SHANTAZHOHET BIANKU, GJYQTARI SHQIPTAR I STRASBURGUT

616
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Vidiopërgjimi është prova më e mirë për BE-në, sesi qeveria e Rilindjes tenton të kapë Gjykatën e Strasburgut

Denar Biba, nënkryetari i KQZ shantazhoi gjyqtarin shqiptar në Strasburg, duke i kujtuar se do mbetet pa punë…

Zbardhet një video-përgjim, ku Kryetari i KQZ Denar Biba në 2014 ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, që të zbatojë në vendimmarrjet e kësaj gjykate urdhrat e kryeministrit Rama. Atëherë, pyetja që lind është: Kur Denar Biba, si Kryetari i KQZ shantazhon gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut, sa ka ndikuar në procesin e votimeve në Shqipëri, sa ka manipuluar votat në favor të kryeministrit Rama?

Asambleja Parlamentar e Këshillit të Evropës i rrëzon 3 herë kandidaturat kryeministrit Rama

 

Në 31 janar 2017 i mbaroi mandati i gjyqtarit Ledi Bianku në Gjykatën e Strasburgut, dhe qysh asokohe, Shqipëria ende nuk ka gjyqtar përfaqësues në Gjykatën e Strasburgut, Tempulli i Drejtësisë Evropiane. Kjo sepse Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës i ka rrëzuar 3 herë Shqipërisë (qeverisë së kryeministrit Rama, më saktë) të gjitha kandidaturat që i ka përcjellë deri tani. Madje, në 13 prill 2017, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës ka refuzuar për herë të dytë tre kandidaturat e paraqitura nga Qeveria shqiptare për gjykatën evropiane të njeriut në Strasburg. Pasi janë intervistuar nga komisioni me datën 6 prill të tre kandidatët e propozuar nga qeveria shqiptare, Aurela Anastasit, Sokol Berberit dhe Aleksandër Muskajt, ata janë refuzuar. Në argumentin e paraqitur nga asambleja thuhet se këta tre emra nuk janë mjaftueshëm të kualifikuar për të zëvendësuar gjyqtarin shqiptar në Gjykatën e të Drejtave të Njeriut, Ledi Bianku.

Kryeministri Rama 4 herë çon kandidaturën e Sokol Berberit në Gjykatën e Strasburgut

Në prill 2018, Qeveria shqiptare ka dorëzuar emrat e tre kandidatëve për pozicionin e gjyqtarit të Shqipërisë në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Komisioni i qeverisë ka përzgjedhur; Darian Pavlin, Marjana Seminin dhe Sokol Berberin. Kandidatura e Berberit shkon për herë të katër në Gjykatën e Strasburgut, edhe pse 3 herë KE-ja e ka refuzuar, me motivacionin “nuk janë mjaftueshëm të kualifikuar”. Vlen të theksohet se asnjë nga kandidatët e paraqitur nuk i është nënshtruar vetingut, edhe pse reforma në drejtësi e ka bërë detyrimin kushtetues vetingun ndaj çdo kandidati për gjyqtar. Kryeministri Rama bën çmos që të çojë në Gjykatën e Strasburgut një gjyqtar që të jetë i përkushtuar ndaj interesave të kryeministrit Rama, dhe jo t’i shërbejë drejtësisë. Nuk ka tjetër shpjegim, pse kryeministri Rama lë Shqipërinë pa përfaqësuesin e vet në Gjykatën e Strasburgut, duke çuar 4 herë të njëjtin kandidat, të vlerësuar 3 herë nga Këshilli i Evropës “i papërshtatshëm”.

Reforma në drejtësi “Masha” e kryeministrit Rama për të kapur drejtësinë shqiptare

Ndonëse reforma në drejtësi u trumbetua dhe u propagandua nga kryeministri Rama si reforma që do bënte katharsisin e drejtësisë shqiptare, sot, në gushtin e 2018-s, 2 vjet pasi u miratua në Parlament, kjo reformë ka dështuar tërësisht, derisa ka lënë Shqipërinë pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, vettingu është akuzuar si proces që vendos me 2 standarde, ende nuk janë ngritur institucionet e reja të Drejtësisë, Shqipëria është pa kryeprokuror, Shqipëria është pa rend kushtetues. Dhe një qeverie, që qeveris pa Gjykatë Kushtetuese e çon vendin në diktaturë, korrupsioni nuk luftohet. Kryeministri Rama e ka shkaktuar kolapsin në drejtësi, sepse do që ta kapë drejtësinë, duke emëruar në të gjitha instancat e institucioneve të drejtësisë vetëm kandidaturat e gjyqtarëve dhe prokurorëve që janë të bindur ndaj tij. Kjo shpjegon pse kryeministri Rama ka vullnet politik të marrë edhe konsensusin e opozitës, sikurse veproi me emërimin e kryeprokurores së Përkohshme, me 73 vota, e cila në 8 muaj nuk ka hetuar asnjë dosje korrupsioni ndaj qeverisë.

