Petrit Vasili: Modestia, këmbëngulja dhe thjeshtësia, armët e LSI për fitoren

357
LSI përpara një sfide të madhe, atë të zgjedhjeve të 18 qershorit. LSI, LRI, LGI, veshi dhe syri i halleve të qytetarëve shqiptarë
Petrit Vasili e mori fjalën në Konventën Kombëtare të LSI në cilësinë e kryetarit të ri të kësaj partie. E nisi duke thënë se nuk mund të fshihte emocionin e përjetuar nga të qenit sërish pas shumë vitesh në atë foltore. Foli për sukseset dhe rrugën e vështirë që LSI ka kaluar që nga momenti i themelimit të saj deri në ditët e sotme,. Po kështu e cilësoi atë pa frikë si një nga forcat kryesore politike në vend, e cila ka ditur të jetë e matur dhe të marrë vendime të rëndësishme për fatin e vendit.
Sigal

Fjala e Petrit Vasilit

Sot sigurisht nuk ua fsheh, dhe ju flas me zemër në dorë, siç kam folur gjithmonë, jam vërtetë i emocionuar që pas kaq vitesh jam përsëri në këtë foltore dhe për të gjithë ata që nuk e kujtojnë kam pasur edhe nderin e madh që LSI-ja ma ka dhënë, të jem në këtë foltore e të deklaroj themelimin e LSI-së në 6 shtator 2004 dhe të lexoj edhe listën e të gjithë themeluesve. Sot, po në këtë sallë, është e gjithë historia jonë, e gjatë dhe e shkurtër, është historia jonë e fitoreve të mëdha, por edhe e ditëve në të cilat ne kemi përballuar dhimbjet e padrejtësisë. Njëkohësisht është historia e përkushtimit, por edhe e dedikimit ndaj qytetarëve, një mision të cilit ne nuk i kemi munguar as në ditët tona më të vështira. Pra, dedikimit ndaj qytetarëve s’i kemi munguar kurrë e s’do t’i mungojmë kurrë. Sot jemi këtu veteranë të LSI-së, por edhe mijëra e mijëra të rinj, që janë anembanë në këtë sallë, por me shumë mirënjohje, ata që ndodhen jashtë kësaj salle unë i përshëndes dhe i përqafoj të gjithë, pasi është shumë e qartë: nuk ka sallë që na mban, duhen vetëm fusha të gjera të hapura. Jemi të tillë pasi kemi një Shqipëri, tek e cila besojmë se është Shqipëria me rininë, pasi Shqipëria pa rininë është një Shqipëri e vdekur, dhe prandaj kemi një LSI që vetëm rritet, një LSI që vetëm zhvillohet, një LSI që nuk njeh limite, një LSI që ka të drejtë të thotë se do të jemi forcë e parë!

Ilir Meta vë interesat e vendit mbi ato vetjake

Konventa Kombëtare mbahet në një moment delikat, në një moment të qartë krize politike, por njëkohësisht është edhe një moment që e bën të qartë për çdo shqiptar se cila është forcë e përgjegjshme politike dhe cila jo, cila vë interesat e vendit mbi ato vetjaket dhe cila jo, cila është e gatshme të sakrifikojë për vendin dhe cila jo. LSI dhe Ilir Meta kanë bërë gjithçka për të evituar këtë krizë dhe krizat e tjera në të cilat ndodhet vendi. 

