“Qeveria më gjobiti 5 milionë për ndërtim pa leje”, Noka në Bathore: Më 25 prill votoni për një qeveri që kujdeset për njerëzit

216
Sigal

Kandidati për deputet i PD-së, Flamur Noka ka qenë sot në banesën e një qytetari në Bathore, ndërsa nuk i ka kursyer sulmet për qeverinë.

Noka tha se me standardet e dyfishta, qeveria po gjobit në masë njerëzit e pamundur për rregullime të vogla që u bëjnë shtëpive dhe lejon kullat e betonit të ngrihen kudo. Ai u shpreh se një rast i tillë është në Bathore, në familjen e Melail Delihasanit, i cili i tregoi Nokës keqtrajtimin nga autoritetet.

“Jetojmë me një pension 44 mijë lekë të vjetra, por më gjobitën 5 milionë lekë pse po rregulloja muret e shtëpisë. Edhe më shoqëruan në polici për disa orë. Po a mund të na trajtojnë kështu në këtë moshë e në këto kushte?”- tha i revoltuar kryefamiljari pensionist.

Flamur Noka u shpreh se kjo gjendje absurde do të marrë fund në 25 prill, si dhe ftoi çdo banor të Kamzës të votojë për PD dhe ndryshimin.

“Rilindja jo vetëm që nuk kujdeset për qytetarët, por ai që nuk ka as bukë për të ushqyer fëmijët, që nuk ka përkrahje dhe mbështetje, futet në burg pse vendos çatinë që të mos flenë fëmijët në ujë, ndërkohë që ata për vete vjedhin miliarda. Kjo është fytyra e këtij regjimi.

Ne do të bëjmë ndryshimin dhe më 25 prill do të vijë një qeveri e njerëzve dhe për njerëzit. Nuk mund të jetë pushtet normal ai që gjobit dhe burgos hallexhiun. Kjo është e papranueshme.” – u shpreh Noka

Drejtuesi politik i PD në Kamëz e siguroi familjen e pensionistëve se me marrjen e drejtimit të qeverisë nga PD, një nga vendimet e para do të jetë rritja e pensioneve dhe dyfishimi i ndihmës ekonomike.