Vasili: 15 marsi është afati i përmbylljes së Reformës Zgjedhore, tejkalimi i tij do sjellë shkatërrim të marrëveshjes

358
Sigal

Lëvizja Socialiste për Integrim deklaron se 15 marsi është afati i fundit për përmbylljen e Reformës Zgjedhore.

Kjo deklaratë erdhi nga nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, i cili njëherësh është dhe anëtar i Komitetit për Reformën Zgjedhore, i përgjigjet deklaratave të përfaqësuesit të mazhorancës në këtë tryezë, Damian Gjiknurit, i cili paralajmëroi shtyrjen e reformës përtej 15 marsit.

Përmes kësaj deklarate, Vasili paralajmëron se shtyrjet përtej 15 marsit, që kërkon të imponojë “rilindja” do të thotë shkatërrim i marrëveshjes mes opozitës dhe palës së qeverisë

Reagimi i plotë i Petrit Vasilit

Reforma zgjedhore duhet të përfundojë brenda 15 marsit.

Shtyrjet përtej 15 marsit, që kërkon të imponojë “rilindja” do të thotë shkatërrim i marrëveshjes mes opozitës dhe palës së qeverisë.

Shkatërrimi i marrëveshjes do të thotë bllokimi i qëllimshëm nga “rilindja” i hapjes së negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian.

Opozita e bashkuar ka paraqitur të gjitha propozimet për reformën zgjedhore në Këshillin Politik.

Loja e rilindjes me zvarritjet, shtyrjet dhe logjikën e faktit të kryer është lojë, që i ka dalë boja.

Bllokimi i reformës ka si qëllim të dëshpëruar bllokimin e zgjidhjes politike, që nxjerr vendin përfundimisht nga kriza shkatërrimtare.

E gjithë përgjegjësia për bllokimin e reformës zgjedhore bie vetëm mbi Edi Ramën dhe “rilindjen”.

Mazhoranca është e vendosur për të mos shkuar në zgjedhje të parakohshme, ashtu siç pretendon opozita. Bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri në përfundimit të tryezës për reformën zgjedhore u pyet për afatet e këtij komisionit, të cilat përfundojnë në 15 mars.

Ai tha se në tavolinën e diskutimit ka shumë çështje të pazgjidhura, por e rëndësishme është dakordësia politike.

“Ka shumë çështje të pazgjidhura në tavolinë, por mos e shikoni 15 marsin si një datë që ne duhet të kemi draftin.”, tha Damian Gjiknuri.

Gjatë manifestimit të 2 marsit, Presidenti i Republikës paralajmëroi se nëse mazhoranca do të vijojë të mos marrë parasysh dekretet e tij, atëherë ai do të presë 15 marsin si afat për miratimin e reformës zgjedhore për të shpërndarë më pas parlamentin.