Sherefedin Shehu: Rishikimi i Buxhetit 2015, është falimentimi i Financave te shtetit

554
Dje maxhoranca miratoi në Kuvend Aktin Normativ për rishikimin e buxhetit të 2015, për shkak të defiçitit të madh që është krijuar në të ardhurat e shtetit për 8 mujorin e 2015. Deputeti i PD, ish zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, në intervistën për gazetën “Telegraf”, pohon se qeveria e kuptoi që në prill që është krijuar “gropa” fiskale, por nuk bëri asgjë. Dhe dje, miratimi i rishikimit të buxhetit do të thotë falimentimi i financave të shtetit. Zoti Shehu jepe me shifra çdo të thotë për ekonominë, për qytetarët ky dështim i financave të shtetit dhe cilët janë fajtorët politikë të pandëshkuar. 
-Zoti Shehu, përse kaq i vonuar rishikimi i buxhetit për 2015?
– Vitin e kaluar buxheti ndryshoi ditën e fundit të vitit, kur Kuvendi ishte i shpërndarë. Kjo u bë për të shmangur tenderat dhe transferuar fshehurazi 50 milion dollarë në llogaritë e klientëve të Kryeministrit. Edhe këtë vit, ndonëse gropa fiskale u pa që në Prill, Qeveria e ndryshoi buxhetin, pasi u shpërnda Kuvendi. Kështu, Kryeministri shmangu debatin publik dhe parlamentar, por, nën regjizurën e tij, i bëri qesharakë ministrat e ngarkaur me sajimin e argumentave për suksese imagjinare. 
– Si e shpjegoni ju, që qeveria pretendon për rritje të ekonomisë mbi 2 %, ndërkohë që defiçiti i të ardhurave, të detyrojë rishikim të buxhetit?
– Prej më shumë se një muaj, Ministri i Financave pranon që e ka arkën bosh, por e mbush me kënaqësinë që i ka dhënë niveli i ulët i inflacionit, ulja e çmimit të naftës në tregjet ndërkombëtare dhe ulja e importeve të energjisë elektrike. Qytetarët vuajnë për bukën e gojës, ndërsa Ministri i Ekonomisë mburret se ka rritur punësimin dhe konsumin. Por nuk thotë, përse këto rritje nuk kanë shtuar asnjë lek në arkën e shtetit, por përkundrazi ka rënie në të ardhurat nga TVSh, Akciza dhe taksa mbi punën. Qytetarët nuk mund të paguajnë faturën e energjisë dhe turistët mallkojnë veten që zgjodhën vendin e territ për pushime, Ministri i Energjisë mburret se ka bërë reformë dhe rritur prodhimin në vend. Por e përgënjeshtron Ministri i Financave, që thotë se mosrealizimi i të ardhurave vjen edhe nga sektori i energjisë. Arka e shtetit boshatiset dhe paratë e shqiptarëve fluturojnë jashtë Shqipërisë sepse krimi, trafiku dhe kontrabanda kontrollojnë shtetin, Ministri i Brendshëm mburret se po lufton me to. Financat e shtetit po falimentojnë për faj të Kryeministrit, ai maskohet duke organizuar aksione me goditje të përqëndruar. 
– Në shifra, cili është dëmi që ka pësuar buxheti i shtetit?
