Shqiptarët dhe politika duhet të marrin mesazhin e SHBA-së: Të ndahet politika nga krimi

530
Sigal

Forumi: A duhej të denonconte në prokurori dhe a është i shtyrë politikisht, deputeti Doshi?

Edhe pse kishte një javë që deputeti Tom Doshi publikisht lëshonte akuza për vrasje, madje, për krerët më të lartë të shtetit, vetëm dje prokuroria zyrtarisht e thirri Tom Doshin që të dorëzojë provat dhe faktet e akuzave. Shumë pikëpyetje ngrënë qytetarët ndaj deputetit Doshi, por edhe ndaj vetë institucionit të prokurorisë, e cila nuk reagon, nuk zbaton procedurën ligjore në mënyrë të atillë që të përcjellë te qytetarët mesazhin e kultivimit të besimit të tyre për institucionet dhe respektimin e ligjit. Gazeta “Telegraf”, në forumin e saj ngre pyetjet që vetë qytetarët pyesin institucionet kushtetuese, shtetin, dhe vetë të zgjedhurit e tyre në parlament. A duhet që cilido, aq më tepër një deputet, të denoncojë qysh në fillim provat e krimit ndaj jetës së tij, apo ndaj kujtdo? Apo çfarë tani luhet, bëhet mbi shina politike? Në forumin e gazetës “Telegraf” flasin juristët Sokol Hazizaj dhe Idajet Beqiri, mjeshtri i kinematografisë Astrit Çerma, ish-kreu i SHIK-ut, Fatos Klosi dhe analisti Koç Danaj.

Pyetjet e forumit të “Telegraf”:

 –  A duhej deputeti Doshi të shkonte qysh në fillim në prokurori të denonconte?

–  A  mendoni se Doshi është i shtyrë politikisht, që të përçajë të majtën?

 Astrit Çerma: Qëllimisht, e ngatërrojmë “politikën” ne “pazarllëqet”, që ta devijojmë të vërtetën

Nëse vërtet do të bindej se kundrejt tij, rrjedhimisht kundrejt familje së tij, kishte kërcënim në përmasa të tilla pa tjetër. Zoti Doshi do s’do është brenda një trekëndëshi politik, ekonomik dhe shoqëror që e kapërcejnë tek ai privaten. Kalim i kësaj “situate” me “i thashë, më tha, kam thënë, më kanë thënë”, të lë shumë të dyshosh për një prapaskenë, ku mund të lëvizin të gjitha gjërat e ndyra…Mua më duket se në shumë raste, qëllimisht, e ngatërrojmë “politikën” në “pazarllëqet”, që ta devijojmë të vërtetën. Mendimi im është thjesht “prishja e hesapeve”. Kaq. A do të dalë e vërteta? Hë,hë…” E vërteta është vetëm ajo që më intereson mua”.  Kjo është motua e shtruar e aplikuar, e mëshiruar, e diktuar, e mallkuar dhe nderuar që Sali Berisha mbolli për kaq vite në të drejtën e së drejtës… Vazhdon “politika” e rrugës. Vetëm kjo lloj “strategjie është e lejueshme” brenda PD-së. Ajo që e tmerron më shumë e më shumë Salin e madhërishëm është “autopsia e kadavres PD”, të cilën ai vetë e vrau…Ndaj zhurmë, zhurmë e vetëm zhurmë…A vini re me kujdes se një pjesë deputetëve të krahut të djathtë janë hutuar aq shumë, sa kanë filluar t’i dalin shenjat e fruthit, që u ka infektuar Saliu. S’ka interpelancë. As do ketë. Si mund të ketë? Në “Interpelancë” gjuha e kurdisur për llogje dhe llakallaka, do-s’do, rrëshqet edhe tek fjala…Fjala e vret Saliun…Ai këtë e di mirë ndaj…Zhurmë, zhurmë, zhurmë…

