PS mbush 24 vjet, me histori 14 vjet në opozitë dhe 10 vjet në pushtet

493
Nuk e dimë, nëse drejtuesit “rilindës” të PS e dinë, që sot kanë 24 vjetorin e partisë që drejtojnë, por kujtojmë që sot më 12 qershor 2015, Partia Socialiste e Shqipërisë mbush 24 vjet jetë në politikën pluraliste shqiptare. Që prej 24 vitesh nga dita e tjetërsimit nga PPSH në PSSH, aktualisht me 90% figura të reja drejtuese në qendër e në bazë, PS është një fuqi politike konkrete, aktive, prezente, dominuese dhe me struktura e anëtarësi të gjerë deri në skajet e Shqipërisë. Ajo e ka nisur startin e saj si forcë politike, në 12 qershor 1991, ose më konkretisht në fundin e “jetës” së PPSH, kur kjo parti u asfiksua, kur e humbi “rolin e vetëm udhëheqës”. Kishin kaluar vetëm 42 ditë nga zgjedhjet pluraliste të 31 marsit 1991, kur PPSH qëndroi si forcë në pushtet me emrin, siglën dhe udhëheqjen tradicionale të PPSH, të drejtuar prej 5 vitesh komunizëm nga Ramiz Alia, prej 44 vitesh nga Enver Hoxha, i cili e uzurpoi këtë post në 8 Nëntor të vitit 1941, duke e mbajtur prej 41 vitesh në pushtet, deri në ndarjen e tij nga jeta në vitin 1985. Më 12 qershor 1991, PS u shpall si forcë e re politike. Fitorja e PPSH në 31 mars 1991, nuk shprehu “besimin e shqiptarëve” tek ajo, por ajo fitoi shumicën e absolute të 240 vendeve në parlament, mbasi ishte ende shpejt që shqiptarët të shkëputeshin prej ideologjisë dhe frikës që ajo kishte instaluar e dhunës që kishte praktikuar në 45 vite. Vota me shumicë për PPSH në 31 mars 1991 edhe pse zgjedhjet ishin pluraliste, tregoi se shqiptarët nuk besonin se kjo parti kishte dalë nga loja si “parti shtet”, për vetë faktin që psikologjikisht ishin peng të saj. Vetëm 42 ditë pas këtyre zgjedhjeve PPSH, politikisht “dorëzoi çelësat” në mënyrë publike, duke organizuar Kongresin e 10-të, kongres i cili ishte strati i krijimit të PS, siç u deklarua në atë kongres, si vazhdimësi e kësaj partie, por pa fuqinë, praktikat dhe ideologjinë e PPSH. Ky kongres, ishte një “deklarim” i hapur i udhëheqjes “plakë” të PPSH dhe diktaturës komuniste, për shkëputjen nga trashëgimia “hoxhiste”. Përveç ndryshimit të emrit nga PPSH, në PSSH, ky kongres hartoi dhe “vulosi” platformën e një partie të re me program evropian, duke shpallur reformimin e saj në emër, logo dhe në udhëheqjen qendrore. Disa nga themeluesit e PS-së, ishin Fatos Nano, Ilir Meta, Pandeli Majko, Moikom Zeqo, Leontjev Çuçi, Maqo Lakrori, Servet Pëllumbi, Sabit Brokaj, Namik Dokle, Ndre Legisi, Lush Përpali, Gramoz Ruçi etj. Edhe pse PS, ishte produkt politik i përmbysjes së PPSH dhe vazhdim reformues i saj në figura, mentalitet e ideologji, kjo parti njeh edhe me statut e “histori” datën 12 Qershor 1991, si ditën e themelimit të saj.
Ramiz Alia hoqi bustin e Enverit dhe klasikët e M-L nga sfondi i kongresit
Pasardhësi i Enver Hoxhës, i cili qëndroi vetëm 5 vite në pushtet si shef i PPSH, “reformatori” Ramiz Alia (siç e ka quajtur dhe Berisha në mitingun me studentët në dhjetor 1990), inskenoi me urgjencë ndryshimin e emrit dhe programit të PPSH, në PSSH. Ai përgatiti Kongresin e 10-të PPSH, të cilin në fakt e nisi dhe e përmbylli si kongresin akt-themelimi publik të PS. Që nga tribuna ky kishte qëndruar 45 vite si udhëheqës kryesor, në Kongresin e 10-të të PPSH, që në fakt ishte mbledhja themeluese e PS, Alia dha dorëheqjen, duke e justifikuar me zgjedhjen si “President i Republikës”, pas zgjedhjeve të 31 marsit 1991. Në këtë situatë ishte e domosdoshme reformimi i thellë i PPSH, për të vazhduar më tej në kushtet e reja të pluralizmit politik. Shenja e parë e largimit të PPSH nga skena politike dhe zëvendësimi i saj me një parti të re, brenda saj, ishte fakti, që Alia e organizoi kongresin e 10-të të PPSH pa vendosur në tribunën e kongresit, as parullat ideologjike komuniste të PPSH, as klasikët e M-L, as citatet dhe as bustin e Enver Hoxhës. Kaq mjaftoi, që “kongresmenët” e PPSH dhe shqiptarët që e ndiqnin këtë spektakël politik të rënies së PPSH, të kuptonin se tashmë koha e saj përfundoi dhe do kalohej në një format tjetër politik, përshtat zhvillimeve pluraliste e demokratike që kishin nisur në vend. Kjo situatë e befasishme e krijuar prej Alisë, shtangu të 1518 delegatët e kongresit të 10-të të PPSH. Çështja ishte, se ç’vend do të zinte busti i Enver Hoxhës në sallë. Duhej menduar për dy kategori delegatësh, ata që ende e kishin për zemër figurën e Hoxhës, e që s’mund të shpërfilleshin dhe ata që nuk e donin më. Para se të mblidhej kongresi, Alia e kishte menduar zgjidhjen bashkë me grupin e punës. Nuk u vendos busti siç ishte vendosur në kongreset paraardhëse, mbi presidium, por u gjet një basoreliev dhe u vendos në pjesën e daljes së sallës. Anëtarët e Byrosë Politike, e dinin tashmë, që në një prej seancave të kongresit, do të shpërthenin akuza dhe kritika të ashpra kundër veprës dhe figurës së Enver Hoxhës e vet byroistëve, gjë të cilën e kishte inskenuar Ramiz Alia dhe një grup mbështetësish, të tij në kupolën e PPSH. 
Sigal