Ne kemi bërë të pamundurën dhe kemi dhënë kontribute të jashtëzakonshme për të zgjidhur edhe kriza të mëparshme, që kanë qenë të komplikuara dhe me pasoja tepër të rënda për të sotmen, por edhe për të ardhmen e vendit. LSI ka bërë në këtë drejtim një investim madhor, të sinqertë, të drejtpërdrejtë, pasi ka krijuar me shumë qetësi dhe stabilitet për vendin, dy elemente pa të cilat vendi do të rrokullisej në qorrsokakë shumë të rrezikshme. Në të mirë të stabilitetit të vendit, LSI bëri edhe një tjetër investim të dimensioneve të jashtëzakonshme për të, duke vënë në funksion të zgjidhjes politike zgjedhjen e Kryetarit të Shtetit duke investuar në këtë drejtim atë investim politik çerekshekullor, që Ilir Meta kishte bërë në politikën shqiptare, në radhë të parë për ta mësuar këtë politikë që të dialogojë dhe të shikojë gjithmonë interesin e vendit mbi atë personal. Ndaj sot, po ju them me plot gojën se asnjë strategjist dhe asnjë nga ne këtu nuk e përcaktoi këtë pozicion moral që LSI ka sot kundra konfliktit, gjithmonë pro konsensusit, por ishin rrethanat historike që na paracaktuan që të jemi gjithmonë në këtë linjë dhe në këtë rol dhe për të shkuar akoma më tej. Ilir Meta nuk ishte ai që zgjodhi Presidentin, por ishte presidenca si institucion që zgjodhi atë në këto momente decizive për vendin, sepse dialogu në këtë vend nuk duhet të ndalojë kurrë. Sepse pa dialog, Shqipëria nuk mund të bëhet kurrë. Për ne të gjithë është e qartë si drita e diellit se me Ilir Metën president dhe me LSI-në forcë e parë, Shqipëria është më e qetë, është më e begatë, është më e mirë dhe integrimi evropian ecën përpara. Gjithashtu, për këdo që na ndjek, në shtëpi, jashtë shtëpie, pranë televizorit dhe kudo, në funksion të po kësaj zgjidhje politike, LSI vuri në dispozicion gjithçka që ajo kishte investuar në politikë, vuri në dispozicion që nga mandati i Kryetarit të Parlamentit, mandatet e përfaqësimit të të gjithë ministrave të saj dhe të gjithë funksionet e tjera të përfaqësimit politik vetëm e vetëm sepse kemi një Shqipëri që është shumë më e rëndësishme se sa fati politik i secilit prej nesh. 
LSI përpara sfidës së zgjedhjeve të ndershme
Ne kemi përpara një sfidë që i kalon të gjitha sfidat, kemi sfidën e cila është themeli, burimi, nëna që mëkon demokracinë: kemi zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Vetëm zgjedhje të lira të tilla: të ndershme dhe me standarde, mund të prodhojnë pushtete legjitime, institucione të forta që janë njëkohësisht edhe të besueshme për qytetarët dhe këtë presin në mënyrë të padiskutueshme të gjithë qytetarët nga ne. 

Por cila është detyra kryesore që kemi përpara?
Detyra kryesore është të krijojmë një Shqipëri në paqe, që krijon shanse për të gjithë, që krijon mundësia të vërteta reale për një mirëqenie të prekshme për çdo qytetar pasi çdo veprim politik, i cili nuk përkthehet në mirëqenie për qytetarët, është një vendim vetëm për të ricikluar krizën e radhës apo interesin politik të radhës.

Ne e kemi detyrë të rëndësishme e të fortë që gjithë këtë frymë të shkëlqyer pozitiviteti të dukshëm që e ndien çdo shqiptar nën dritën e flamurit të LSI-së ta çojmë fort përpara.

Nën idealin e LSI-së ndërtohet ajo Shqipëri që duam, Shqipëri pa konflikte që punon vetëm dhe vetëm për mirëqenien e gjithsecilit dhe asnjëherë për armiqësimin e shqiptarëve me njëri-tjetrin, pasi në këtë sallë por edhe mijëra e mijëra shqiptar jashtë kësaj salle e dinë që filozofia kryesore që rrënjosi Ilir Meta në themelin e LSI-së dhe në politikën shqiptare në përgjithësi është që të mos armiqësohemi kurrë me njëri tjetrin. Kjo besoj është një filozofi që të gjithë duhet ta bëjnë të vetëm pasi Shqipërinë e kanë gërryer, e kanë shqyer armiqësitë e të gjitha formave. Intrigat e të gjitha formave, poshtërsitë e të gjitha formave, pabesitë e të gjitha formave.

Prandaj ne nuk keni kohë të humbasim shanset tona. Ne jemi të palodhur, ne jemi të palodhshëm, sepse një i ri kërkon një shans për një shkollë më cilësore, një e re kërkon një shans për një punë të mirëpaguar. Një prind kërkon një shans për një familje të shëndetshme me punë të sigurta e me të ardhura më të bollshme.

Një nënë kërkon një Shqipëri që nuk ia largon fëmijën po ja mban pranë vatrës së saj.
Një i moshuar kërkon një shans që pensioni i saj të jetë i mjaftueshëm, të jetë dinjitoz në fund të fundit. Një profesionist i lirë kërkon shansin që të dëgjohet. Një zanatçi kërkon të angazhohet në kohën e tij të lirë e të dëgjohet. Një profesor kërkon të flas, të shkëmbej pikëpamje. Një i ri kërkon të drejtoj një organizatë partie, pse jo në një fshat të largët. 

Të gjithë e meritojnë një shans. Ne duam ta përmbushin misionin tonë duke i dhënë të gjithëve shansin që meritojnë. LSI duhet të ketë shansin që ajo të mirëqeverisë vendin.

