PS-PD ‘gjejnë gjuhën’ në parlament, shtyhet për votim në seancën e ardhshme Komisioni Hetimor për inceneratorët

183
Sigal

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialistë, Taulant Balla kërkoi në seancën e sotme plenare në Kuvend që votimi për Komisionin Hetimor për inceneratorët të shtyhet për në seancën e radhës, kërkesë kjo e cila u mirëprit nga Partia Demokratike.

Balla u shpreh se kjo kërkesë vjen pasi duhet që fillimisht të saktësohet objekt i hetimit.

“Lidhur me procedurat e ndjekura për impiantet e trajtimit të mbetjeve, dua të informoj se kemi komunikuar me PD për të detajuar objektin e punës hetimore në Komision. Do të doja që votimi të shtyhet në seancën pasardhëse me besimin se deri në seancën pasardhëse do ta kemi detajuar plotësisht objektin e hetimit”, tha Balla.

Nga ana tjetër Gazmend Bardhi, tha se ka pasur një tentativë të qartë të PS-së për të penguar ngritjen e Komisionit Hetimor, duke theksuar se janë dakord që votimi të shtyhet për javën tjetër.

“Sot jemi informuar për një kërkesë të grupit të PS , dhe në biem dakord që votimi i këtij Komisioni të shtyhet për javën tjetër”, u shpreh ai.