Shqipëria zyrtarisht më e varfra në Evropë

368
Sigal

Shqipëria vendi i paradokseve, ku qetësinë nga stuhia e ndan vetëm një vijë e hollë, ku asnjëherë nuk u pranua që vendi u mbush me hashash, i cili u përdor për të denatyruar votën. Jemi ndër 25 vendet më të korruptuara në botë ku ministra dhe kryebashkiakë janë peng i krimit të organizuar. Kemi një Shqipëri ku njëra palë proteston dhe tjetra përdor gazin helmues ndaj qytetarëve, pa organe drejtësie apo me drejtësi të nënshtruar

Monitori/ Shqipëria është pa dyshim vendi i paradokseve, ku e bardha duket e zezë dhe e zeza e bardhë, ku qetësinë e ndan vetëm një vijë e hollë nga stuhia.

Dy Shqipëritë!

Shqipëria është pa dyshim vendi i paradokseve, ku e bardha duket e zezë dhe anasjelltas e zeza e bardhë, ku qetësinë e ndan vetëm një vijë e hollë nga stuhia, ku përtej fasadës së rreme, asgjë nuk është ashtu siç përpiqen të na bindin me të gjitha mënyrat se duket. Kemi një Shqipëri që zyrtarisht është më e varfra në Evropë, me të ardhurat që janë sa 30% e mesatares së Bashkimit Evropian, sipas Eurostat, që ka produktivitetin më të ulët në Evropë dhe shet vetëm krahun e lirë të punës, ku paga mesatare ka rënë me 1.1% në raport me 2018-n (e indeksuar me inflacionin rënia është 3.2%). Nga ana tjetër, kemi një Shqipëri ku vetëm po ndërtohet, pa asnjë lloj kriteri, me para që nuk dihet se nga vijnë (nga ekonomia formale, jo njëherë), që po shpenzohen për beton në projekte që nuk do t’i sjellin asnjë vlerë të shtuar ekonomisë dhe nuk zgjidhin problemet e mëdha strukturore që ajo ka. Përkundrazi, në një të ardhme të afërt mund të rrezikohen të kthehen në bumerang dhe të shkaktojnë një krizë të pasurive të paluajtshme,të parë dhe në shtete të tjera, si p.sh. në Spanjë. Kemi një Shqipëri ku zyrtarisht asnjëherë nuk u pranua që vendi u mbush me hashash, që jo vetëm u përdor për të denatyruar votën, por më pas u investua për të kaluar në droga më të rënda, aq sa sot shqiptarët kanë kapur tregun evropian të kokainës. Në anën tjetër, kemi një Shqipëri, që ka një ministër të Brendshëm që sot është i akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për përfshirje në trafikun e lëndëve narkotike, krijimin e grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsion. Kemi një Shqipëri, që është bërë pre e makinerisë së propagandës të modelit “spin doctor” (një person, puna e të cilit është që t’i bëjë idetë, ngjarjet etj., të duken më mirë sesa janë, veçanërisht në politikë), një model i huazuar kryesisht nga Anglia, që çdo ditë përpiqet të bindë publikun me të gjitha mjetet e mundshme se vendi po lulëzon. Kemi dhe një Shqipëri që renditjet ndërkombëtare e nxjerrin ndër 25 më të korruptuarat në botë (se në Evropë e kemi zënë me kohë vendin e parë), ku ambasadorët e vendeve perëndimore ankohen hapur që nuk zbatohet ligji dhe favorizohen biznese me lidhje të caktuara, çka po pengon ardhjen e investitorëve të huaj. Kemi një Shqipëri ku njëra palë proteston dhe tjetra nuk ngurron të përdorë gazin për t’i shpërndarë ata. Kemi dhe një klasë politike që nuk arrin të merret vesh me njëra-tjetrën dhe të gjejë gjuhën e përbashkët, që prodhon konflikte pa fund, që me dashje a pa dashje nuk arrin të çojë përpara Reformën në Drejtësi, duke e lënë vendin peng të një kaste që me sa duket kërkon ta mbajë këtë vend sa më të nënshtruar. Dhe në mes të këtyre dy Shqipërive qëndrojnë ata, të vërtetët, njerëzit. Ata që nuk po shohin asnjë shpresë dhe që duket se nuk u ka mbetur zgjidhje tjetër, veçse të ikin. Dhe nuk po ngurrojnë ta bëjnë. Instituti i Statistikave ka rishikuar projeksionet dhe zyrtarisht pret që deri në vitin 2061, në vend të mbeten 2 milionë banorë, një tendencë që krahas plakjes natyrore të popullsisë po përshpejtohet nga rigjallërimi i ciklit të emigracionit. Nëse situata vazhdon kështu, 2 milionë mund të mbetemi edhe më shpejt, duke rrezikuar që ndërtimet që po mbushin vendin të mbeten vetëm si dëshmi dhe relikte e dëmit që mund t’i vijë një kombi nga keqqeverisja