Ne sot kemi një objektiv politik të qartë dhe ai është vetëm një “LSI, FORCË E PARË POLITIKE”. Arsyeja e këtij objektivi është shumë e qartë dhe e thjeshtë për këdo, LSI ka punuar me bindje për të ardhmen e shqiptarëve. E ardhmja e shqiptarëve nuk mund të fillojë nga asnjë pikë tjetër përveç se nga rinia e saj. Rinia e shqiptarëve sot ka një flamur të sajin, ka një objekt krenarie, ka një model më të shëndetshëm e politikës shqiptare, ka një shembull edhe për politikën e vjetër dhe me shumë intriga të lodhshme dhe inproduktive. Dhe ky model është Lëvizja Rinore për Integrim.
Pra ne do të fitojmë me tre armë: Modestinë, këmbënguljen, thjeshtësinë.
Në asnjë rast, asnjë i ri i LSI-së apo përfaqësues i saj, qoftë ky kandidat në listën për deputet, militant, drejtues, simpatizant apo kushdo që të jetë, nuk do të ketë mundësi kurrë të na përfaqësojë emrin e LSI-së në rast se ai flet dhe sillet me arrogancë. 

Ka nga ata që jetojnë nën moton që unë kam gjithçka dhe s’ka rëndësi për të tjerët. Po këta as nuk kanë për të qenë pjesa jonë dhe as nuk do të jenë motivi ynë dhe as nuk do të jenë rruga jonë. Rruga jonë e vetme është: Brenga jote është e imja, problemi jot është i imi, hajde ta ndajmë së bashku. Kjo është motoja jonë, kjo është LSI-ja.

