Roland Bejko drejtues politik? PD Gjirokastër: Vendimi i deputetit Basha ka zero fuqi juridike. Njohim Tritan Shehun

351
Sigal

Dega e Partisë Demokratike në Gjirokastër i kthen pas Lulzim Bashës vendimin për të emëruar Roland Bejkon drejtues politik të Qarkut, në vend të Tritan Shehut. 

Në një deklaratë për mediat, PD Gjirokastër e quan Bashën deputet, referuar shkarkimit të tij nga delegatët në 11 dhjetor 2021 dhe anëtarësia në Referendum një javë më pas.

Vendimi i deputetit Basha, thuhet në deklaratën e PD Gjirokastër, nuk ka asnjë fuqi juridike.

PD Gjirokastër njeh deputetin Tritan Shehu si të drejtues politik në rang Qarku.

Deklarata
Deputeti Lulzim Basha nuk zotëron as de facto, e as de jure kompetencat e kryetarit të PDSH.

Kësisoj, çdo akt dhe veprim i tij, është në kundërshtim flagrant me Statutin e Partisë dhe tërësisht i pavlefshëm.

Caktimi i Z. Roland Bejko si “drejtues” politik i Qarkut Gjirokastër është në këtë kontekst i barazuar me zero nga fuqia juridike, politike dhe elektorale.

Anëtarësia e Partisë Demokratike të Gjirokastrës u shpreh sipas parimit “Një anëtar, një votë” në referendumin e datës 18.12.2021, me të cilin u çertifikua procesi i shkarkimit të datës 11 Dhjetor.

E ftojmë Z.Bejko të qetësohet, të tejkalojë inatet, qejfmbetjet dhe mllefet e tij personale ndaj Drejtuesit Politik dhe Deputetit të Qarkut Gjirokastër Tritan Shehu, Kryetarit të degës sonë Dasho Alikos, apo edhe liderit historik Sali Berisha.

Politika zhvillohet me gjuhën e logjikës, dhe jo mbi baza sentimentesh. Fitoret si të Pirros, siç qe ky “emërim”, ndonjë pagesë e majme në daljet televizive, apo shpresa e gënjeshtërt për t’u bërë deputet janë pa ndonjë vlerë.

Liria është zgjedhje, thotë Sartri. Secili bën zgjedhjet e veta, por zgjedhja është edhe përgjegjësi. Ne zgjedhim të jemi me demokratët. Partia Demokratike është e anëtarëve, dhe jo e kryetarëve!