Video-përgjimi: Denar Biba shantazhon gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut, të zbatojë urdhrat e kryeministrit Rama

Në qershor 2014, udhëtoi drejt Strasburgut në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg një delegacion qeveritar, i kryesuar nga Zëvendës Kryeministri i atëhershëm dhe Ministër i tanishëm i Bujqësisë Niko Peleshi, dhe shoqëruar nga Avokatja e Shtetit Alma Hickaj, ish-Zëvendësministri i Drejtësisë Idlir Peçi dhe drejtoresha e atëhershme e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave dhe Ministre e tanishme e Biznesit Sonila Qato. Qëllimi i vizitës ishte pikërisht t’i parashtronte zyrtarisht Kryetarit të GJEDNJ-së Dean Spelmann kërkesën që Gjykata e Strasburgut të pezullonte shqyrtimin e të gjitha rasteve që lidheshin me kthimin dhe kompensimin e pronave, deri në hartimin dhe zbatimin e një ligji të ri mbi pronën, që qeveria do të miratonte së shpejti dhe i cili do të kënaqte të gjitha pretendimet e ish-pronarëve njëherë e përgjithmonë. Pjesë informale e delegacionit qeveritar ishte edhe Zëvendës Kryetari i dhe Kryetari i atëhershëm i KQZ Denar Biba. Qëllimi i udhëtimit të Bibës me përfaqësuesit e qeverisë ishte të takonte gjyqtarin shqiptar të Gjykatës së Strasburgut Ledi Bianku, për t’i kërkuar atij të ndikonte tek kryetari i GJEDNJ-së për pezullimin e çështjeve të pronës të qytetarëve shqiptarë. Exit.al ka siguruar një regjistrim të pjesshëm audio— i cili u dërgua tek ne në mënyrë anonime, përmes postës elektronike—të bisedës së zhvilluar mes Biankut dhe Bibës, e cila duket se është bërë në një mjedis publik, me gjasa bar ose kafe. Në regjistrim, Biba shprehet se atë e ka dërguar Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, për t’i kërkuar Biankut të ndihmojë qeverinë, duke nënkuptuar se ndihma do shpërblehet, kurse e kundërta do ta lërë Biankun pa hapësirë ne sistemin e drejtësisë se vendit pas mbarimit të mandatit në Strasburg.

Video-përgjimi: Ja kërcënimi i Denar Bibës ndaj gjyqtarit të Strasburgut Bianku

Edhe pse regjistrimi ka shkëputje, në të dëgjohen qartësisht fjalët e Bibës:

“Më mori Engjëll Agaçi, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, e më thotë ç’e ke Ledi Biankun? I thashë… Më thonë që nga gjithë këta që kemi afër ne ti e ke [më afër]. [Agaçi më] tha… hajde të pimë një kafe… ky muhabet të mërkurën, të enjten… Tha, kemi këto problemet, e di ti gjithë kjo historia që do kërkohet shtyrja. Të lutem tha, t’i lutesh të na gjendet në gjithë këtë histori … sot është Niko Peleshi [këtu në Strasburg] ka takim [me Kryetarin e GJEDNJ-së]”. Biba vazhdon: “Ma paguan ata biletën…” Pastaj, Biba i drejtohet Biankut për ta bindur që të pranojë të ndikojë: “A të ndalon më ky tren në stacion? Të ngelesh pa punë dhe ç’të vajti sakrifica! Njeriu bën kompromise në jetë.”

