Tom Doshi edhe këtë legjislaturë parlamentare sërish nuk do ta marrë mandatin e deputetit, duke qëndruar jashtë Kuvendit, edhe pse e kishte renditur veten të parin në listën e mbyllur të Partisë Social-Demokrate të Qarkut e Tiranës.
Tom Doshi, së bashku me 11 kandidatët e tjerë të PSD-së, dorëzuan dorëheqjen në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve dhe Ilirjan Celibashi ia ka dhënë mandatin e deputetit kandidatit më të votuar të listës së hapur. Bëhet fjalë për kandidatin Tedi Mula, i cili në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit, arriti të merrte 2 503 vota preferenciale.
“Për kandidatët fitues të listës së PSD-së, lidhur me këtë subjekt zgjedhor është depozituar kërkesa, me objekt dorëheqjen e të gjithë kandidatëve të listës së fiksuar. Për sa më lart në këtë relacion, KQZ-së i propozohet shpërndarja e mandatëve dhe përcaktimi i kandidatëve fitues në qarkun Tiranë nga lista e hapur.” – u tha në mbledhjen e sotme të KQZ-së drejtuar nga Ilirjan Celibashi.
Kujtojmë se PSD më 11 Maj mori edhe dy mandate në Qarkun e Shkodrës, por nuk dihet se si do veprojë kjo forcë politike për mandatet në këtë qark.
Tom Doshi dha dorëheqjen edhe në vitin 2021, duke mos hyrë në Kuvend, teksa ai është i shpallur “non grata” nga SHBA.




















