Raportet Rama – Kurti, Blendi Fevziu: Shqipëria dhe Kosova kanë mungesë të plotë komunikimi në nivel zyrtar

35
Sigal

Gazetari i njohur Blendi Fevziu nuk e quajti thjesht tension apo marrëdhënie të ftohtë raportin mes Ramës dhe Kurtit, përkundrazi sipas tij marrëdhënia është edhe më keq se kaq. Në një dalje televizive të hënën, ndërsa në Tiranë mbahej Samiti i Berlinit, gazetari tha se midis kryeministrit të Shqipërisë dhe kryeministrit të Kosovës nuk ka komunikim dhe nuk ekziston asnjë marrëdhënie mes tyre. “Mes Ramës dhe Kurtit nuk ka tension personal, por ka mungesë të plotë dhe më vjen çudi që e quajnë tension. Ka mungesë të plotë të komunikimit Shqipëri – Kosovë në nivel zyrtar. Nuk ekziston! Komunikimi midis kryeministrit të Shqipërisë dhe Kryeministrit të Kosovës nuk ekziston, nuk është i ftohtë. Nuk ekziston. Nuk ka fare marrëdhënie midis tyre.” – tha Blendi Fevziu. Më tej ai analogoi një intervistë që kishte patur me Ramush Haradinaj, i cili edhe ky kishte patur problematika me Edi Ramën dikur. Fevziu tha: “Para disa ditësh Ramush Haradinaj më tha në studio që edhe unë kam pasur marrëdhënie shumë të tensionuara me Ramën, por kurrë ndonjëherë nuk ka qëlluar të mos ta presë Ramën apo mos bisedoj apo mos ulem në tavolinë me të edhe pse jemi zënë gati për t’u përplasur me njëri tjetrin. Ndërkohë sot midis Kosovës dhe Shqipërisë nuk ka marrëdhënie”. Sipas gazetarit raporti mes të dyve do të jetë shumë i vështirë dhe një ndër arsyet e këtij konflikti duhet të shihet te tipat shumë të ndryshëm që janë si kryeministri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë. “Kurti dhe Rama janë dy persona krejt të ndryshëm si tipa dhe këtu duhet ta kërkoni edhe një pjesë të konfliktit të tyre. Janë dy personazhe të ndryshëm sa ç’janë të njëjtë në raportin propagandistik dhe ideologjik që kanë me njëri-tjetrin kështu që raporti midis tyre do të jetë shumë i vështirë. Sot që flasim është zero”. Ai tha se përgjegjësi kanë të dy. “Për mua kanë përgjegjësi që të dy padiskutim! Sepse nuk janë aty as si Edi Ramë as si Albin Kurti nuk janë aty as që të shkojnë të pijnë dhe të rrinë për dreka dhe darka për njëri tjetrin po janë aty si përfaqësues të votave të shqiptarëve dhe të votave të shqiptarëve të Kosovës dhe janë të dënuar të bashkëpunojnë pavarësisht humorit personal dhe kimisë që ata kanë me njëri tjetrin.” – tha gazetari Blendi Fevziu.