Konfirmimi

Exit.al kontaktoi me Ledi Biankun, i cili konfirmoi takimi me Bibën dhe në vija të përgjithshme përmbajtjen e bisedës në regjistrimin audio, që na u dërgua ne në mënyrë anonime me postë elektronike. Bianku, gjithashtu, pohoi për Exit.al, se në përputhje me detyrimet e tij etike dhe ligjore, pas takimit me Bibën, ai informoi në lidhje me këtë ndikim të pa përshtatshëm Kryetarin e atëhershëm të GJEDNJ-së Dean Spielmann. Regjistrimi audio tregon si Zëvendës Kryetari i KQZ-së—një zyrtar i lartë i shtetit, i supozuar të jetë i paanshëm—dërgohet në Strasburg nga krahu i djathtë i Kryeministrit Rama, me qëllimin për të ushtruar presion mbi një gjyqtar të GJEDNJ-së për të ndihmuar qeverinë të mohojë të drejtat e qytetarëve shqiptarë për drejtësi, duke e shantazhuar gjyqtarin se mund të mbetet pa punë pasi të kthehet në Shqipëri pas përfundimit të mandatit. Nëse qeveria Rama ka tentuar të shantazhojë një gjyqtar të gjykatës më të lartë evropiane në mënyrë kaq të hapur dhe të shëmtuar, mund të merret me mend se çfarë trysnie ushtron ai mbi gjykatat e vendit, përfshi Gjykatën Kushtetuese. Mund të merret, po ashtu, me mend se çfarë trysnie mund të ushtrojë ai mbi anëtarët e organeve të vetingut për të mbajtur apo përjashtuar nga sistemi i drejtësisë gjyqtarë e prokurorë sipas besnikërisë së tyre ndaj tij. Përpjekja për të korruptuar gjyqtarin e Gjykatës së Strasburgut për t’ju nënshtruar kërkesave të padrejta të saj, tregon se qeveria e Edi Ramës nuk do të ndalet para asgjëje për korruptimin e sistemit gjyqësor, në Shqipëri dhe në Strasburg. Në të vërtetë, qeveria Rama e vazhdoi trysninë ndaj GJEDNJ-së edhe pas përpjekjes së mësipërme—anëtarë të ndryshëm të saj vazhduan të vizitojnë Strasburgun për të ndikuar drejtuesit e GJEDNJ-së. Kështu, më 9 maj 2016, GJEDNJ-në e vizitoi një tjetër delegacion qeveritar i kryesuar nga Ministri i Financave Arben Ahmetaj për të parashtruar të njëjtin qëndrim para kryetarit të ri të GJEDNJ-së Guido Raimondi, i cili sapo ishte zgjedhur. Pas kësaj vizite, më 12 maj 2016, Kryeministri Rama deklaroi në mënyrë triumfale në sallën e Kuvendit se “Kemi arritur marrëveshje me Gjykatën e Strasburgut se nuk do ketë më vendime pronash kundër Shqipërisë dhe çështja e pronës u zgjidh.” Nuk është e qartë se mbi çfarë baze e bëri kryeministri Rama këtë deklaratë, por është e qartë se ajo bie ndesh më çdo koncept të drejtësisë e shtetit ligjor dhe shkel të drejtën e qytetarëve shqiptarë për një proces të drejtë ligjor për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Trysnia e ushtruar ndaj gjyqtarit Ledi Bianku hedh, gjithashtu dritë mbi dështimin e njëpasnjëshëm të përpjekjeve të qeverisë shqiptare për të zëvendësuar Biankun, mandati i të cili ka mbaruar zyrtarisht që prej një viti.

Do të hetojë prokuroria shantazhin e bërë nga Denar Biba?

Pyetja e vetme që kanë shqiptarët është: Do të hetojë kësaj here prokuroria jonë? Apo edhe prokurorët i tremben …vettingut? Do ta ‘dorëheqë’ kryeministri Rama Denar Bibën nga KQZ-ja?

Reagimet politike

Në vend që të dorëhiqet, Denar Biba akuzon: Jam i ofenduar, videoja është e montuar

Nënkryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba, ka deklaruar për të sqaruar audio-përgjimin, duke thënë se ndjehet i ofenduar nga gjithçka që po ndodh, dhe se është keqinterpretuar ajo që sipas tij ishte një bisedë mes dy miqsh. “Jam i ofenduar nga gjithë kjo që po ndodh, se si një bisedë mes 2 miqsh, pedagog-student, është copëtuar, për t’u paraqitur në këtë mënyrë për qëllime politike. Me Biankun më lidh histori e gjatë, e kam pasur pedagog, më ka ardhur në shtëpi, i kam shkuar në shtëpi, kemi dalë me fëmijët e njëri-tjetrit,” – tha ai. Nënkryetari i KQZ ka sqaruar se me Biankun e lidh një histori e gjatë njohjeje dhe se nuk ka pasur arsye ta shantazhojë gjyqtari i Strasburgut nuk ka pasur gjë në dorë. “Më ka pyetur, e kam pyetur për punën e tij, i kam kërkuar mendim. I thashë me kërkesë të Agaçit, bashkë me Peleshin për këtë kërkesë. Është e pamundur që të shantazhohej dikush që nuk kishte gjë në dorë. Nuk ka qenë ndërhyrje e paligjshme, mjafton të dalë biseda e plotë e pa censuruar,” – u shpreh Biba.

