Goditjen përfudimtare do e japin institucionet e BE-së, me ultimatumin e plotësimit të kushteve për çeljen e negociatave
Para një viti partitë opozitare dorëzuan mandatet dhe u larguan nga parlamanti. Rama nuk u shqetësua aspak, për krijimin e precedentit të ri. Përkundrazi, ai u shfaq në mjedisin politik edhe si “filozof i së Drejtës”. Shumë teza mbajnë autorësinë e tij, prandaj e kam emërtuar si “filozofi surealist i së Drejtës”! Me trajtesat edhe në fushën e jurisprudencës, ai ka hyrë në historinë institucionale, si “krijuesi i madh doktrinal”, që u dha “fund” shumë tezave të filozofëve të mëdhenj të jurisprudencës në politikat institucionale. Një tezë doktorature në jurisprudencë, mund të bëhet për formulimet e tij teorike gjatë qeverisjes si, dhe numërin e madh të Akteve Normative që ai “prodhoi” si pushtet ekzekutiv gjatë pandemisë së Covid- 19. Aktet e tij normative miratoheshin, duke qeshur e nënqeshur, nga “Kuvendi i Sajuar”. Meqë po trajtojmë fundin e komedisë politike, le të analizojmë disa nga tezat e tij, si “filozof surealist i së Drejtës”. Ky emërtim buron nga emri i selisë, ku banon “filozofi ynë surealist”. Teza themelore në jurisprudencën e tij është: “Bëj atë që them, them atë që bej”! Tezë nga më interesantet. Prandaj ai, sa u dorëzuan mandatet nga deputetët, nuk priti asnjë sekondë, u vetëkënaq dhe urdhëroi Kuvendin të pranonin dorëzimin e mandateve dhe inkurajoi “listarët” të merrnin mandatet e të larguarëve. “Filozofi surealist i së Drejtës”, e hodhi për konsum politik tezën e vet. Në Shqipëri ekzistojnë dy opozita, “opozita reale institucionale” dhe “opozita e rrugës” ! Ngjarjet rrodhën vrullshëm. Opozita e rrugës goditej nga “filozofi surealist i së Drejtës” dhe tallej nga listarët e saj të shndërruar në “opozitë institucionale”. “Opozita e rrugës” gradualisht ia mbërriti t’i imponohej “Kuvendit të Sajuar” dhe e detyroi “filozofin surealist të së Drejtës” të pranonte krijimin e një Komiteti Politik, që në thelb, delegjitimoi Kuvendin e sajuar. Sepse ky komision nxorri në “bulevard” Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe shfaktorizoi “deputët listarë”, që ende nuk po kuptojnë, ashtu si edhe Rama, pasojat e më vonëshme. Me presionin e ambasadores së SHBA-së, Komiteti Politik miratoi marrëveshjen për ndryshimet në legjislacionin zgjedhor. Tani, “filozofi surealist i së Drejtës”, është në “hall”, sepse “listarët” po “ulërijnë” e bëjnë presion, duke deklaruar, se “nuk e votojmë marrëveshjen”. Aha, sa vonë e kuptuan lojën dhe rolin e tyre të përfunduar. Tani po luhet akti i fundit i Komedisë Politike. Përfaqësuesja e listarëve në Komitetin Politik, që po “ulërin” më shumë se “grupi”, ka harruar që e ka firmosur marrëveshjen te Selia e Ambasadores! Edhe Rama e kuptoi me vonesë gabimin për firmosjen e marrëveshjes te Selia e Ambasadores, prandaj deklaroi se: “është hera e fundit që marrëveshjet të bëhen nga ambasadorët”. Madje, ai i bën thirrje edhe Bashës, që të merren vesh pa ndërmjetësim dhe i kërkon ndihmë të bisedojë me listarët e “rrebeluar”, që ta votojnë marrëveshjen! Je i vonuar filozof. Përgjigjen dhe zgjidhjen e dha Sekretari Amerikan i Shtetit, duke e përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes partiake. Tani listarët duhet ta kuptojnë se humbën edhe shansin që të vihen përsëri në listë, për t’u ribërë deputetë. Koha e lojës politike mbaroi. Goditjen tjetër e dha po pardje “EURALIUS” & “OPDAT”,-i, me përgjigjen për kërkesën e KLGj-së, për mandatin e Dvoranit. Zgjidheni vetë u përgjigjën ata, sepse kompetencat ua jep ligji. Më 6 maj kam trajtuar se kërkesa e KLGj-së, është antikushtetuese dhe kam cituar edhe nenet që KLGj-ja duhej të zbatonte për deklarimin e përfundimit të mandatit të tij, 6 vjet më parë. Goditjen përfudimtare do e japin institucionet e BE-së, me ultimatumin e plotësimit të kushteve për çeljen e negociatave.