Standard i ri i SPAK! Komunikon akuza për “pastrim parash” e “korrupsion”, por nuk kërkon masa sigurie

Një tjetër zhvillim në dosjen penale ndaj ish-zëvendëskryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ngre pikëpyetje mbi standardin e ndjekur nga Prokuroria e Posaçme.

SPAK njoftoi këtë të mërkurë, më 9 shtator, se hetimet në procedimin penal nr.136 të vitit 2025 janë thelluar dhe se ndaj Ballukut kanë rezultuar fakte të reja penale, jo vetëm për shkeljen e barazisë në tendera, por edhe për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë.Por, pavarësisht rëndimit të dukshëm të pozitës penale të ish-numrit dy të qeverisë, nga njoftimi zyrtar nuk rezulton që SPAK të ketë kërkuar një masë të re sigurie personale apo rëndimin e masës ekzistuese qoftë ndaj Ballukut apo personave të tjerë të përmendur në njoftim.

Sigal

Masa e vetme e re e njoftuar është ajo pasurore: sekuestrimi preventiv i një vile në kompleksin “Green Coast”, në Palasë.Sipas SPAK, Balluku dyshohet se është pronarja faktike e vilës “2F nr.188/1, Nukli 27”, ndërsa pasuria është mbajtur e fshehur përmes përdorimit të ish-futbollistit Igli Tare dhe veprimeve që organi i akuzës i konsideron fiktive. Prokuroria pretendon se fillimisht është përdorur një kontratë sipërmarrjeje në shumën 250 mijë euro, ndërsa më pas investimet për përfundimin e objektit janë marrë përsipër nga Arbër Abazi, pronar i “Alko Impex General Construction”.

Sipas preventivit të cituar nga SPAK, këto investime kapin një vlerë nga 288 mijë deri në mbi 410 mijë euro.SPAK shkon edhe më tej. Sipas versionit të organit të akuzës, Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, dyshohet se ka kërkuar dhe marrë këtë përfitim të parregullt në këmbim të favorizimit të kompanisë “Alko Impex General Construction” në tenderin për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me fond limit rreth 2.35 miliardë lekë pa TVSH.Për këtë episod të ri, SPAK thotë se Balluku dyshohet për “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzim për deklarimin, mosdeklarim, fshehje ose deklarim të rremë të pasurive” dhe “Pastrim të produkteve të veprës penale”, ky i fundit në rrethanën cilësuese të bashkëpunimit dhe më shumë se një herë.

Igli Tare dyshohet për pastrim parash, ndërsa Arbër Abazi për korrupsion aktiv të funksionarëve të lartë. Megjithatë, GJKKO, pas kërkesës së SPAK, ka vendosur vetëm masën e sigurimit pasuror “sekuestro preventive” mbi vilën me sipërfaqe totale trualli 478 metra katrorë dhe ndërtesë 142.6 metra katrorë. Në njoftimin e SPAK nuk përmendet ndonjë kërkesë e re për arrest, arrest shtëpie, detyrim paraqitjeje apo një masë tjetër personale për faktet e reja.

Ky standard i ri i SPAK është i ndryshëm nga ai i kaluari, ku represioni me masa sigurie nuk ka ndaluar as ndaj veprave më të thjeshta, dhe ku masa “arrest me burg” janë dhënë në seri, duke përfshirë politikanë, biznesmenë, drejtues institucionesh e deri tek gazetarë.Sigurisht masat e sigurisë nuk duhet dhënë pa arsye shumë të forta, por çdokush mund të dyshoj tek ky standard i dyfishtë dhe të ngrejë pikëpyetje nga ndryshon Belinda Balluku me Ilir Metën, Benet Beci me Erion Veliajn, Igli Tare me Arben Dervishaj e kështu me radhë.Kjo nuk është drejtësi, as barazi para ligjit, por përzgjedhje personale e prokurorëve të SPAK, për të kënaqur orekset apo porositë e personave të jashtëm.