Xhafaj: Ku u gabua me ekstradimin e Seitit

565
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pranoi dje se ekstradimi i Nezar Seitit drejt Italisë nuk duhej të ndodhte, pasi për të kishte një urdhër-arresti për një hetim në Shqipëri. Megjithatë, Xhafaj bëri thirrje në emisionin “Studio e Hapur” që për këtë çështje të hetojë prokuroria, duke deklaruar se policia nuk kishte përgjegjësi.

A duhej ekstraduar Nezar Seiti?
“Nëse e shohim nga pikëpamje e marrëdhënieve ndërkombëtare, ai do duhej të ekstradohej, pasi kishte një kërkesë nga Italia. Por nga fakti që ka pasur edhe hetim nga Shqipëria, do duhej të kishte arsye krejt tjetër. Ai është pjesë e grupit që po gjykohet dhe hetohet në Katania. Është një prej atyre personave që janë përfshirë në atë operacion”.

Cili institucion gaboi?
“Të jem i sinqertë e kam ndjekur sa kam mundur këtë debat. S’e kam parë dosjen në tërësinë e vet. Është hapur një hetim nga prokuroria e Durrësit. Do ishte më mirë t’ia linim hetimit të prokurorisë. S’bën sens që nga njëra anë që t’ia linim këtë person prokurorisë dhe nga ana tjetër s’i lëmë atyre mundësinë që të hetojnë”.

Ju keni qenë ministër i Drejtësisë, do e firmosnit?
“Nëse s’do kisha dijeni për një çështje tjetër këtu, do e firmosja. Por nëse do e kisha dijeninë s’do e kisha firmosur”.

Për këto persona s’ka filtra?
“Policia për sa më takon mua ka pasur pjesën e vet të përfshirjes në proces. I kam kërkuar SHÇBA-së që të ngrihej një grup hetimor. Policia kur e ka ndaluar këtë nuk e ka ndaluar si person nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, por në kuadër të një operacioni, pa pasur mandat-arresti për personin në fjalë. Kjo ndodhi pas publikimit të rastit në media, për dosjen italiane. Pas materialit të sjellë të “Interpol Tirana” u vunë në lëvizje strukturat. Ndaj them se nuk ekziston një dokument që provon se për këtë person ka një vendim arresti nga prokuroria shqiptare. Pra policia e ka identifikuar e para, pa pasur një vendim të prokurorisë. Policia ishte duke bërë veprimet e saj në kuadër të arrestit ndërkombëtar. Nëse Prokuroria shqiptare do thotë për këtë ka një urdhër arresti nga autoritetet shqiptare, policia do të vepronte sipas ligjit”.
Sigal