Pronat dhe varrezat ndajnë shqiptarët me grekët

495
Sigal

Reagojnë Tahiri, Baleta e Lisen Bashkurti: Ja çfarë presim pas ikjes së Papuliasit

Miqësia e dy fqinjëve mijëravjeçarë, Shqipërisë dhe Greqisë, duket se ndahen për dy arsye të mëdha që kanë të bëjnë me pronat dhe identitetin. Çështja e pronave ka arritur në një pikë nevralgjike, e cila kërkon energji politike pozitive që të sqarohet. Ngërçi midis të dy palëve ekziston për faktin se minoritarët grekë kanë përfituar shumë prona në fshatrat e Gjirokastrës, sipas ligjit 7501, ndërsa çamët e Shqipërisë nuk kanë arritur të marrin as pronat e tyre në territorin e tanishëm grek. Sepse shteti helen ndalon hyrjen e çamëve në shtëpitë  e tyre. Nga ana tjetër, Greqia ka arritur të ndërtojë në vise të ndryshme të Shqipërisë disa varreza dhe lapidarë për ushtarët grekë, ndërsa çamët e Shqipërisë  nuk lejohen të ndërtojnë as e dhe një varr të thjeshtë për njerëzit e tyre të afërt që u kthyen në viktima për shkak të barbarisë helene. Duket sikur gjatë kohëve të fundit, politikanët shqiptarë duan të tregohen të kujdesshëm me Greqinë duke mos përmendur çështjen e pronave çame, të varrezave çame dhe lapidarëve të munguar të Çamërisë, brenda territorit grek. Ndërsa Greqia ka ngritur disa lapidarë dhe varreza të pseudo-ushtarëve, duke kërkuar edhe të tjerë. Që këtu, inferioriteti i shtetit shqiptar, krijon një ngërç për konsolidimin e marrëdhënieve dypalëshe sepse, në të gjitha rastet Greqia është imponuese. Megjithëse, Greqia është përcaktuar si një nga partnerët kryesorë të vendit tonë, përsëri duket se ligji i luftës, apo keqkuptimet për pronat po e grijnë nga brenda miqësinë greko-shqiptare, e cila nuk po gjen kuotat e duhura për shkak të këtyre të vërtetave që cituam më sipër. Ka disa kohë, që zv.ministri grek ka kërkuar respektimin e të drejtës së pronave për minoritarët grekë në Shqipëri, por nga ana tjetër, Greqia nuk ka qenë asnjëherë e gatshme për të negociuar ndaj kërkesave çame.

 Protestat          

 Për këtë arsye shoqata “Çamëria” do të zhvillojë sot, një tubim proteste para Presidencës. Ndërsa Presidenti grek Karolos Papoulias do të jetë në Tiranë, shoqata Çamëria do të tubohet nesër paqësisht në orën 10:00 përpara zonës së Presidencës dhe Pallatit të Kongreseve. Në një deklaratë për shtyp. Meqenëse Greqia vazhdon të insistojë për ngritje varrezash të tjera ushtarësh grekë në Shqipëri, çamët kanë kërkuar ngritjen e varrezave dhe lapidarit në tokën e tyre të Çamërisë.

 Papulias takon Janullatosin

Presidenti i Greqisë Karolos Papulias ka takuar mbrëmjen e djeshme Kryepeshkopin Janullatos në selinë e Kishës Ortodokse në Tiranë. Gjatë vizitës Ppulias është shprehur se ndihet i kënaqur që ndodhet në Shqipëri. “Jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu. Greqia nuk e ka braktisur asnjëherë Shqipërinë, dhe do vazhdojë ti qëndrojë pranë. Ka nisur një epokë e re ku do jemi në krah të njeri-tjetrit”, – ka deklaruar Papulias në takim. Më pas ai ka marrë pjesë edhe në meshën e Kishës Ortodokse e cila po zhvillohet në gjuhën shqipe. Gjithashtu Papulias ka takuar mbrëmë edhe kreun e PBDNJ-së, Vangjel Dulen.

 Mediat greke

 Vizita e Papulias në Shqipëri,zhvillohet disa ditë pas asaj të ministrit të Jashtëm Evangelos Venizelos dhe nga media greke vlerësohet si një hap i duhur i Athinës për të “ngrohur” marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, të cilat u tensionuan disi pas vizitës së ministrit të Jashtëm. Ky i fundit në një konferencë shtypi për gazetarët grekë tha pas vizitës, se deklaratat e tij në Tiranë janë tezat e politikës greke, mbi të cilat do të mbështetet edhe vizita e Presidentit grek në Shqipëri.

 ———

Reagojnë politikanët shqiptarë

 Abdi Baleta: Iku Akili erdhi Odiseu

 Ne po dëgjojmë çdo ditë të flitet për afrimin e Shqipërisë me Greqinë,duke e përmendur Presidentin Papulias, si mik të shqiptarëve, Veç nuk duhet të harrojmë se sa herë ka ardhur Papuliasi këtu, gjithmonë, pas ikjes së tij, ka ndodhur ndonjë incident në marrëdhëniet dypalëshe. Me sa duket, Greqia pasi e pa që nuk i eci me Akilin, ka vendosur të fusë në lojë Odiseun, por ne e dimë fare mirë, historinë e Kalit të Trojës. Ndërsa, duke folur për pronat minoritare në Shqipëri, unë po ju them se minoritarët kanë ardhur dikur të punojnë si bujq në tokat e shqiptarëve. Dhe më vonë ata u bënë pronarë në bazë të ligjit famëkeq 7501, me të cilin ne bëmë vetëvrasje. Unë e kam thënë se ky ligj është konceptuar në Beograd dhe Athinë, për interesat antishqiptare. Por unë personalisht, kam qenë gjithmonë kundër këtij ligji dhe jam shprehur qartazi për rreziqet që paraqiste ai. Ndërsa pronat çame duhet të rikthehen patjetër. Megjithatë, këtu duhet të kuptojmë një gjë thelbësore. Që Çështja e Çamëve nuk është thjesht, çështje pronash, por është çështje për lejen e rikthimit të tyre në vendlindjen e baballarëve, si edhe për të detyruar politikën greke, që të kërkojë ndjesë lidhur me gjenocidin ndaj popullatës çame.

Dashamir Tahiri: Ne kemi të gjitha tapitë dhe dokumentet!

 Unë kam qenë nga organizatorët e protestës në nëntor të 2005-s, në Sarandë, kur Papuliasi nuk guxoi të vinte, ndaj iku i trembur. Ne kemi të gjitha tapitë e pronave dhe të shtëpive tona, në Çamëri. Kërkojmë të rikthehemi në tokat tona. Ndërsa kërkesa e qeverisë për njohjen  e pronësisë të minoritetit grek në Shqipëri, ligji ua ka dhënë, sepse ndaj minoritetit grek në Shqipëri kurrë nuk është bërë ndonjë gjenocid. Minoriteti grek ka marrë prona në Shqipëri, edhe kur nuk ka pasur asnjë pronë. Meqenëse Greqia vazhdon të insistojë për ngritje varrezash të tjera ushtarësh grekë në Shqipëri, diçka që provokon kujtesën tonë kombëtare, ne i kërkojmë zotit Papulias të pranojë ngritjen në Greqi të varrezave të Komunitetit Çam, dhe të monumenteve që përkujtojnë dëshmorët tanë në luftën antifashiste dhe viktimat e pafajshme të një faqeje të turpshme të historisë së vendit fqinj”.