Refleksione në 100 -vjetorin e vrasjes të Esad Pashë Toptanit
Nga Klodi Stralla
Pa mëdyshje dy figurat më madhore politike të periudhës të krijimit të shtetit shqiptar dhe të viteve të para të funksionimit të tij kanë qenë tosku Ismail Bej Vlora dhe gegu Esad Pashë Toptani. Për historiografinë zyrtare shqiptare dhe për opinionin publik shqiptar i pari është “babai i shtetit shqiptar, njeriu i mençur që diti me zgjarësi të zgjedhë momentin e favorshëm për të shpallur mëvetësinë e Shqipërisë”, ndërsa i dyti vlerësohet si “renegati më i madh, tradhëtari që i dorëzoi Shkodrën malazezëve, sabotuesi i qeverisë të Ismail Qemalit, komplotisti i pabesë kundra Princ Vidit dhe natyrisht vegla më e bindur e politikës serbe në Shqipëri” Të gjitha këto vlerësime e bëjnë të ligjëshme aktin vrastar të tij nga i riu Avni Rustemi në Paris, si një veprim atdhetar dhe shpëtimtar për Shqipërinë e pas Luftës së Parë Botëore.
Të them të vërtetën, kur mendova të vija përballë njëri-tjetrit dy protagonistët më të mëdhenj historikë të viteve 1912-1920 – Ismail Qemalin dhe Esad Toptanin – pata ndjesinë se jo vetëm nuk do të isha në paqe me veten, por edhe me lexuesit sepse, ndërsa për të parin na janë thënë vetëm fjalët e mira, për të dytin janë thënë vetëm të këqiat. Gjithashtu jam i vetëdijshëm që shkrimi do të ngjallë polemikë dhe kundërshti, (gjë që është normale), por ajo që më shqetëson realisht, është formati shumë i ngushtë i Fb-ut që nuk të lejon t’u referohesh fakteve dhe dokumentave arkivore. Gjithsesi merreni si një sprovë nga ana ime.
– Të dy ishin me të njëjtin status social, i përkisnin dy familjeve më të fuqishme shqiptare të kohës: I pari bejlerëve të Shqipërisë të Jugut -Vlorajve dhe i dyti bejlerëve të Shqipërisë të Mesme – Toptanasve.
– Para se të angazhoheshin në Rilindjen Kombëtare shqiptare të dy kishin qenë funksionarë të lartë të Perandorisë Osmane, i pari i shquar në fushën e diplomacisë dhe i dyti në fushën e ushtrisë.
– Ndonëse ishin me një diferencë të ndjeshme moshe, i pari 20 vjet më i madh se i dyti, të dy ishin në moshë të pjekur dhe me përvojë të mjaftueshme për të marrë përsipër detyrat shumë të ndërlikuara të kohës.
– Të dy ishin pjesëmarrës në takimin e fshehtë të Taksimit në Stamboll, në janar 1912, ku u vendos të organizohej kryengritja e armatosur e viseve shqiptare.
– Të dy ishin në Vlorë si firmëtarë të Aktit të Pavarësisë, i pari si Kryeministër i Qeverisë të përkohëshme dhe i dyti si Ministër i Brendshem, pak muaj më vonë.
– I pari kërkonte që selia e qeverisë të ish në Vlorë, (afër zotërimeve të tij), i dyti kërkonte që qeveria të vendosej në Durrës, po për të njëjtën arsye. Ishte ky ndër shkaqet që, shumë pak ditë pas pavarësisë, i dyti u largua nga Vlora dhe krijoi një qeveri paralele në Durrës, ku ishte edhe influenca e tij më e madhe.
– I pari u përfol se kishte dijeni për komplotin turk të Beqir Grebenesë, ndërsa i dyti u përfol si komandanti që u dorëzoi Shkodrën malazezëve, për të holla.
– Të dy u detyruan të japin dorëheqjen pas një viti qeverimi, i pari në 24 janar 1914 dhe i dyti pas një jave, në 30 janar 1914, duke ia dorëzuar pushtetin Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, që përfaqësonte Fuqitë e Mëdha në Shqipëri.
– Ndërsa i pari u largua jashtë vendit, në Itali, i dyti u ngarkua të shkojë në Bavari (Gjermani), në krye të delegacionit vendas për t’i ofruar Pric Vidit kurorën e Shqipërisë. Por edhe ai nuk vonoi të konfliktohej me Princin duke braktisur vendin vetëm pas pak muajsh, si ministër lufte i qeverisë të tij.
– Në vitet e Luftës Botërore, i pari ishte jashtë lojës politike të fuqive ndërluftuese, i dyti ishte aleat i njohur i fuqive të Antantës (fitimtarëve), duke shpresuar se do të ishte ai i preferuari i tyre për të udhëhequr Shqipërinë e pas luftës.
– Stabiliteti i shtetit shqiptar të pasluftës, (Kongresi i Lushnjës – janar 1920), u garantua nga largimi fizik i tyre, i pari vdiq në Itali në 24 janar 1919 në rrethana të dyshimta, (u helmua), dhe i dyti u vra në Paris në 13 qershor 1920.
Me sa duket simboli ynë, me zhgabën me dy krerë që shohin në drejtime të kundërta, nuk qenka fare pa kuptim. Ai do të përsëritej shumë shpejt pas viteve ’20, me toskun Fan Noli dhe gegun Ahmet Zogu; në Luftën e Dytë Botërore me toskun Enver Hoxha, dhe gegun Abaz Kupi dhe në vitet e demokracisë me toskun Fatos Nano, dhe gegun Sali Berisha dhe, tash së fundi, me toskun Edi Rama dhe gegun Lulëzim Basha.
Historia vazhdon…..






