Lulzim Basha, kryetari i PD-së: Skandal i përmasave evropiane dhe akt mafioz

Një audio regjistrim, ku dëgjohet shkoqur sesi gjyqtari shqiptar në Strasburg, Ledi Bianku, shantazhohet në emër të Engjëll Agaçit, sekretarit të përgjithshëm të kryeministrit dhe krahut të djathtë të Edi Ramës, që të ndikojë vendimet e pronave në favor të qeverisë, është prova më tronditëse në këto 28 vjet, që e fakton qeverinë e Edi Ramës si një organizatë tipike mafioze. Audio regjistrimi i Denar Bibës, aktualisht nënkryetar i KQZ dhe kandidat për anëtar të Gjykatës Kushtetuese, është prova më e pakundërshtueshme sesi e ka projektuar Edi Rama drejtësinë e re për shqiptarët. Pasi ka vënë nën kontroll të plotë gjykatat dhe prokurorinë shqiptare, Edi Rama ka kërcënuar edhe shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas regjistrimit audio të publikuar nga media, Denar Biba, në emër të Engjëll Agaçit, Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, ka shantazhuar gjyqtarin shqiptar në Strasburg, që të bëjë kompromis me Qeverinë në kurriz të të drejtave të pronarëve shqiptarë. Kërcënimi është i qartë: Nëse nuk zbaton porosinë e Edi Ramës “pas përfundimit të mandatit do të mbetet pa punë dhe se sakrifica për të zbatuar me korrektësi ligjin nuk do t’i shërbejë për asgjë”. Me këtë gjuhë tipike mafioze, i dërguari i Engjëll Agaçit, pra i Edi Ramës, i kujton gjyqtarit shqiptar në Strasburg se: “ky tren, pra mundësia e për të bërë pazar me Qeverinë, nuk do t’i vijë më në jetë”. Ky shantazh është një akt të mirëfilltë mafioz dhe një rast të paprecedentë jo vetëm në historinë e shtetit shqiptar, por edhe i pa imagjinueshëm në historinë e Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut. Engjëll Agaçi dhe Denar Biba, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me porosi të Edi Ramës, kanë kryer veprat penale të korrupsionit aktiv dhe ushtrimit të ndikimit të paligjshëm në kryerjen e detyrës dhe marrjen e vendimeve nga personat që ushtrojnë funksione publike. Prokuroria duhet të kishte nisur këtë mëngjes procedimin penal ndaj tyre, dhe duhet ta kishte komunikuar këtë publikisht, për të treguar se nuk është një vegël në dorën e Edi Ramës dhe të sejmenëve të tij. Por prokuroria e kapur nga Edi Rama hesht, siç ka heshtur për çdo krim që përfshin zyrtarë të lartë të qeverisë së Edi Ramës. Shantazhi ndaj gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut, zbulon para cdo shqiptari dhe miqve të huaj mekanizmin që përdor Edi Rama për të kontrolluar çdo vendim të prokurorëve, gjyqtarëve e komisionerëve të vettingut në Shqipëri. Kur Edi Rama arrin të shantazhojë gjyqtarin në Gjykatën e Strasburgut, çdo shqiptar e ka të thjeshtë ta imagjinojë presionin, korrupsionin dhe shantazhin që Edi Rama u bën gjyqtarëve, prokurorëve dhe anëtarëve të vettingut. Kjo është prova dhe arsyeja pse komisioni i vettingu ka konfirmuar në detyrë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, siç vinte në dukje pak ditë më parë edhe Ëashington Times. Sot prokuroria duhet të kish nisur menjëherë procedimin penal ndaj Engjëll Agaçit dhe Denar Bibës për shantazh ndaj gjyqtarit shqiptar në Gjykatën e Strasburgut dhe duhej të kishte njoftuar publikun për një hap të tillë. Por kjo nuk ndodh sa kohë kemi një prokurori të kapur nga Edi Rama dhe njerëzit e tij të lidhur kokë e këmbë me krimin. Me vënien e tyre para përgjegjësisë penale, një prokurori që i shërben qytetarëve dhe jo mafias, do të provojë atë që dimë të gjithë, se urdhëruesi i kërcënimit të gjyqtarit shqiptar në Strasburg, është vetë Edi Rama. Asgjë tjetër nuk e justifikon dot heshtjen e Edi Ramës i cili sot duhet shkarkojë nga detyra Engjëll Agaçin dhe Denar Bibën e t’ia dorëzojë drejtësisë.

