Rama nuk ka asnjë plan / Reagimi i Bashës pas vendimit të fundit të kryeministrit

76

Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar për vendimin e qeverisë Rama për të mbyllur pjesërisht shkollat që nga 1 Dhjetori. Me anë të shkrimeve në Twitter, Basha thotë se kryeministri nuk ka asnjë plan për të fituar luftën kundër pandemisë, ndërsa thekson se atë që thotë sot, nuk e thotë nesër.

Sipas Bashës, Rama ka humbur kontrollin ndaj pandemisë pasi më parë shprehej se fëmijët nuk të infektojnë me Covid, ndërsa tani merr vendimin që të bëjë mbyllje të pjesshme të shkollave.

“Rama nuk ka asnjë plan. Dhe pa plan, nuk mund ta fitosh luftën kundër pandemisë. Shqipëria ka nevojë për një qeveri që punon dhe merr vendimet e duhura për njerëzit, jo për qeverinë Rama që çfarë thotë sot, nuk thotë nesër!

Dje Rama deklaroi se nuk ka asnjë arsye për të mbyllur shkollat sepse “fëmijët nuk të infektojnë me koronavirus”. Ndërsa sot shpalli mbylljen e pjesshme të shkollave. Rama e ka humbur kontrollin ndaj pandemisë dhe as që ia ka idenë se çfarë duhet bërë”, shkroi Basha në Twitter.