Qeveria nuk ndalet, jep me koncesion edhe programet për dhënien e shtetësisë shqiptare.

188
Sigal

Dhënia e shtetësisë shqiptare do të jepet me koncesion. Kjo përcaktohet në një prej vendimeve të firmosuara nga kryeministri Edi Rama dhe që mban datën 29 korrik dhe në të thuhet se koncesioni ka të bëjë me “zbatimin e procedurave të koncensionit/partneritet publik privat në sektorin e programeve të shtetësisë”. Deri më tani dhënia e shtetësisë shqiptare, e drejtë Kushtetuese, ishte një proces i gjatë, ku përfshihen disa institucione, madje edhe ato të sigurisë, ndërsa gjithçka formalizohej me një dekret që mbante firmën e Presidentit të Republikës. Procesi përfshin një seri hallkash, dhe sipas Ministrisë së Jashtme shqiptare, ai zgjat deri në 3 muaj. Por duket se një vendim me propozim të ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi zhbën gjithë procesin dhe shërbimi kalon me koncesion. Në vendimin e firmosur nga Rama nuk jepen detaje se si mund të aplikohet, apo se si do të veprohet, kjo pasi shtetësia shqiptare fitohet me lindje; origjinë; lindje në territorin e Republikës së Shqipërisë; natyralizim dhe birësim. Nuk dihet se sa mund të përfitojë koncesionari nga ky proces, por deri më sot shteti shqiptar për çdo aplikim arkëtonte 30 euro. Kryeministri Edi Rama kohë më parë ka hedhur idenë e përfitimit të shtetësisë shqiptare, kundrejt investimit, që mund të bënte në Shqipëri personi i interesuar. Kjo solli reagime në atë kohë edhe nga organizma ndërkombëtare, çka duket se detyroi Kryeministrin të tërhiqej. Por siç duket ishte një tërheqje e përkohshme, përderisa ai po jep me koncension procedurën e dhënies së shtetësisë.