Ne do ta prijmë këtë proces zgjedhor. Do të themi me bindje të plotë që jemi më të mirë për t’i dhënë Shqipërisë atë frymëzim që ajo meriton. Për t’i dhënë asaj shpresën që ja ngroh zemrën. Të rrojë Shqipëria, atdheu ynë shumë i shtrenjtë dhe mbi të gjitha të rrojë LSI, LRI, LGI të gjithë së bashku dhe përpara për fitoren dhe për të qenë forcë e parë.
Kryemadhi: Jam ndier zonjë e parë që kur nisa rrugëtimin politik me Ilir Metën
Ajo është cilësuar si gruaja e hekurt dhe që di të përballojë çdo sfidë me shumë kurajë. Deklaroi se ishte hera e parë që merrte fjalën në Konventën e LSI-së. Teksa foli për sfidat që presin partinë dhe përgjegjësitë që do të ketë pas zgjedhjes në postin e zv/kryetares, Kryemadhi nuk ngurroi të flasë edhe për pozicionin e saj pas 24 korrikut, kur Ilir Meta, do të jetë në krye të shtetit. Për Kryemadhin, zonjë e parë nuk mund të quhesh nga posti, por nga puna që bënë. Dhe ajo thotë se e ka ndjerë vetën të tillë që në kohën kur nisi rrugëtimin politikë përkrah bashkëshortit. 
“Delegatë dhe delegate të Lëvizjes Socialiste për Integrim!
Dua t’ju them që në 12 vjet e gjysmë jetë të Lëvizjes Socialiste për Integrim, për mua kjo është hera e parë që flas në një Konventë Kombëtare. M’u desh në fillim të përballem me neglizhencën dhe më pas për t’u rikthyer në jetën time të përditshme, për të luftuar dhe për të qëndruar si çdo vajzë e grua e LSI-së në këtë që kam bërë në 26 vite të jetës time politike. Njeriu nuk tërhiqet përballë vështirësive, jo vetëm nga ata që ka kundërshtarë politikë, por njeriu lufton çdo ditë pa ndalesa dhe pa u lodhur, për të qenë pjesë aktive e politikës dhe më shumë për t’i shtuar oksigjenin kësaj zemre kaq të madhe, që e ka emrin LSI. As mos e çoni ndër mend që do të flas për politikën e madhe. Nuk do të flas për politikën e madhe, që na lodhi fizikisht dhe mendërisht në gjithë këtë kohë, për atë politikë që më shumë se asnjëherë tjetër po tregohet e pafuqishme dhe apatike për t’i dhënë zgjidhje krizës që na ka përfshirë, e cila gërryen çdo ditë e më shumë ekonominë tonë të brishtë. Edhe sot e patë se si kjo politikë, peng i interesave dhe i paqartësive nuk arriti ta zgjidhë krizën prej kaq shumë javësh me gjithë kontributin e palodhur të LSI-së.
Dy partitë e vjetra nuk arritën dot t‘i japin zgjidhje ngërçit politik, pjesëmarrjes së opozitës në zgjedhjet e qershorit. Kjo paaftësi e burrave që shqiptarët i shohin si zotër të fateve të tyre, duhet të na bëjë ne më të përgjegjshme për të qenë faktorë stabiliteti në vend. Që politikanët, të cilët e kanë shndërruar këtë vend në arenën e përplasjeve pa mbarim dhe që po e rrënojnë ekonomikisht, LSI-ja duhet të jetë garanti i stabilitetit. 
Ka nga ata që mendojnë që përtej deklaratave, unë do të jem sipas protokollit Zonja e Parë e Presidentit. Ju them të gjithëve ju, edhe më skeptikëve, që unë jam e nderuar të jem sikundër parashikohet në ceremonial Zonja e Parë, më shumë se aq, jam ndier dhe ndihem e nderuar që jam zonja e Ilir Metës. Unë jam ndier zonjë shumë e shumë vite më parë, që atëherë kur së bashku me Ilir Metën nisëm rrugëtimin tonë politik.
Asnjë ceremonial nuk i përcakton dot kufijtë e të qenit Zonjë e Parë në krah të një burri të suksesshëm, që më shumë se një grua ceremoniale, preferon të ketë në krah të tij një zonjë luftarake, të paepur në betejat politike së bashku, madje edhe kur bëhet fjalë për betejat brenda mureve të shtëpisë. Ndaj këtë titull që ma dhuron të qenit bashkëshortja e Ilir Metës, unë preferoj ta ndaj me të gjitha gratë e Shqipërisë, të cilat janë Zonja të Para në shtëpitë e tyre dhe në Shqipërinë tonë. Sepse asnjë titull nuk të bën zonjë.
Zonjë të bën përkushtimi që ke ndaj familjes dhe ndaj vendit tënd. Jam e nderuar që ju sot më propozoni për zëvendëskryetare të LSI-së dhe çdo ditë vazhdoj të inspirohem akoma dhe më shumë nga anëtarët e LSI-së, por më shumë ndihem borxhli ndaj anëtarëve të LRI-së. Është e rëndësishme që ne të mbetemi të përulur, modestë dhe me këmbë në tokë dhe jo arrogantë, sepse misioni ynë është që të punojmë me njerëzit. Çfarë shprese mund t’u japësh sot të rinjve shqiptarë, ju që jeni sot në këtë sallë, ku një grup politikanësh që pas 73 ditësh në krizë, ulen për të diskutuar dhe dalin pa një zgjidhje për zgjidhjen e krizës. Pikërisht për këtë, ajo që pëlqej më shumë dhe adhuroj te LSI-a është, se kur LSI-a bën premtime, ajo i mban ato. Prandaj, ne do të realizojmë premtimin tonë për t’i treguar edhe njëherë shqiptarëve që LSI-a e mban fjalën e saj. Suksese!”. 
Ministrja e Integrimit, Gjosha: LSI forcë e madhe