 Av. Idajet Beqiri: Doshi gjeti “stinën” dhe hodhi farën që i dha në dorë Berisha

I kam dëgjuar me vëmendje të gjitha deklarimet, deponimet dhe “analizat” e Tom Doshit dhe të disa “analistëve”, zjarrvënës kundër Shqipërisë dhe interesave kombëtare. Vërej me keqardhje se në ekspozetë që bëhen, në paraqitjen e situatës konkrete të ngjarjes së stisur mafiozo-kriminale, bëhen përpjekje të hapura për të përligjur paligjshmëritë dhe për të bërë “pa vlerë” parimet e shtetit juridik. Vërehen haptazi tendencat për të imponuar barbarizmin e rrugës, të vetëgjyqësisë dhe të arbitraritetit. Fillimi i një procedimi Penal bëhet përmes një procedure strikte ligjore, të cilat gjejnë pasqyrim në Kodin e Procedurës Penale. Shmangia prej tyre e bënë procesin hetimor dhe gjyqësor ilegjitim, antikushtetues, tepër të dëmshëm për liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Edhe një herë, si në dritë të diellit, doli qartë se fara kriminale që ka hedhur në gjithë “tokën” shqiptare në këto 25 vjet koka e krimeve të këtij vendi Sali Berisha, ka “mbirë” tepër e dendur. Doshi gjeti “stinën” dhe hodhi farën që i dha në dorë Berisha, në kuadrin e përmbushjes së misionit të Berishës, për ta mbajtur Shqipërinë peng të krimit dhe të destabilitetit. Rasti në fjalë jo vetëm sensibilizoi, por edhe po i përgjegjëson shqiptarët që t’u tregoj përfundimisht vendin bandës kriminale të të gjitha krahëve, me qëllim që të shpëtojnë më në fund Shqipërinë nga pengmarrja kriminale e bandës së Berishës.

Koço Danaj, analist: Duhet t’i qëndrojmë deklaratës së ambasadës amerikane, që politika të ndahet nga krimi

Duhet t’i qëndrojmë deklaratës së parë të ambasadës amerikane në Tiranë, e cila foli në emër të Presidentit Obama, ku, midis të tjerave, këshilloi që politika jonë duhet të ndahet nga krimi. Ja më thoni ju tani, kush pyet paskëtaj për opinionistë, kur amerikanët vendosin fatin e botës. Por, duhet t’ju them që nuk ka popull më të mençur se shqiptarët, se ne i nuhatim gjërat dhe marrim drejtimin e duhur.

Fatos Klosi, ish kreu i SHIK-ut: Me këtë çështje duhet të merret prokuroria, që nga fillimi deri në fund

Deputeti Doshi bën punën e tij, si njeri i atyre rretheve nga ku ka ardhur në politikë. Media dhe politika merren shumë me një çështje që i takon ta zgjidhë prokuroria, që nga fillimi dhe deri në fund. Këto fakte që janë zbardhur, nuk janë fakte të politikës që influencon në politikën shqiptare. Nëse politika do të merret me këto gjëra, “ …i thashë, më tha, kush i tha në fillim, kush i tha në fund, ka zbritur në nivelin e saj, e ka mbërritur në nivele bajate. Këto janë probleme të prokurorisë, derisa bëhet fjalë për vrasje, për dinamit.

Sokol Hazizaj, jurist: Kur nuk ke besim të institucioni i prokurorisë, nuk kallëzon 

Nëse duhej ta denonconte apo jo, ajo ishte në vlerësimin e Doshit, se, varet se kujt i beson. Normalisht, kjo fibula, na bën që të ndihemi të gjithë të kërcënuar. Kur thotë deputeti që “jam i kërcënuar”, mendo për ne, qytetarët?! Normalisht, kur dikush kërcënohet, kjo është proceduriale. E para, deputeti duhet të bënte ballafaqimin pranë organit procedurial të hetimit.. Është çështje tjetër, nëse e mbajti të fshehtë. Nuk mban përgjegjësi deputeti, kur nuk bën kallëzim, sepse ai e ka në raport me veten e tij. Nuk ka besim të institucioni i prokurorisë, nuk ka besim te ligji.

Jakup B. GJOÇA