Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të projekt-buxhetit të vitit 2018 ditën e sotme në parlament ka zbuluar se njëri nga biznesmenët e parë që është gati të investojnë në Shqipëri për të ndërtuar një hotel me 5 yje është mbështetës i PD. Këtë e tha pas akuzave të Bashës, se me ndërtimin e hoteleve me 5 yje po pastrohen para.
Kryeministri tha se jemi i vetmi vend në rajon që nuk e kemi një hotel të tillë, dhe ironizoi hotelet e ndërtuara deri më tani që sipas tij, yjet e të cilave janë të lyera me bojë nga pronarët.
“Jemi një vend për të cilin kanë folur të gjithë ato kryeministra patriot, është më i bukuri, më i miri, dhe është turistik dhe është me dete, me erëra që fryjnë dhe me diell që lind e perëndon më bukur se kudo. Dhe sot jemi i vetmi vend në të gjithë rajonin që s’kemi hotel me 5 yje. Ne do ndërtojmë hotele me 5 yje në Shqipëri. Dhe s’do bëjmë ndonjë shpikje, por do aplikojmë legjislacionin si vendet fqinje, si Mali i Zi, që na ka lënë targën e s’po e shohim më. Si do u bëka ky pastrim parash, jo 5 yje të lyera nga pronari, por marka të regjistruara në top-listën e industrisë turistike. Biznesmeni i parë që do investojë quhet Avni Ponari, do ndërtojë hotel me 5 yje në Valbonë, është mbështetës i PD. Unë nuk i ndaj njerëzit në të tuajët dhe tanët, por pë të pyes mos po pastron gjë para ai” tha Rama.
BASHA I PËRGJIGJET RAMËS: TI I NDAN NJERËZIT NË VOTUES E FINANCUES PARTISH, NDËRSA UNË…
Kryedemokrati Basha i është përgjigjur deklaratave të kryeministrit Rama për investime në turizëm. Ai tha se kreu i qeverisë i etiketon njerëzit si “votues apo financues të asaj apo kësaj partie”.
“Vjen këtu e dërdëllit me batuta dhe me diversione për njerëz që t’i vetë i etiketon si votues apo financues të asaj apo kësaj partie. Unë nuk i ndaj njerëzit në demokratë në socialiste, por i ndaj në njerëz të ndershëm dhe të krimit. Ka socialistë dhe demokratë të ndershëm, nga njëra anë, dhe ka një grup horrash që i ke mbledhur ti në Kuvend për pasurimin tënd, dhe të tjerë si lavatriçe për aktivitetin kriminal. Për 4 vite bëjë sikur nuk shihje drogën, madje qeshje kur në denoncimin, dhe një mëngjes u ngrite, dhe the e mposhtëm drogën. Atë drogën që ti nuk e kishe parë. Është detyra ime të paralajmëroj ndonjë njeri që ka mbetur me ndërgjegje në këtë sallë, që nuk të vjen pas si zombi, që të mos e ngrejë kartonin për këtë buxhet të varfërimit të shqiptarëve. Ka hotele me 5 yje në këtë vend, ti dhe deputetët e tu i njihni shumë mirë. Ndaj ndalni këtë buxhet, të ndajmë politikën nga krimi, të miratojmë reformën zgjedhore, dhe t’i japim fund krimit”, u shpreh Basha.