Pas Tiranës, KAS mori vendim për rinumërimin e e 587 kutive të qarkut të Fierit.
“Me kërkesë të dy anëtarëve të KAS, i kërkohet administratës që të këqyrë të gjitha kutitë e votimit të qarkut Fier, për subjektet zgjedhore dhe kandidatët për votat brenda vendit si në rastin e qarkut Tiranë. Kështu që merrni masat, me mbarimin e qarkut Tiranë, të vazhdojë me këqyrjen e kutive të votimit të qarkut Fier. Seancën e radhës dhe orën do ta lëmë në varësi të përgatitjeve që do administrata për të organizuar këtë proces”, u shpreh Elvin Lako, anëtari i PS në KAS.
Rinumërimi i të gjithave votave të Fierit do të bëhet pas atyre të kryeqytetit nga administrata e KQZ-së. Më 11 maj, në këtë qark votuan rreth 200 mijë zgjedhës, dhe numërimi i këtyre fletëve do të bëhet dy herë, edhe për votën e partisë, edhe për atë të kandidatëve.
Me vendimin e fundit të KAS, deri më tani ka shkuar në 1,914 numri i kutive që është vendosur të rihapen dhe të numërohen, nga 5225 në të gjithë vendin. PD beson se aty ka prova që vërtetojnë sipas saj krimin elektoral. Deri më tani, kutitë që janë hapur kanë konfirmuar se nuk ka pasur deformim të rezultatit.
Si për Tiranën dhe Fierin dhe në të gjitha qarqet e vendit, PD kërkon pavlefshmerinë e rezultatit dhe përsëritjen e zgjedhjeve, me argumentin se në zgjedhjet e 11 majit, ka ndodhur masakër zgjedhore