Shehi: Jo investime turke në sektorë të rëndësishëm

466
Sigal

Deputeti i opozitës, Dashamir Shehi, e kundërshtoi propozimin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës nga një grup sipërmarrësish turq. Sipas deputetit, Shqipëria duhet të tregojë kujdes dhe të mos pranojë rindërtimin e Perandorisë Osmane, pasi populli është drejtuar për nga Perëndimi. “Jam kundër zgjerimit të prezencës turke. Nuk duam turbulenca të politikës turke. Bëni oferta për vendet perëndimore. Kromin, metalurgjinë, shkollat, aeroportet po i marrin turqit,” deklaroi Shehi. Ditën kur kryeministri Edi Rama deklaroi se një konsorcium turk ka shprehur interes për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës, agjencia e njohur ‘Reuters’ shkruante se “Rama, zona e të cilit si deputet është në Vlorë, dhe që është mik i presidentit turk, Taip Erdogan, ka insistuar vazhdimisht për një aeroport në këtë qytet”. Konsorciumi turk që ka paraqitur ofertën për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës është i njëjti që po ndërton njërin nga aeroportet e Stambollit me vlerë 22 miliardë euro. Në krye të tij qëndron “Cengiz Construction”, e zotëruar nga biznesmeni Mehmet Cengiz. Gazeta prestigjioze gjermane “Suddeutsche Zeitung” ka raportuar se nga momenti që Erdogan u ngjit në pushtet në vitin 2002, Mehmet Cengiz ka fituar mbi 50 miliardë dollarë tenderë, ose më shumë se 3 miliardë në vit. Gazeta gjermane e cilëson Mehmet Cengiz si pjesë e një kaste biznesmenësh, afër partisë së Erdoganit, të ashtuquajturit “Tigrat e Anadollit”. Ndërsa “Uashington Post” e vlerëson se Cengiz është shembull i sistemit klientelist në Turqi.