– Megjithatë, Akti i djeshëm Normativ u nxjerr bojën të gjithëve, mbasi pranon boshatisjen e arkës së shtetit dhe ligjëron uljen e buxhetit me 400 milion dollarë. Ai i pakëson të ardhurat tatimore me rreth 230 milion dollarë dhe pothuajse kaq ulen edhe shpenzimet publike, drejtpërsëdrejti apo fshehurazi. Me këtë ulje, qeveria pranon se shtetin e kontrollojnë krimi dhe kontrabanda. Në fillim të vitit, Kryeministri i rriti taksat 160 milion dollarë dhe, për t’u mburrur, buxhetoi edhe 200 million të tjera nga përmirësimi i administrimit. Në fund të Gushtit u mblodhën 30 million dollarë më pak se vjet dhe 200 milion dollarë më pak se buxheti i periudhës. Por kur njoftoi aksionin e radhës, Kryeministri përsëri na tha se do të mbledhë 330 milion dollarë më shumë. Ndërsa sot duke kërkuar heqjen nga buxheti të 250 milion dollarëve pranon publikisht se ka gënjyer për 330 milion dollarët shtesë dhe rritjen me to të pagave, pensioneve dhe investimeve. Ndryshimet e sotme konfirmojnë rritjen e kontrabandës dhe të papunësisë si edhe rënien e konsumit. Për të favorizuar kontrabandistët, Kryeministri ul 7 miliardë të ardhurat nga akciza. Për shkak të kontrabandës dhe rënies së të ardhurave dhe konsumit të qytetarëve, Kryeministri ul të ardhurat nga TVSH-ja 4 miliardë leke dhe nga taksat mbi naftën dhe koncesionet 7.2 miliardë lekë. Për shka të rritjes së papunësisë, Kryeminsitri ul të ardhurat nga taksa e punës 3.3 miliardë lekë. 
-Cilat janë pasojat sociale të defiçitit të buxhetit 2015?
– Në mendësinë e z. Rama, vendi sundohet më kollaj kur qytetarët janë të varfër. Për këtë, në fillim të vitit rriti tatimet, taksat, çmimin e naftës dhe të energjisë elektrike dhe uli buxhetin e ndihmës ekonomike 1.1 mld. lekë. Më vonë hoqi nga skema e ndihmës ekonomike dhe paaftësisë mbi 20 mijë qytetarë. Dje e ul buxhetin për pagat 1.5 miliardë leke, për pensionet 1.2 milirdë lekë dhe për papunësinë 200 milion lekë. Të njëjtën gjë bëri edhe për varfërimin fshatit duke rritur akcizën e duhanit, trefishuar kontributet e sigurimeve shoqërore, duke hequr subvencionet për fermerët dhe sot investimet për ujitjen ulen 520 milionë lekë. Investimet publike duhej të rriteshin të paktën 3 miliardë lekë ndërsa dje u ulën 5 miliardë lekë. Por efekti negativ nga rishpërndarja brenda tyre është më i madh dhe prek sektorët jetikë. Kështu ulen investimet në ujësjellës-kanalizime 2.8 miliardë lekë, në rrugët nacionale 1.8 mld. Lekë dhe në arsimin e mesëm të përgjithshëm dhe profesional 363 milion lekë. Edhe në këtë Akt Normativ Rruga e Arbërit mbetet në listën e projkteve elektorale të z. Rama. Por, qeveria nuk e harron veten dhe i rrit shpenzimet administrative me 2 miliardë lekë.
– Ju çfarë parashikoni për muajt e ardhshëm, për të ardhurat e buxhetit të shtetit?
– Me ndryshimet e djeshme të buxhetit të shtetit 2015, qeveria manipulon treguesit fiskalë dhe hap rrugën për falimentimin e financave publike. Deficiti buxhetor ulet fiktivisht 6.1 miliardë lekë, duke pasqyruar si të ardhura hyrjet nga shitja e licensave 4G të telefonisë celulare. Ato duhej të ishin pjesë e financimeve dhe të përdoreshin 50% për uljen e borxhit dhe 50% për investime publike. Ndërkohë është ulur 2 miliardë lekë mbështetja për sektorin e energjisë dhe 600 milion lekë fondi i kontigjencës. Treguesit e borxhit janë të manipuluar dhe në fund të vitit ato do të përkeqësohen nga rënia ekonomik dhe rritja më e madhe e borxhit në muajt në vazhdim. Ndryshimet e bëra ligjërojnë edhe mosrealizimet në muajt e ardhshëm të këtij viti. Kështu qeveria ju thotë klientëve të saj vazhdoni të fshihni se aksionin e kemi vetëm për zhurmë, ndërsa nëpunësve tatimorë vazhdoni të vidhni për vete dhe për ne sepse ju kemi zbritur edhe të që nuk do të realizoni në muajt në vazhdim. Ndërsa qytetarët duhet të durojnë deri në zgjedhjet e radhës për të marrë ndonjë lek në këmbim të votës.
– Faleminderit!
Sigal