për Erion Veliajn. Ahmetaj u thotë institucioneve financojini vetë”,- u përgjigj ai.