Vasili në Fier: Më 21 Qershor vendoset vula, më 22 nis ndryshimi

422
Deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim për qarkun Fier, Petrit Vasili dhe Robert Bitri, kanë prezantuar kandidatët për këshilltarë për bashkinë Roskovec.
Deputeti i LSI-së, Vasili, shprehu kënaqësinë që ndodhet në këtë aktivitet tepër të rëndësishëm e domethënës për ta në kuadër të zgjedhjeve të 21 qershorit.
Duke folur për kandidaten e ASHE-së për bashkinë Roskovec, Majlinda Bufi, deputeti Vasili tha se ASHE vjen në Roskovec me një projekt të qartë, me një kandidaturë dinjitoze, dhe projekti dhe kandidatura kanë shkuar së bashku.
“Për herë të parë kemi të qartë se çfarë do të bëjmë me Roskovecin, por për herë të parë kemi personin e duhur që mund ta bëjë këtë gjë.
Tradita shumë e vjetër e Roskovecit kërkonte prej kohësh që të kishte një kualitet të ri dhe Majlinda Bufi është kualiteti i duhur, qoftë për atë përfaqëson intelektualisht, qoftë për atë që përfaqëson moralisht dhe atë që përfaqëson politikisht.
Me bindjen absolute që ndryshimi mund të vijë me njerëz që janë të zotë ta realizojnë atë. Bindja ime është që Majlinda Bufi do zgjidhet kryetare bashkie më 21 qershor.
Bindja jonë është se ne kemi një zgjidhje të qartë se çfarë do të bëjmë në bujqësi, kundërshtarët tonë nuk e kanë një zgjidhje. Ne kemi një zgjidhje të qartë se çfarë do të bëjmë me arsimin, kundërshtarët tonë nuk e kanë.
Ne kemi një zgjidhje të qartë për jetën artistike dhe se çfarë do të bëjmë me Roskovecin qytet të jetueshëm, ku jo vetëm roskovecarët të jetojnë në mënyrë dinjitoze, por ku edhe ne të gjithë të kemi dëshirë të kthehemi, ndërsa kundërshtarët tanë nuk e kanë”, tha Vasili.
Në vijim të fjalës së tij, Vasili vlerësoi dhe reformën territoriale, e cila rrit së tepërmi kapacitet e njësive të reja vendore.
“Ne nuk mundim që me votën tonë t’i shërbejmë gjëje tjetër, veçse zhvillimit, kurse kundërshtarët tanë kanë hallin që të mbajnë gjallë një alternative zero dhe një kryetar i cili s’do të rritet, por ne s’kemi detyrë të rrisim kryetarin, por Roskovecin. Me këtë bindje të plotë, ne bëmë një reformë territoriale në të cilën nuk e teprojmë kur e quajmë reformë historike, sepse është vërtet e tillë. Në 25 vjet shumë kanë tentuar ta bëjnë, por vetëm “Aleanca për Shqipërinë Evropiane”, e konsideroi atë një dimension të qeverisjes së saj dhe e ktheu në realitet”, tha Vasili.
Duke folur për ndryshimet që do të ndodhin në Roskovec pas 21 qershorit, Vasili garantoi se projekti i ASHE është një projekt shumë i gjatë me synim transformim e thellë të gjithë zonës.
“Më 21 qershor ne votojmë se si ky qytet, si kjo bashki, si të gjitha komunat që janë pjesë e bashkisë së madhe, të mund të ndryshojnë dhe si e presim se si ky ndryshim mund të ndodhë shpejt. Të mos jetë një ëndërr që s’mund të realizohet kurrë, por të jetë një objektiv i prekshëm.
Këto ndryshime mund të ndodhin vit pas viti, dhe në krye të katër viteve ne do të vijmë këtu me kënaqësi për ta rizgjedhur Majlinda Bufin. Ne nuk do të bëjmë asnjë hap prapa, sepse objektivi ynë shkon përtej 21 qershorit, shkon përtej 2017-s.
Projekti ynë është një projekt shumë i gjatë, sepse vendi ynë ka nevojë për një transformim të thellë, të cilin mund t’ia japim të gjithë së bashku duke pasur këtë bindje, këtë optimizëm e këtë besim në fitore. Sot jam i lumtur që të gjithë janë të bindur që ky ndryshim është tek pragu i derës.
Në 21 qershor është vetëm vënia e vulës. Më 22 qershor fillon vrapi ynë drejt ndryshimit, vrap që nuk do ta ndalim duke zgjidhur çdo punë të pabërë, duke iu përgjigjur çdo viti të humbur në Roskovec”, tha Vasili.
Kryetari i Grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, theksoi se, Qeveria qendrore dhe ajo lokale janë në gjendje të bëjnë ndryshimin e munguar e të shumëpritur prej të gjithë.
“Të gjithë e kuptojnë se me më shumë shërbim dhe me më shumë punësim, çdo familje është më e lumtur. Secili nga ju këtu, në mënyrë të padiskutueshme, është një kontribuues i padiskutueshëm për fitoren. Ne nuk e diskutojmë fitoren, por ne kërkojmë një fitore dinjitoze, të thellë, në mënyrë që këtë fitore të thellë kryetarja e bashkisë ta përdorë si një argument të madh për t’i marrë në kohë rekord të gjitha projektet që ajo ka ndërtuar e negociuar, në mënyrë që ndryshimi i shumëpritur të vijë sa më shpejt për ju. Kjo që po themi nuk është as retorika, as propaganda e radhës, por në këtë moment historik kemi mazhorancën më të fortë të të gjitha kohërave, kemi qeverisjen më mendjehapur të të gjitha kohërave, kemi mbështetjen më të madhe ndërkombëtare të të gjitha kohërave”, ka përfunduar në fjalën e tij gjatë këtij takimi, deputeti i LSI-së Fier, Petrit Vasili.
Deputeti i LSI-së, Robert Bitri, u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë Nr. 47 dhe kandidaten e përbashkët të ASHE-së. Më 21 qershor të gjithë të votojmë kandidaten e ‘Aleancës për Shqipërinë Evropiane’ për bashkinë Roskovec, Majlinda Bufi, të gjithë të votojmë nr. 47. Ky numër do të dyfishojë jo vetëm prezencën tonë në Këshillin Bashkiak, por do të ndihmojë Majlindën në kryerjen e detyrës së saj si kryetare e bashkisë. Kryetarja që do të zgjidhet është dhe kryetarja jonë. Majlinda është një njeri me vizion shumë të madh, e pakursyer për qytetin e vetë, një njeri që e di se çfarë i duhet Roskovecit”, theksoi Bitri
Sigal