“Kjo konventë mblidhet në një moment kritik, pasi situata në të cilin ndodhet vendi është tejet delikate, dhe sigurisht maturia e Lëvizjes Socialiste për Integrim është ajo që e diferencon këtë parti nga forcat e tjera politike. Lëvizja Socialiste për Integrim ka treguar gjithnjë përgjegjshmërinë më maksimale në orientimin e saj, për të bërë më të mirën për të ardhmen e vendit dhe është investuar me të gjithë potencialet e vendit, me të gjithë potencialet dhe energjitë e saj, për të evituar çdo krizë në të shkuarën dhe veçanërisht krizën aktuale në të cilën ndodhemi. LSI është investuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke krijuar kushtet e stabilitetit dhe të qetësisë së vendit, pa të cilat e ardhmja e fëmijëve tanë do të ishte vazhdimisht e trazuar. Nuk kam qenë asnjëherë natyrë që mbaj sytë nga e shkuara, por mendoj që sot duhet që ne të rinjtë e kësaj partie, dhe për më tepër ata që janë akoma edhe më të rinj se ne, duhet të kthejmë kokën pas në ditën kur u krijua Lëvizja Socialiste për Integrim. Unë personalisht shpreh mirënjohje të thellë dhe të veçantë që falë investimit të këtyre njerëzve më është dhënë mundësia sot që të kryesoj një nga listat më të rëndësishme, siç është ajo e kryeqytetit, Tiranës sonë. Eksperienca ime është një eksperiencë që mund t’i përkonte çdo të riu, çdo të reje, pasi unë vij nga një familje e thjeshtë, e cila me një sakrificë të madhe, në vitet më të vështira ‘97-‘98 më krijoi kushtet që të ndiqja studimet e mia në një nga vendet më të zhvilluara të Evropës. Unë jam e bindur se të rinjtë me energjinë e tyre do ta bëjnë LSI-në të jetë forcë e parë. Do doja në fakt të ndalesha edhe te një veçori tjetër e listave tona. Lista e Tiranës përmban 50% gra dhe vajza madje për herë të parë në historinë tonë politike ne kemi 3 vajza dhe gra në krye të listës së kryeqytetit, vendim ky që për habinë e të gjithëve, KQZ ka mbajtur një mendim penalizues për Lëvizjen Socialiste për Integrim. Në fakt nuk ndodh në asnjë vend të botës të penalizohesh, sepse favorizon 3 gra dhe vajza me shumë vlera të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Një shans për të gjithë do të thotë dhurimi i shpresës dhe i mundësive për çdo familje shqiptare. Këtë LSI e ka bërë dhe do ta bëjë gjithnjë me vepra dhe jo thjesht me fjalë. Katër vjet më parë mua mu besua një detyrë e rëndësishme, ajo e ministres së Integrimit Evropian, jo sepse integrimi i Shqipërisë është një nga shtyllat kryesore mbi të cilën është themeluar Lëvizja Socialiste për Integrim, por sepse mbetet një nga prioritetet më madhore për të ardhmes sonë evropiane. LSI ka qenë gjithmonë pararojë për procesin e Integrimit. Nuk besoj se ka nevojë për shumë fjalë për frymën e lidershipit që ka përcjellë Ilir Meta në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dua që në emër të çdo të riu si unë që është kthyer në vendin e tij dhe i ka gjetur dyert e mbyllura, t’i shpreh atij një mirënjohje për besimin që i jep gjithsecilit prej nesh. LSI, forcë e parë”.
Kërpaçi: Të rinjtë do sjellin një zë ndryshe në Kuvend
“Të dashur miq, shokë dhe shoqe! LSI sot është partia e vetme që mendon t’ju japë shansin jo vetëm juve që jeni këtu, anëtarëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por çdo qytetari të Shqipërisë. Ne jemi partia e njerëzve të thjeshtë, ne jemi partia e rinisë dhe e shpresës së rinisë për të gjetur një shans për veten e saj në Atdheun tonë të mrekullueshëm. Rinia te LSI kërkon shansin për të luftuar varfërinë ekonomike, shansin për arsimim më të mirë, shansin për mundësi për punësim, shansin për të luftuar depresionin e shkaktuar nga mungesa e punësimit apo arsimimit. Rinia ju është mirënjohëse që keni krijuar një parti për njerëzit dhe ku ka hapësira për të gjithë. Si kryetare e Lëvizjes Rinore për Integrim bashkë me të gjithë miqtë e mi kemi udhëtuar dhe zhvilluar takime me të rinj në çdo cep, fshat e qytet të Shqipërisë, kam dëgjuar hallet dhe shqetësimet e tyre, kemi ndarë me ta problemet që i shqetësojnë çdo ditë. Prandaj 18 qershori është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne dhe për të ardhmen tonë. Këto zgjedhje do të jenë zgjedhje për rininë shqiptare. Këto ditë më ka ndodhur të takoj disa njerëz, madje edhe në gazeta, kam dëgjuar se të rinjtë nuk mund të jenë pjesë e Parlamentit dhe vendimmarrjes, sepse të rinjtë nuk e kanë eksperiencën e duhur, të rinjtë nuk munden. Po pse nuk thonë këta njerëz që ka qenë eksperienca dhe kokëfortësia e liderëve aktualë që na kanë sjellë në këtë situatë krize, ku ndodhet vendi jonë sot. Madje, jo vetëm e liderëve, por edhe e shumë anëtarëve të Parlamentit të këtyre forcave politike që rrinë e shohin dhe nuk bëjnë asgjë për njerëzit. Është eksperienca e këtyre politikanëve që na ka sjellë në zënka të vazhdueshme ndërmjet PS dhe PD. Kjo eksperiencë e ka çuar vendin tonë në kaos dhe është kjo krizë që ka larguar investimeve të huaja, duke larguar kështu shanset për të hapur vende të reja pune. Më lejoni t’ju them se çfarë të rinjtë do të sjellin në Parlamentin e ri. Të rinjtë do të sjellin zërin e tyre, zërin e rinisë, do të sjellin ide të reja dhe vizion të ri, gjithashtu edhe një eksperiencë të re”.