 

Berisha: Akt kriminal mafioz, paralajmëroj Ramën se…

Super Skandal! Kryekumbari Noriega dhe sekretari i përgjithshëm i mafies shtetërore shqiptare, don Agaçio kërcënojnë gjykatësin në tempullin e drejtësisë të Evropës, Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Të dashur miq, kryekumbar Noriega me sekretarin e përgjithshëm të mafies shtetërore don Agaçio, kërcënojnë haptas në mënyrën më kriminale në tempullin e drejtësisë të Evropës, në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, anëtarin e kësaj gjykate zotin Ledio Bianku. Ata i kërkojnë gjykatësit të ndikojë tek kryetari i kësaj gjykate për të hedhur poshtë dhe mos shqyrtuar dosjet e dërguara nga pronarët legjitim të pronave të tyre të grabitura nga qeveria. Ky akt kriminal mafioz i pashembullt dëshmon se mafia qeveritare shqiptare është një rrezik real serioz për institucionet evropiane të drejtësisë. Paralajmërojmë Edi Ramën se për çdo cenim që mund t’i bëhet gjykatësit në detyrën e tij do marrë përgjigjen që meriton. Ju lutem ndiqni bisedën e kërcënimit të bërë me porosi të Ramës dhe Don Agacios nga famozi Denar Biba me Gjykatësin Ledio Bjanku. sb

 

Prokuroria nis hetimet për audipërgjimin Biba-Bianku

Prokuroria nis hetimet për përgjimin audio ku dëgjohet biseda mes Denar Bibës dhe gjyqtarit shqiptar të Gjykatës së Strasburgut Ledi Bianku. Denoncimi i bë dje, pasi u publikua audiopërgjimi, ku Denar Biba, me porosi të kryeministrit Rama, i kërkon gjyqtarit Bianku të ndërhyjë pranë kryetarit ë Gjykatës së Strasburgut për të penguar gjyqet e shqiptarëve kundër qeverisë për pronat.

Petrit Vasili: Qeveria e drogës tentoi të blejë Strasburgun, Prokuroria të prangosë shkaktarët

Një audio-përgjim shumë shumë i rëndë nxjerr sheshit se si batakçinjtë e qeverisë tentuan të blejnë edhe Gjykatën e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, me qëllimin për të bllokuar fitimin e të drejtës nga ana e qytetarëve. Këta të pacipë me në krye të pacipin flasin e flasin për gjoja drejtësinë e re. Pra, drejtësia e re me gjithë reformën në drejtësi për batakçinjtë e qeverisë është blerja e drejtësisë dhe vendosja e drejtësisë së horrave.Qeveria e drogës dhe e drejtësisë së horrave tentoi të blejë Strasburgun për të grabitur qytetarët shqiptarë.Kjo është vepra penale më e rëndë që mund të ketë konsumuar ndonjë qeveri ndonjëherë.

Gert Bogdani: Biba me urdhër të Ramës kërcënoi gjyqtarin e Strasburgut, që qeveria shqiptare të mos dëmshpërblejë pronarët e ligjshëm në Shqipëri.

Ish-deputeti Gert Bogdani shkruan se Denar Biba, kërcënoi gjyqtarin e Strasburgut, që qeveria shqiptare të mos dëmshpërblejë pronarët e ligjshëm në Shqipëri. Ne të gjithë këtë histori llumi e shantazhi, ajo që po mbetet jashtë fokusit është qëllimi për të cilin Rama dhe emisarët e vet i bëjnë shantazh, presion, joshje gjyqtarit të Strasburgu dhe ky është qëndrimi që kjo qeveri ka për pronën dhe pronarët. Ky mafioz pronash pseudo-socialist në fasadë, po kapitalist grabitqar në thelb, të cilët, edhe kur kanë vendime të ligjshme nga Strasburgu, nuk do t’i dëmshpërblejë. Kjo është në nga shumë bëmat e gjëmat që po bën me pronën e pronarët sot qeveria, që nga bregdeti e deri tek Teatri e kryeqyteti. Prona që njëherë e një kohë ia mori PPSH-ja, ndërsa sot po ia gllabëron PPP-ja! Është për t’i hequr kapelën për qëndrimin dhe integritetin gjyqtarit Bianku, të paktën ka ende shpresë për sa kohë ka ende njerëz të tillë, edhe pse fatkeqësisht numërohen me gishtat e duarve!