U kapën duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm drejt Greqisë/ Arrestohen dy persona

Dy persona janë arrestuar nga Policia Kufitare e Sarandës, pasi u kapën duke tentuar të transportonin kundrejt pagesës gjashtë emigrantë nga vendet e treta, të cilët synonin të kalonin ilegalisht kufirin dhe të vijonin drejt vendeve të Bashkimit Evropian.

Operacioni i koduar “Kufijtë” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë, në kuadër të kontrolleve dhe hetimeve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale që lidhet me ndihmën për kalim të paligjshëm të kufirit.

Sigal

Në kuadër të operacionit u arrestuan Aztrid Doda dhe Fatos Çifliku.

Sipas Policisë, dy të arrestuarit u kapën në vendin e quajtur “Pagane”, në afërsi të vijës kufitare me Greqinë. Ata po përdornin dy automjete për të transportuar, kundrejt pagesës, gjashtë shtetas të huaj, me synim kalimin e paligjshëm të kufirit dhe vijimin e udhëtimit drejt vendeve të BE-së.

Gjashtë emigrantët, shtetas nga Pakistani, Bangladeshi dhe India, u proceduan penalisht, pasi rezultoi se kishin hyrë ilegalisht në territorin shqiptar, duke kaluar kufirin tokësor me Greqinë.

Në cilësinë e provës materiale, autoritetet sekuestruan edhe dy automjetet që do të përdoreshin për transportimin e emigrantëve.